TIRANË- Pala mbrojtëse për të akuzuarit e 21 janarit, ka paraqitur një analizë përfundimtare në Gjykatën e Tiranës. Avokati i kreut të gardës, Ndrea Prendi, deklaroi se është ushtruar dhunë mbi Gardën, ndërsa garda kishte informacion se turma do qëllonte.
Sipas avokatit Genc Gjokutaj, garda ka respektuar rregulloren për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë, ndërsa është gjendur e sulmuar nga protestuesit, pasi protestuesit synonin të hynin në Kryeministri.
Gjokutaj argumentoi se Prendi ka vepruar si kreu i gardës dhe jo si individ, nën përgjegjësinë për sigurinë e institucioneve, ndërsa garda më 21 janar ka mbrojtur institucionet kushtetuese. Sipas tij qëllimi i Gardës nuk ka qenë dëmtimi i protestuesve, por mbrojtja e Kryeministrisë, në kuadër të detyrës që ai mbante. Avokat Gjokutaj deklaroi se, “garda ka qëlluar vetëm në ajër, por akuzat e prokurorisë janë të montuara. Më 21 janar për 5 orë me radhë u vu në rrezik jeta e Kryeministrit dhe klienti im ka bërë detyrën. Prokuroria nuk vërteton dot se Ndrea Prendi ka qëlluar drejtpërdrejt mbi Faik Myrtajn.”
Nga ana e tij avokati i gardistit Agim Llupo, Besnik Çerekja deklaroi se nuk ka prova për të demonstruar se klienti i tij ka qëlluar me armë dhe as dëshmitarë që ta provojnë. Sakaq ai ka shtuar se arma është përdorur në respekt të ligjit dhe se plumbi që i mori jetën Ziver Veizit ka qenë rikoshet.
Një javë më parë Prokuroria në pretencën e saj, kërkoi 23 vite burg si i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, për ish-kreun e Gardës Ndrea Prendin dhe 25 vite burg për Agim Llupom, i akuzuar për vrasjen e protestuesve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi.
Gjithsesi nga katër viktimat e 21 Janarit, nuk ka ende të dyshuar për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa çështja në ngarkim të tij vijon të jetë ende në hetim.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply