Ana, është një grua rreth të tridhjetave. Asaj nuk i pëlqen që njerëzit të ndiejnë mëshire për të dhe aq më pak të kuptojnë që ajo po vuan. “Fillimisht punoja në një ndërmarje shtetërore, por nuk zgjati shumë, ai filloi të dyshonte te kolegët e mi; llogariste kohën që më duhej nga puna në shtëpi dhe nëse vonohesha qoftë edhe një minute ai egërsohej, fillonte të thyente gjëra dhe më shante me fjalë nga më poshtërueset.
Vendosa të largohesha me shpejt nga puna për të qeneë në orar në shtëpi, por edhe kjo nuk e kënaqte. Çdo ditë vinte për të më kontrolluar dhe po të me shihte që flisja me ndonjë koleg dhuna shpërthente keq. Një herë mungova në punë për tri javë rresht nga turpi i shenjave në fytyrë. Asnjeri nuk dyshonte se ai më keqtrajtonte. Ishte tip i shoqërushem. Marrdhënit me kolegët i kishte shumë të mira, sa ata nuk mund te mendonin kurrë që ai në shtëpi kishte një fytyrë tjetër. Shpesh me dukej se kisha unë diçka qe nuk shkonte…”
Pasazh u mor nga libri:”…Pa fillim pa fund…” , botuar nga Qendra e Këshillimit per Gratë dheVajzat. Historitë janë të gjitha të jetuara.
Fati i paracaktuar
Dhuna në familje, tashmë në shqipëri është kthyer në një fenomen. Cilësimi si e tillë nis që nga momenti kur në shoqërinë tonë shumë forma të dhunës konsiderohen si një rutinë familjare. Ne traditën shoqërore, ky fenomen i ka rrënjët thellë në kushtet historike e social-kulturore jo vetëm të vendit tonë por të gjithë Ballkanit, ku familjen e gjejmë në formën e saj të plotë patriarkale, dhe çdo pjesëtar i saj lind e rritet përgjegjës për një rol të caktuar në hierarkinë familjare. Këtu gjejmë faktorin e parë të “fatit të paracaktuar”.
Fëmija që me lindjen e tij dhe deri në pjekuri mësohet t’i përgjigjet kërkesave që ka familja e shoqëria. Vajza që rritet me ikonën e nënës, sidomos në zonat rurale dhe parapërgatitet për këtë rol, mësohet të tolerojë ndaj figurës mashkullore në ndjekje të shembullit të sjelljes së nënës, duke fituar kështu “imunitet” ndaj dhunës fizike dhe psikologjike. Në këtë mënyrë ajo nuk reagon në shumë raste përballë kësaj dukurie pasi: kështu durojnë të gjithë.
Ruajtja e një imazhi të pastër në shoqëri bëhet shpesh faktor që personi që pëson dhunën të mos flasë duke përjetuar një dhunim të dyfishtë. Epërsia e burrit në familje në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo pranohet duke mos pasur kundërveprim përpara roleve.
Pse kemi dhune?
Në një ambient të tillë është shumë më e thjeshtë të kemi fenomene të dhunës fizike, të cilat shfaqen më me intensitet kur nxiten nga faktorë të tjerë të jashtëm si alkoolizmi, stresi apo traumat e pësuara në fëmijëri nga dhunuesi. Në shumicën e rasteve meshkujt e dhunshëm vijnë nga familje ku është ushtruar dhunë dhe ata kanë qenë viktima të saj por kjo gjë s’duhet te na çojë në krijimin e stereotipave pasi raste të meshkujve të dhunshëm ndeshim edhe në “familjet më te mira”. Teorikisht ky profil mashkulli ndihet më mirë me veten kur e poshtëron të shoqen apo këdo pjesëtar të familjes. Kjo sjellje rritet kur ndien se vjen në rang të dytë në të tjerë sektor të rëndësishëm të jetës si janë puna që ai kryen, e cila mund të mos jetë aq e “rëndësishme” sa ajo që kryen personi tjetër konkurrent, familjet dhe grupet shoqëror nga të cilët vijnë te dyja palët. Faktor me rëndësi është dhe karakteri i grave që qëndrojnë përballë tyre, ku në shumicën e rasteve janë të varura ndaj figurës kryesore te familjes si dhe me karakter të dobët dhe mungesë vetëvlerësimi .
Një arsye tjetër e shfaqjes së sjelljes së dhunshme është mos pasja mundësi e përmbushjes së detyrimeve familjare, sociale apo seksuale nga ana e mashkullit duke i krijuar atij një prishje te figurës. Në të tëra këto raste në varësi gjithmonë të karakterit individual kemi shfaqje të dukurive të dhunës fizike që vijnë për të plotësuar profecinë e figurës mashkullore që ata kanë në botëkuptimin e tyre .
Një grua duhet ta kuptojë se nga momenti që një mashkull e qëllon një herë është në gjendje të përsërisë veprimin.
Femrat “fajtore”
E rëndësishme është që gratë të cilat jetojnë në një ambient të tillë të kuptojnë se hapi i parë është largimi nga vendi ku i nënshtrohen këtyre reagimeve , ndonëse në këtë përpjekje për të braktisur bashkëshortin ato mund të ndeshen me një rritje të sulmeve dhe kërcënimeve, deri sa te gjendet një mënyrë ligjore ose mjekësore për t’i dhënë zgjidhje problemit. Shpesh meshkujt e justifikojnë dhunën: “të godas se nuk gjej rrugë tjetër komunikimi, njëqind herë t’i them gjërat e ti s’merr vesh” duke e lënë viktimën të ketë një vetëvlerësim minimal . Në këtë rast gruaja gjen gjithë gabimet te vetja duke e çliruar bashkëshortin nga çdo lloj faji. Në të dyja rastet kemi shkelje të personalitetit të saj dhe gjëja e parë që pritet është që të reagojë, por në rastin e dytë problemi bëhet më i vështirë pasi nuk gjen arsye reagimi nga momenti që fajëson veten. Sa më parë të kuptoj që s’është faji i saj aq më shpejt do të ndërgjegjësohet për rrënjët e vërteta të problemit.
Faj apo përgjegjësi?
Duke mos pasur mundësinë për t’u larguar detyrohen të përtypin shumë nga të metat e bashkëshortit qofshin këto të dhunës fizike apo dhe psikologjike ku rasti me flagrant është tradhtia bashkëshortore. E ndërsa do të priste dikush që këto të ishin probleme të shtresave të popullsisë që nuk kanë një zhvillim të lartë social-ekonomik i ndeshim në të gjitha llojet e shtresave sociale pasi janë vërtet të lidhura me ambientin, rrethanat dhe traditën e trashëguar- por në radhë të parë kanë të bëjnë me shëndetin psikik të secilit. Problemi kryesor në të tilla situata është se që të dy janë bashkëpunëtorë me ose pa dashje, si ai që e ushtron dhunën dhe ai që e pranon pushtetin e tjetrit. Nuk mund të quhen fajtore gratë për atë që pësojnë por janë përgjegjëse për ndërgjegjësimin mbi situatën. Mosreagimi do të sjellë rritjen në një mjedis të tillë të fëmijëve të tyre të cilët do të trashëgojnë të njëjtën fëmijëri me prindërit duke krijuar kështu një qark të mbyllur që ushqen vetveten . Ajo duhet të bindet se nuk është fajtore dhe se të kërkosh ndihmë nuk është turp . Ndihma mund të kërkohet në mjedisin e rrethit familjar, (gjë që është shpeshherë e vështirë pasi është një ambient që mund mos t’i japi rëndësinë e duhur situatës dhe në vend që ta ndihmojë për rrugëzgjidhje thjesht të mjaftohet me një ngushëllim : nuk je as e para , as e fundit), qoftë nga organizata të ndryshme që mund ti këshillojnë dhe mbështesin në marrjen e vendimeve të tyre.
Një shtëpi për të dhunuarën
Avokatja e Qendrës Nisma Ligjore e Qytetare ish Qendra Avokatore për Gratë zj. Besa Saraçi u shpreh se raste të grave të dhunuara që i janë afruar qendrës s’janë të pakta. Kjo tregon se kemi një ndërgjegjësim të gruas ndaj kësaj çështjeje, arrijnë të marrin vendimin për ndarje. Problemi qëndron në sallën e gjyqit. Dhuna e ushtruar ndaj tyre është faktori kryesor qe i shtyn të kërkojnë zgjidhjen e martesës, megjithatë nuk kërkojnë fajësi te përcaktuar. Gjyqi përfundon me marrëveshje mjafton që gratë të plotësojnë kërkesat kryesore: të fitojnë fëmijët dhe të marrin pensionin ekonomik për ushqim dhe mirërritje të fëmijës që ju takon. Pse s’kemi fajësi?” Mendojmë që janë disa arsye: së pari kemi arsyen ekonomike. Ato nuk mund të rendin nëpër gjyqe të pafundme – shpesh pyetja e parë qe bëjnë është: “sa do të zgjasë gjyqi dhe sa do të kushtojë”. Këtu mund t’i drejtohen shoqatës tonë e cila ofron ndihmë falas. Një arsye tjetër është mentaliteti i ruajtjes së figurës së saj në shoqëri. Në gjyq shpesh kemi problemin e mungesës së dëshmitarëve , të cilët do të ndihmonin të vërtetohej se është ushtruar dhunë mbi viktimën. Kjo vjen pasi mund të kenë dhe frikën e një hakmarrjeje nga pala e të akuzuarit. Në përgjithësi kemi një indiferencë të komunitetit ndaj këtyre çështjeve”.
Sipas avokates gratë nuk i përdorin të gjitha mjetet ligjore jo vetëm nga mosnjohja e tyre, por edhe sepse gjykata nuk jep dot një zbatim praktik te ligjit. Ne kodin familjar është sanksionuar: ”Bashkëshorti që dhunohet ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit qe ushtron dhune nga banesa bashkëshortore”.
Rastet kur gratë largohen nga banesa e përbashkët s’janë të pakta duke marrë dhe fëmijët me vete dhe shpesh nuk e dinë se me largimin e tyre pas një periudhe të caktuar- që aktualisht është gjashtë mujore-, humbasin të drejtën e pronësisë duke mbetur në rrugë. Gratë duhet ta kuptojnë se s’duhet të jenë ato dhe fëmijët, personat që largohen; duhet të kuptojnë forcën që kanë në familje dhe të bëjnë denoncimin si pranë organeve të rendit ashtu edhe në gjykatë, me vendimin e së cilës mund të fitojë të drejtën për të larguar bashkëshortin. Këtu lind një problem tjetër bashkëshorti i dëbuar ku do të shkoj?. Ngelet në rrugë duke u bërë kështu një rrezik për gjithë shoqërinë, duke pasur parasysh që është i dhunshëm.
“Duhet të ketë një strategji qeveritare për këto probleme dhe të krijohet një ligj i posaçëm për problemin e dhunës në familje , si dhe të krijohet Gjykata Familjare , e cila duhej të ishte ngritur kohë më parë”, thotë Saraçi.
Alo! Më Ndihmoni!
Nga 327 telefonata ë bëra nga muaji janar i këtij viti deri në muajin prill, në Qendrën e Këshillimit për Gratë dhe Vajza në Tiranë, 168 prej tyre tregojnë për abuzim fizik. Një numër i madh i telefonatave lidhet me shëndetin mendor dhe me prishjen e marrëdhënieve kur në themel të tyre ka qenë fenomeni dhunë. Duke shqyrtuar statistikat vihet re që numri më i madh i abuzimeve kryhet nga bashkëshorti. Dhuna në familje tregon për një mentalitet patriarkal në familje. Pjesa më e madhe e bashkëshortëve të dhunuar janë të papunë, me vese, si alkool, drogë, bixhoz, shkeljes së lidhjes bashkëshortore, xheloz, etj.
Denoncimet bëhen nga të gjithë grup moshat. Vlen të përmendet se një pjesë e konsiderueshme e telefonatave është kryer nga mosha 21-30 vjeç e 31-40vjeç. Kjo është rezultat i ndërgjegjësimit të tyre për fenomenin dhunë; tregon shkallën e pjekurisë dhe vetëvlerësimit më të lartë në krahasim me grup moshat e tjera; tregon shkallën e aftësisë së tyre për të mbajtur përgjegjësi mbi vete.
Përdhunimi
Një tjetër formë e dhunës fizike në familje janë përdhunimet. Përdhunim në rastin e një çifti quhet çdo marrëdhënie seksuale që kryhet pa dëshirën e të dy bashkëshortëve. Ka raste kur burri përdor mënyrën e nënshtrimit së femrës nëpërmjet seksit për të treguar forcën dhe zemërimin e tij dhe ndonëse viktima atë moment mund të mos ketë asnjë dëshirë që t’i nënshtrohet orekseve të bashkëshortit, nënshtrohet në emër të detyrimeve bashkëshortore.
“Po mirë mo xhan i nënës, edhe ndonjëherë më ka qëlluar burri, se kot nuk është burrë“. ”Mua të më qëllojë! Kurrë.E kisha ndarë në vend. Ndoshta më ka bërtitur, por jo ndonjë gjë me rëndësi”. ”Nëse ndahem nga burri nuk kam se ku të shkoj. T’i lë fëmijët pa baba?”
Kodi familjar: ”Bashkëshorti që dhunohet ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit qe ushtron dhune nga banesa bashkëshortore”.
Marre nga ARKIVI


Leave a Reply