Deputetët e Kuvendit të Kosovës më në fund i kanë dhënë vulë temës më të gjatë të pasluftës në Kosovë. Ani pse me shumë vështirësi, 80 deputetë votuan PRO ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, shkruan gazetametro.net.
91 deputetë votuan, prej të cilëve 80 ishin PRO dhe 11 të tjerë KUNDËR.
E dita e sotme që ishte vendimtare, erdhi tek pas gati 3 vitesh bllokadë nga opozita e bashkuar atëbotë, me në krye kryeministrin e tanishëm Ramush Haradinaj.
Ndryshimi i qëndrimit të Ramush Haradinajt, nuk rezultoi me ndryshim qëndrimi të Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilët edhe sot përdoren gaz.
Gazi që dikur ndali demarkacionin e sponsoruar nga Qeveria e Isa Mustafës, nuk i bëri ballë Qeverisë së Ramush Haradinajt.
Përveç katër herëve kur u shtye seanca për shkak të hudhjes së gazit, në herën e pestë deputetët arritën të japin votën e tyre. Por, kjo votë erdhi pas arrestimit të disa deputetëve dhe përjashtimit të disa të tjerëve.
Sido që të jetë, ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit erdhi pas shumë peripecish të partive në pushtet dhe ambasadorëve të huaj.
Presioni për të kaluar një prej çështjeve më problematike në historinë shtetërore të Kosovës, erdhi i ashpër sidomos nga kori diplomatik, në krye me ambasadorin amerikan Greg Delawie.
Gjithë kohën është përsëritur se ratifikimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare është kusht për liberalizimin e vizave, i cili proces u premtua se nuk do të vonohet për qytetarët kosovarë sapo kjo marrëveshje të kalojë.
Ndryshe, tema që mbajti peng integrimin e Kosovës nisi në vitin 2015 me nënshkrimin e dy ministrave të asaj kohe, Skënder Hyseni dhe Hashim Thaçit./gazetametro.net


Leave a Reply