Fraza postulat, “Shqipëria ishte një burg i madh, nga i cili nuk dilje dot e në të cilin nuk hyje dot”, bëhet e prekshme kur sheh mbi hartën e vendit, vend-dënimet, kampet dhe burgjet.
30 vite pas rënies së regjimit komunist, shumë prej ish- të përndjekurve kanë ndërruar jetë. Vendet e kujtesës, janë zhbërë herë nga padija e herë nga mungesa e vizionit. Në një anë nevoja për të harruar, e në tjetrën nevoja për të mohuar, e ka kthyer vendin tonë në një skenë ku ish- të përndjekur e ish- persekutorë, janë pothuaj sërish në të njëjtat kushte; persekutorët si mohues të asaj që ka ndodhur e ish- të përndjekurit të pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin.
Debati për kampin e Tepelenës, do ta tregonte qartë se për një pjesë të shoqërisë, ai kamp nuk ka ekzistuar. Ajo që mohohej para ‘90-ës, vijon të mohohet edhe 30 vite pas lirisë. Në mungesë të vendeve të kujtesës e muzeve që e dëshmojnë të shkuarën e afërt, jo vetëm si respekt për viktimat por edhe si ngjarje historike, me zhbërjen e vendeve të kujtesës, me shkatërrimin e dëshmive, duket se 47 vitet e persekutimit u fshinë përgjithnjë. Me to, edhe varret.
Fraza postulat, “Shqipëria ishte një burg i madh, nga i cili nuk dilje dot e në të cilin nuk hyje dot”, bëhet e prekshme vetëm nëse sheh mbi hartën e vendit, vend-dënimet, kampet, burgjet, e vendet e punës. Shqipëria ishte një burg i madh, dhe qelitë e tij ishin shtrirë kudo. Anekënd në të gjithë hartën e vendit. Një vit pas promovimit të një harte me vendet e kujtesës, Fondacioni “Kujto.al” prezantoi platformën online hartaekujteses.al si një variant praktik dhe lehtësisht i aksesueshëm. Nga burgu i Pleqve në Zejmen tek ai për të miturit në Shën Koll. Nga Shën Vasili në jug te burgu i grave në Belsh, Harta e Kujtesës, shënjon të gjitha vendet që u harruan në 3 dekada, nga nevoja njerëzore për të harruar dhimbjen e nga dëshira çnjerëzore për të mohuar dhimbjen e të tjerëve. E prezantuar në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” organizuar nga IDMC, për projektin folën Blerina Gjoka, Admirina Peçi dhe Erald Kapri nga Fondacioni “Kujto”, ndërsa platforma online rikthen në vëmendje të shkuarën e palavdishme të Shqipërisë që hante veten.
Përmes kësaj harte, fondacioni Kujto, me mbështetjen e KAS Albania, realizon një nga qëllimet e tij për pasqyrimin e të dhënave mbi krimet dhe viktimat e komunizmit në mënyrë praktike, interaktive dhe të aksesueshme nga kushdo. Mbi hartën gjeografike të Shqipërisë janë shënuar me simbolet përkatëse: Burgjet, Kampet e Përkohshme të Punës dhe Vendet e internimit.
“Gjatë punës sonë me fondacionin Kujto kuptuam se terrori komunist ishte shtrirë në të gjithë territorin e vendit duke e kthyer Shqipërinë në një burg të madh, ku jo vetëm burgjet klasike, por edhe kampet e internimit, fillimisht me tela me gjemba dhe më pas si kampe pune të detyruar që zhvendoseshin në çdo front pune ku regjimi kishte nevojë, apo kamp-burgjet statike, i kishin kthyer të burgosurit politik në skllevër pune”, tha Agron Shehaj, themelues i “Kujto.al”. Sipas tij, harta e vendeve të vuajtjes lindi kësisoj si një projekt i ri i Fondacionit Kujto për të realizuar një punë të detajuar të skemës së internimeve dhe burgosjeve dhe për të shënjuar në hartë vendet që u përdoren për persekutimin komunist.
Një kategori së cilës i është kushtuar vëmendje është ai i vendeve të internimit, që përmbledh vendet gjeografike ku dërgoheshin të internuarit dhe jo emërtesën zyrtare “vend internimi” që zëvendësoi në disa raste emërtesën “kamp internimi”. Kjo kategori përmban Kampet e Rrethuara të viteve të para dhe vendet e Hapura, ku internoheshin të dënuarit pas mbylljes së kampeve me tela me gjemba. Harta e kujtesës sjell gjithashtu Dokumente dhe Dëshmi të të burgosurve dhe të internuarve për ta bërë sa më të saktë dhe sa më të gjallë përfytyrimin për këto vende dënimi. Të dhënat për burgjet, kampet e punës dhe vendet e internimit janë mbledhur duke shfletuar Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, studimet e deritanishme në këtë fushë, ku veçojmë autorin Kastriot Dervishi, botime të ISKK dhe shtëpive botuese me autorë ish-të dënuar politikë dhe dëshmitë e shumta që Kujto.al ka mbledhur gjatë këtyre viteve. Kjo veprimtari është gjithmonë në proces për ta pasuruar nga ana e përmbajtjes dhe për ta modernizuar nga ana e paraqitjes, Hartën e Kujtesës, hartën që nuk duhej t’i mungonte Shqipërisë.
RËNIA E DIKTATURËS
Burgosja e shoferit të “Ifa”-s që tërhoqi zvarrë përmendoren e Hoxhës
30 vjet nga rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës në sheshin qendror të Tiranës më 20 shkurt 1991. Një datë që, dhe pse jo zyrtarisht, simbolikisht për shumë njerëz shënoi rrëzimin e diktaturës në Shqipëri. Megjithatë regjimi nuk e la të kalonte pa arrestime këtë ngjarje. Mes tyre ishte edhe Ardian Heta, shoferi 21-vjeçar, që drejtonte makinën tip “Ifa” që tërhoqi shtatoren e diktatorit nga sheshi deri tek ura e Rrugës së Elbasanit. Dokumenti tregon çfarë ndodhi me të riun, në vazhdim. Sipas raportit zyrtar të ngjarjes, më 20 shkurt 1991, Ministria e Punëve të Brendshme angazhoi për përballimin e situatës, 1200 forca të reparteve nr.326, nr.711 të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë dhe të dy shkollave në MPB-së. Forcat nuk ishin të pajisura me mjetet e duhura, shkopinjtë e gomës dhe mburojat plastike nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar situatën. Në analizën e tyre, zyrtarët e regjimit shpreheshin se ishin të pasigurt nëse armët e zjarrit mund të evitonin rrëzimin e përmendores. Ata gjykonin se një pjesë e konsiderueshme e forcave ishin lodhur para se të vinin në sheshin “Skënderbej”, por edhe se ishin me mungesë përvoje. Ato nuk rezistuan më shumë se një orë. Gjykohej se “grumbullimi i grave te Presidiumi i Kuvendit Popullor që u hoqën forcërisht nga policia para se të bëhej thirrja për miting, grumbujt në sheshin “Skënderbej”, dalja e punonjësve të Radiotelevizionit dhe presioni që bënin ata mbi forcat e rendit për t’i lejuar turmat të kalonin drejt Kryeministrisë, banderola e shkruar dhe veprime të tjera, dëshmojnë për veprimtari të organizuar më parë”, nuk ishin njohur më parë nga organet e punëve të brendshme. Megjithatë, pas 20 shkurtit pati disa arrestime. Personi që tërhoqi përmendoren me makina tip “Ifa” ditën historike të 20 shkurtit 1991, quhej Ardian Besnik Heta, 21 vjeç, me profesion mekanik, me punë shofer në parkun e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Referuar arsyetimit të vendimit të gjykatës, mëngjesin e 20 shkurtit 1991, ai u largua nga puna sepse ishte i sëmurë. Rreth orës 13.00 duke dëgjuar zhurmë në qytet, ka dalë nga shtëpia. Më pas u bashkua në shesh me turmën që po vinte nga qyteti “Studenti” pikërisht afër Bankës së Shtetit. Pas disa minutash, duke qenë se kanë qenë tre persona të plagosur, ka marrë një makina “Ifa” që gjendej aty dhe ka çuar në spitalin ushtarak 3 persona të plagosur. Në kthim, me makinën që drejtonte është tërhequr shtatorja e Enver Hoxhës rrugëve të Tiranës. Veprimet e Ardianit kanë qenë deri tek ura në rrugën e Elbasanit, sepse këtu makina është prishur e nuk mund të vazhdonte më. Pas këtij veprimi u nis në shtëpi. Ardiani u arrestua më 25.2.1991. U akuzua në bazë të nenit 6 të nr.7408, datë 31.7.1991 “Për mbledhjet e grumbullimet” dhe për shkelje të dekretit nr.7459, datë 22.1.1991 “Për mbrojtjen e monumenteve”. Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.166, datë 20.4.1991, e deklaroi fajtor vetëm për akuzën e parë duke e dënuar me kohën e paraburgimit, pra me 55 ditë heqje lirie. U shpall i pafajshëm për shkelje të dekretit nr.7459, sepse nuk mund të bëhej fajtor për dëmtim monumenti, kur veprimi ishte bërë masivisht. Pak muaj më vonë, Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.262, datë 14.8.1991, për shkak “të ndryshimit të rrethanave dhe kushteve aktuale politike”, pushoi çështjen.
Burimi/gazetamapo.al/


Leave a Reply