Të nderuar mësues/e dhe të interesuarit tjerë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Danimarkë e më gjerë,ju njotoj se nga neser ( 31.07-03.08 2019) në Prizren zhvillon punimet seminari ( edicioni XV) me mësuesit e gjuhës shqipe në Diasporë,ku do të marrin pjesë rreth 150 mësues/e nga gjithë diaspora shqiptare.
Në kuadër të këtij seminari ( dhe për hollësi tjera),dy promotorët e këtij organizimi:Nuhi Gashi dhe Anila Ferizaj të ministrive përkatëse të arsimit në Shqipëri e Kosovë kohë më parë kanë lëshuar në qarkullim këtë qarkore:
Të nderuara kolege,
të nderuar kolegë,
duke ju përshëndetur, ju njoftojmë se si edhe më parë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) e Republikës së Shqipërisë do të organizojnë seminarin XV për mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë.
Duke u mbështetur në kalendarët shkollorë të shteteve përkatëse dhe për të mundësuar pjesëmarrje të gjerë të mësuesve të diasporës, seminari i këtij viti do t’i zhvillojë punimet prej 31.07-03.08.2019 në Prizren (adresa: “Hotel Theranda”, Rruga “Adem Jashari” 1, 20000 Prizren).
Afati për paraqitjen e pjesëmarrjes është deri më 01 qershor 2019.
Në seminar do të angazhohen ligjërues/lektorë shqiptarë (punonjës shkencorë, specialistë dhe ekspertë të arsimit, titullarë dhe zyrtarë shteti), si dhe ligjërues të huaj nga qarqet përkatëse profesionale të ndonjërit prej shteteve ku zhvillohet mësimi shqip.
Pjesën tjetër do ta përbëjnë prezantimet-ligjëratat profesionale personale apo grupore të ndërtuara mbi baza kërkimore-hulumtuese dhe empirike të vetë mësueseve e të mësuesve që punojnë me fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në diasporë apo të drejtuesve të shkollave në të cilat këta nxënës ndjekin mësimet.
Si zakonisht, tematika e prezantimeve do të jetë rreth fushave a kategorive themelore kurrikulare e didaktike (gjuhë shqipe dhe letërsi shqiptare, histori dhe gjeografi, trashëgimi kulturore dhe artistike, metodologji të mësimdhënies, teoritë e të nxënit etj.).
Organizatorët konsiderojnë që, një vit pas miratimit të kurrikulës së njësuar përkatëse kombëtare për mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, ky edicion të ketë si të veçantë një tryezë të hapur diskutimi me temën “Tekste, mjete dhe materiale mësimore të përbashkëta dhe dokumentacion pedagogjik sa më të njësuar”.
Po ashtu, afati për aplikim me prezantim, kumtesë, ligjëratë, promovim didaktik etj., është deri më datën 01 qershor 2019. Po deri më këtë datë duhet t’i dërgoni edhe abstraktet e prezantimeve, kumtesave etj., përkatëse me së paku 200 fjalë. Ndërkaq, njoftimin për pranimin, respektivisht futjen e prezantimit, kumtesës etj., në programin e seminarit, do ta merrni deri më 15 qershor 2019.
Përveç në raste të veçanta, prezantimet nuk duhet të zgjasin më shumë se 30 minuta.
Deri më datën 01 korrik 2019 do ta keni në dorë programin e plotë të seminarit.
Njoftimin e pjesëmarrjes bashkë me fletëparaqitjen përkatëse (shih në sirtar) duhet ta dërgoni në të dy adresat si më poshtë:
Nuhi.gashi@rks-gov.net dheanila.ferizaj@arsimi.gov.al
Shënim: Luten kryetarët e këshillave a të shoqatave të mësuesve si dhe vetë mësuesit/et që këtë imejl ta shpërndajnë te të gjithë kolegët/et e tyre.
Me respekt,
Nuhi Gashi, Anila Ferizaj.
Burimi/Facebuk
Leave a Reply