Meri Lalaj
Unë nuk jam takuar ndonjëherë me Drita Çomon, kam parë vetëm fotografitë e saj bardhë e zi, por më duket sikur e kam njohur nga afër sepse kam lexuar librin e saj “Dritë që vjen nga humnera”.
Ndoshta brezat që do të vijnë nuk do të mund ta rrokin mirëfilli kuptimin e asaj që ka ndodhur tek ne, sepse në diktaturë mund të vuaje e dënuar pa bërë asnjë lloj krimi, por thjesht për faje të prindërve a faje të sajuara, sepse tmerri i diktaturave gjithnjë më përngjason me shpërthimet bërthamore, të cilët duke marrë përmasa të pashtershme djegin e përcëllojnë të gjithë ata që ndodhen pranë dhe plagët e hapura ende nuk janë mbyllur.
Fati i Dritës ka qenë shumë tronditës, ajo thuajse foshnjë u përball me diktaturën e egër të përbindshme komuniste, ndërsa kur ishte vetëm tetëmbëdhjetëvjeçare përballet me një përbindësh tjetër të tmerrshëm: kancerin.
Drita Çomo ka lënë të shkruar një ditar e në të përshkruhen me hollësi e në mënyrë artistike skutat më të errëta ku e ka përplasur fati për të jetuar: vendi i internimit, spitali ku mjekohej, udhëtimet e pakta me tren nëpër mesin e Shqipërisë, Elbasan, Tiranë, Cërrik dhe teksa e lexojmë, cilido mund të gjejë copëza nga jeta e vet nën vuajtjen e përgjithshme të asaj kohe pa kohë që e mbajti këtë vend gati gjysmë shekulli. Një libër i rrallë për ne të gjithë, një libër që kumton zëplotë: Këto nuk duhen harruar!
Libri-ditar i saj na trondit fort me të vërtetat që mbart, aty shpaloset krejt jeta e vajzës së re që guxon të ëndërrojë, ajo shprehet pa asnjë lloj mllefi pa urrejtje ndaj padrejtësive që i bëhen, por nga ana tjetër duke marrë mbi vete një përgjegjësi shumë të madhe, përgjegjësinë për të thënë të vërtetën. Ajo vuan si fizikisht dhe shpirtërisht por duron, nuk pendohet për asgjë tepër krenare dhe e vetëdijshme nuk mund të përkulet. Librin e shkroi për vete si për një mik tek i cili kishte nevojë të rrëfehej, e shkroi duke e ditur se edhe mund t`ia zhduknin siç i pat ndodhur me dy ditarë të tjerë dhe për fat të mirë këtë ditar tok me poezitë e shkruara nëpër fletore i ruajti me shumë dashuri e kujdes nëna e vet.
Në libër Valbona e pyet Dritën: “Po në ç`altar dhe për hir të kujt do të sakrifikohemi?” në ditarin e saj më 8.2.1977 ajo shkruan: “E dua shumë jetën, kaq shumë, kaq shumë deri në dhimbje të shpirtit. Dua të jetoj me gjithë fuqitë e mia, dua të jetoj.” Më tej Drita e përkushtuar ndaj artit të vet, mike e poezisë shkruan: “Poezia … Nuk do të mund ta kuptoja jetën pa poezinë. Do të ishte tepër e rëndë, e tmerrshme.” Ndërsa në njërën nga poezitë na thotë: “Ata që do vinë të mos pyesin / përse jetuam: / jetuam, që ata të mos jetojnë si ne / që ata ta duan diellin dhe njëri tjetrin.”
Ajo ka besim tek jeta, tek e ardhmja, tek dashuria ndërmjet njerëzve, ky është filli i rëndësishëm që e bën librin e Drita Çomos një mesazh të veçantë, një zë kumbues për brezin e ri, për të gjithë ata që kanë humbur shpresat, që ndodhen përballë rrezikut duket sikur na thotë se gjithnjë ka një rrugëdalje vetëm duhet të përpiqesh duhet të dish sesi të luftosh.
Kumti kryesor që përftojmë nga jeta e shkurtër dhe libri i Dritës është të jesh njeri, të bëhesh njeri, siç do të shkruante Kipling: “Edhe të mbahesh kur nuk ke se ku të mbahesh, / Përveç vullnetit që të thotë: “Mbahu fort!”
Shkrova pak më lart se nuk e kam takuar Dritën, por unë e kam njohur nga sa më ka rrëfyer për të tregimtari nga Cërriku, Nazmi Seitaj. Sipas fjalëve të tij, ajo ishte një vajzë shumë e bukur, e brishtë, me sy të qeshur, me një mençuri të rrallë, shumë e dashur me bashkëmoshatarët dhe duke qenë e shkëlqyer në mësime, sidomos në matematikë, e aktivizonin nëpër konkurset e ndryshme ndërmjet shkollave të mesme, kjo gjë e gëzonte së tepërmi se nuk ndihej e përjashtuar, ndihej e barabartë me të tjerët. Kur u shtrua për herë të parë në spital, meqë askush nuk e njihte se bijë e kujt ishte, rreth saj u mblodhën mjekë e infermiere dhe të sëmurë, veç kur në veshin e dikujt u pëshpërit: “Është e bija e Liri Belishovës!” të gjithë u shpërndanë me ngut si të kishte rënë rrufeja. Kur e ndalnin djemtë për t`i shfaqur dashurinë, adhurimin për të, ajo menjëherë tregonte pengesën politike, por kishte nga ata kokëfortë që nuk donin ta përfillnin rrezikun e të qënit “e deklasuar” dhe natyrisht me ta merrej Sigurimi i Shtetit. E kam njohur Dritën duke vështruar sytë e kaltër e të kthjellët të aktores sonë të mrekullueshme, Rajmonda Bulku, shoqe klase e saj. Kam biseduar me të dhe më ka treguar se Drita dinte mijëra vargje përmendësh dhe dëshira e saj ishte të shkruante, vetëm të shkruante. Ajo ishte natyrë shumë e përmbajtur me një forcë të madhe shpirtërore dhe me shumë kurajo, dinte të mos e bënte veten se e kish të ndaluar të donte të tjerët dhe të tjerët ta donin atë. Ditën kur po varrosej Drita, pas qerres mortore ecnin vetëm e ëma, i vëllai ndoshta dhe një person tjetër, por gjithë Cërriku ndiqte sypërlotur atë përcjellje të fundme prapa qelqeve të dritareve pa guxuar t`i thonte një lamtumirë, pa i hedhur një lule a një grusht dhé përmbi varr.
Para mëse tridhjetë vitesh, kur jetoja në minierën e Manzës jam njohur me Pullumbin, dajën e Dritës, asokohe nuk e dija të plotë tragjedinë e familjes Belishova. Pastaj, gati dhjetë vite më parë, në Shtëpinë Botuese “Onufri”, në prag të botimit të librit të Dritës u njoha me prindërit e saj, vijova t`ia njoh shoqet të afërmit edhe nga shënimet tek libri “Dritë që vjen nga humnera” kuptojmë se në çfarë mjedisi intelektual është mbrujtur kjo vajzë.
Në vitin 2000, pasi e pata lexuar librin e Dritës, u ndodha në Amsterdam, atje pashë ndërtesën ku kishte banuar gjatë luftës dhe kishte shkruar ditarin e saj Anna Franku dhe m`u duk sikur po i shihja të dyja vajzat tek vraponin të lumtura përmidis turmës me njerëz, sepse ato kishin dhënë diçka nga shpirti i tyre për të jetuar ndryshe të tjerët.
Shkrimtari ynë Ismail Kadare në parathënien për ditarin dhe poezitë e saj duke bërë një përqasje midis librit të Dritës dhe librit “Pavijoni i kancerozëve” të Solzhenicinit shkruan se “ai (Solzhenicini) e shkroi gati dhjetë vjet pas vdekjes së Stalinit, kurse vajza njëzetvjeçare nga Shqipëria, e krijoi atë në vitet 1977-1981, kur diktatori ishte në kulmin e zymtimit të tij.”
Ka njerëz që shkruajnë dhjetëra libra dhe asgjë nuk u mbetet sepse nuk kanë talent “që është dhuratë Perëndie”, ndërsa Drita la pas vetes vetëm një libër-ditar dhe poezitë e saj që lexohen e sërish lexohen sepse kanë brenda tyre magjinë e fjalës shqipe.
Drita iku nga jeta vetëm katër javë para se të mbushte 23 vjeç, por në yllësinë e letrave shqipe ajo ka zënë vendin e vet si një vajzë e vërtetë shqiptare duke na sjellë me artin e fjalës atë kohë të skëterrshme, që nuk do të përsëritet kurrë më për popullin tonë.
ARKIVI


Leave a Reply