UASHINGTON – Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit do të jenë nën monitorim të rreptë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qëndrimit të bërë publik prej kohësh i është shtuar dhe një zë i rëndësishëm i DASH, David Berger, drejtor me detyrë për Europën Jugore dhe Qendrore.
Siç transmeton Ora News, Berger gjatë një takimi në DASH me nënkryetarin e FRD, Aleksandër Biberaj ka shprehur shqetësimin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, ndërsa ka deklaruar se SHBA do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe zgjedhjet në Shqipëri. Lidhur me këtë test të rëndësishëm për vendin, po ashtu edhe për procesin e integrimit në BE, David Berger ka theksuar se politika shqiptare duhet të reflektojë ndaj mesazheve të Sekretares Hilari Klinton gjatë vizitës në Tiranë.
I prerë ka qenë qëndrimi i DASH edhe lidhur me tensionet në Luginën e Preshevës, ku është theksuar qartazi, se SHBA nuk pranon retorikat nacionaliste. “Problemet e rajonit duhet të zgjidhen nëpërmjet negociatave”-ka theksuar David Berger.
Nga ana e tij, Biberaj i njohu zyrtarët amerikanë me arsyet e krijimit të FRD-së si një domosdoshmëri e kohës dhe kërkesë e qytetarëve shqiptarë, si dhe me rolin dhe misionin e saj. Nënkryetari i FRD-së, Biberaj u shprehu bashkëbiseduesve besimin se, FRD do të jetë një faktor i rëndësishëm politik në vendimmarrjen pas 23 qershorit, vendimarrje që do të jetë në shërbim të demokracisë dhe qytetarëve shqiptarë.
/Shekulli Online/M.A./
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply