Po heshtnim ne. Po heshtnin edhe ata.
Neve po na dridheshin buzët, zemrat… atyne s’po u lëviznin qerpikët.
Ata po gjykoheshin atje, ku i çuen votat e lakmitarëve për pushtet. N’heshtje po e prisnin “vdekjen” e tyne, o lirinë për të cilën kishin luftue dikur. Mijëra njerëz brohorisnin, mijëra flamuj tundeshin rreth e përqark atij burgu, që kurrë s’kishte qenë i yni.
Po e shikjoja edhe turmën para teatrit, të thurun me gardhë hekurash. Të gjithë po prisnin fjalën e fundit të nji gjykate që s’u desht ta votonim. Por ja që lakmia për pushtet, për disa, ishte ba ma e madhe se kujtesa, se lufta, se jeta e katër çlirimtarëve.
Kisha kohë me kujtue gjithçka, se heshtja dukej ma e madhe se Kosova.
Malsori… po, malsori dhe vdekja e tij m’u kujtue.
Poezia e Shkrelit m’u duk se po vijëzohej n’fytyrat e t’akuzuemve.
— Oh, mos ua rrëzoni lisat, mos ua shterroni krojet! — ofshana kur pashë bijtë e tyne me sytë e mjegulluem.
Sot, malsorçe, ua due edhe vajin edhe kangën!
Gjykatat janë si vdekjet: të akullta, të bardha, të shkurta. Por dhimbjet i kanë të gjata.
Mos ia prishni vdekjen malsorit, sikur ofshana, se ai vetëm njiherë vdes, por kurrë pushka s’i mbetet pa barut.
Dhe sikur vdiqëm të gjithë.
Sikur u shemb mbi ne qielli, kur u tha ajo fjalë e fundit.
Sa shumë kemi ecë e sa shumë kemi shkue mbrapa, thashë me vete, kur i pashë djemtë e vajzat tue hudhë gurë mbi policinë, e tue i thye xhamat e Qeverisë.
Ata që s’e përjetuen luftën, që s’e ditën kush luftoi e kush u mëshef mbas çufrrave; kush luftoi për liri e kush lirinë e përdori për hesapet e veta, vunë maska e t’shfrenuem marshuen, tue sha e tue bërtitë:
— Poshtë tradhëtarët!
Po kush ishin tradhëtarët? Kush?
A ka vdekje pa shkak?
Them se jo.
Atëherë, si u zhdukën nandëdhjetë shpirtna shqiptarësh?
A s’duhet ta dimë?
Ai, të cilit i besuem e s’i besuem shumëherë, Nasimi, që u rrit burgjeve, që luftoi si ata që u gjykuen, erdhi me flamurin mbështjellun rreth trupit e bërtiti:
— Ndaluni! Hiqni maskat! Neve s’na duhen fytyrat e maskueme. Mos u mashtroni prej matrapazëve që kërkojnë mjegull. Policia s’ka faj. As godina e Qeverisë. Faji asht te pushtetarët, te ata që s’menduen kur i ngritën gishtat. Me partitë kemi punë!
Masa u qetësue.
E ai prapë thirri:
— Ata kanë me ardhë! E ne kemi me ua puthë sytë e lirisë, me ua puthë tytat e pushkëve, prej kah dolën plumbat e bardhë të lirisë.
Të tillë na duhen, thashë.
Mendje që mendojnë ftohtë. Që shohin larg. Që nuk mendojnë me bark. Që nuk i dorëzohen zemrës së plasun. Nasimi mbramë ishte heroi im!
Mora lapsin e shkrova:
Nji ditë gurrat kanë me gurgullue mall, dashni e lot gëzimi, po edhe ofshamë nanash e baballarësh që ikën të shkrumuem, pa i pa djemtë e tyne tue u kthye n’votrat me prush lirie.
Shkrova:
– Nji ditë kemi me i veshë degët me flamuj, e gjethet kemi me i shkrue me shkronjat e arta: UÇK.
Nji ditë, kur t’na pastrohen zemrat e ndërgjegjet, kur të shfajësohemi prej gjynaheve, lahutat s’kanë me vajtue. Kangë malsorësh kanë me jehue n’bjeshkët tona.
Atëherë…
Ti bani gati katër plisa për katër koka të zbardhuna, kur të kthehen.
Katër sofra me krypë, bukë e zemra.
E ujë Rugove, Sharri, Boletini e Drini, që t’ua shuajmë etjen përgjithmonë atyne që mbetën n’gjykatën e huej, me fajin tonë.
Nëse ndonji nanë ka me derdhë lot, mos ia fshini.
Leni t’i pikojë mbi sofrën e zemrës së birit të vet, që t’i shuhet malli përgjithmonë.
17.09.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply