Gazeta Shqip
Divorci është ngjarja e dytë më stresuese në jetë, e paraprirë vetëm nga vdekja e partnerit. Pasojat mund të jenë të rënda, por mund të kapërcehen
Çfarë mund të bëjë stresi? Depresioni i rëndë dhe ankthi mund të shkatërrojnë qendrën emocionale të trurit tuaj, nëse nuk tregoni kujdes. Stresi i vazhdueshëm dhe akut dëmton gjendjen tuaj trupore dhe emocionale. Në fakt, një studim i fundit i publikuar në revistën e shëndetit dhe sjelljes, tregon se të divorcuarit ose personat e ve kanë 20 për qind më shumë se të martuarit sëmundje kronike, si për shembull sëmundje zemre, diabet dhe kancer. Një tjetër studim për “Shkencën e psikologjisë” pretendon se niveli i lumturisë te një person që po divorcohet bie ndjeshëm, por nëse personi punon për gjendjen e tij psikologjike, pasojat mund të përmirësohen. Këshillat e mëposhtme janë një udhërrëfyes drejt lumturisë dhe mundjes së depresionit për personat e divorcuar.
Vriteni kohën duke lexuar një libër. Të lexosh një libër jo vetëm që të ndihmon në shtimin e diturisë, por të ndihmon edhe në kapërcimin e mendimeve të këqija. Larmia e personazheve, ngjarjeve dhe vendeve, duke shtuar edhe gjendjen shpirtërore të protagonistit të rrëfyer aq mjeshtërisht, do t’ju bëjnë të kuptoni se çdo njeri kalon një kohë të keqe në jetë. Mesazhet që librat na përcjellin janë shpesh të dobishme, pasi një libër komunikon në një mënyrë më të shkurtër me trurin tonë dhe ne arrijmë më shpejt të ndërgjegjësohemi. Vendi ku zhvillohen ngjarjet mund t’ju nxisë dëshirën për të udhëtuar dhe për të njohur kultura të ndryshme. Personazhet dhe shumëllojshmëria e tyre do t’ju bëjë të kuptoni sesa shumë njerëz të ndryshëm ka në botë dhe se të kapesh pas një personi të vetëm nuk është rruga e duhur për të jetuar. Shumë persona të divorcuar janë shprehur se librat kanë qenë një ndihmesë e madhe për ta gjatë periudhës që përpiqeshin të kalonin stresin e divorcit.
Ndryshoni rutinën. Gjatë kohës që dy persona janë të martuar, ata e programojnë jetën e tyre bashkëshortore në mënyrë të tillë që të kalojnë kohë të mjaftueshme dhe të kënaqshme me njëri-tjetrin. Rutina e ditës, përveç punëve personale, do të përfshijë edhe shumë veprimtari në çift, por ndjekja e së njëjtës rutinë edhe gjatë divorcit, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse t’ju kujtojë ish-partnerin tuaj. Në këtë mënyrë këshillohet që të krijoni një rutinë të re, e cila planifikon më shumë kohë për veprimtaritë tuaja vetjake, apo me rrethin tuaj miqësor. Të kujtoni rutinën e ditës që kalonit me partnerin ose partneren tuaj, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse t’ju stresojë. Këshillohet të planifikoni sa më shumë aktivitete fizike dhe shpirtërore.
Planifikoni, planifikoni, planifikoni. Psikoterapistja Roberta Temes, në librin e saj “Mëso të jetosh përsëri”, këshillon se planifikimi i gjithçkaje të bën të kalosh stresin më të madh të divorcit. Planifikoni kohën se kur do të hani drekën, kur do të bëni dush, kur do të zgjoheni e flini. Për këtë qëllim do t’ju duhet një axhendë, në të cilën të shkruani planet tuaja për ditën. Krijojini vetes çdo ditë plane të reja, vende të reja, takime me miq të rinj. Për femrat e divorcuara këshillohet dalja për pazar dhe trajtimet në qendrat estetike. Për meshkujt, aktivitete të ndryshme sportive ose ndjekja e një hobi, ku nuk kishin mundësi t’i ndiqnin gjatë martesës. Planifikimi i veprimtarive për të ardhmen do t’ju ndihmojë që ta arrini në gjendje sa më të mirë.
Pastroni. Një rrugë shumë e mirë për të kapërcyer fundin e një marrëdhënieje është të pastroni sirtarët, dollapët dhe gjithçka tjetër në shtëpi, që mund të mbajë akoma sendet e ish-bashkëshortit ose ish-bashkëshortes suaj. Zëvendësojini ato sende me gjërat tuaja dhe krijoni hapësirë për diçka të re. Nuk është e thënë që e gjithë puna të bëhet në një ditë, mund të merrni kohën që ju duhet, jo vetëm për t’i larguar që aty, por për t’i hequr ato kujtime nga mendja juaj. Duke vepruar kështu, do të ndiheni më të qetë dhe më në paqe me veten dhe jetën tuaj të shkuar. Duhet të kuptoni se ndoshta e gjithë ngjarja mund ta ketë një anë të mirë, zbulojeni atë.
Sfidoni stereotipat. Shumë stereotipa janë të lidhur me divorcin dhe ndikojnë negativisht për gjendjen shpirtërore dhe sociale të personit që ka pësuar divorc. Shumë njerëz mendojnë se meqë martesa e dy njerëzve nuk funksionoi, kjo nënkupton që edhe ata njerëz kanë probleme në lidhje me mënyrën e krijimit të marrëdhënieve. Nuk është e thënë që një person i divorcuar gjithnjë është i paaftë për të ndërmarrë një tjetër mundësi në jetën e tij, e pse jo të gjejë lumturinë dhe plotësimin te dikush tjetër. Një tjetër stereotip, të cilin personat e divorcuar thonë se e hasin shumë, është se ata konsiderohen nga rrethi i tyre shoqëror si “të rrezikshëm”, sepse tani që janë të lirë, mund të flirtojnë edhe me bashkëshortët ose bashkëshortet e miqve të tyre. Të divorcuarit duhet të bëhen të fortë, të kalojnë keqardhjen që të tjerët mund të shprehin, mënyrë kjo që e bën jetën e tyre të duket e pavlerë. Ndaj duhet të kini parasysh se jeta ju ka dhënë një mundësi të re, më mirë të lirë, sesa të lidhur me dikë që nuk ju meriton.
Ndihuni mirë. Pas divorcit, gjendja juaj shpirtërore ka prirje të bjerë dhe energjia juaj pozitive mund të jetë gjëja e fundit që mund t’ju shkojë ndër mend. Si t’ia bëni kur asgjë nuk arrin dot t’ju sjellë në qejf, kur edhe pas shumë përpjekjesh që miqtë tuaj bëjnë për t’ju ngritur moralin, përsëri dëshpërimi ju shtrëngon fort? Psikologët thonë se rruga e duhur për këtë është duke mos bërë gjërat që duken të drejta, por duke kryer veprime që ju bëjnë të ndiheni mirë. Drejtësia apo morali janë gjërat e fundit për të cilat ka nevojë divorci. Jeta duket se ka qenë e padrejtë me ju, ndaj mënyra për të mbledhur fuqitë dhe për t’u ndier mirë, është duke bërë gjërat që ju lumturojnë dhe largojnë mendimet e këqija.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply