![]()
SALI BERISHA
Jam shumë i lumtur që kremtoj së bashku me ju 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, ditën tuaj, që është edhe ditëlindja e lirive dhe dinjitetit, të drejtave të mia njerëzore, si dhe të mbarë shqiptarëve. Ju, të dashur të reja dhe të rinj, jeni këtu bashkëmoshatarë me lirinë, por moshatarë me ju janë sot liritë individuale dhe dinjiteti njerëzor i të gjithë shqiptarëve, që hynë në dimrin e viteve ’90 si qytetarët më të shtypur, më të varfër, më të mjerë, më të izoluar, më të dëshpëruar të globit. Ata të gjithë festojnë me ju këtë ditë, si ditëlindjen e tyre të dytë.
Gëzuar festën tuaj, festën e lirisë së shqiptarëve!
Më 8 dhjetor të vitit 1990, studentët e Universitetit të Tiranës, me në krye tribunin e lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarin, u përballën në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit me diktaturën më të egër në Evropë, me regjimin e bllokmenëve hoxhistë, që për 45 vjet me radhë persekutoi, burgosi, ekzekutoi me gjyqe apo pa gjyqe, iu mori jetën me sëmundje në burgje, kampe përqendrimi apo kooperativat e skllavërisë socialiste qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë.
Më 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë dhe prijësi i tyre legjendar, Azem Hajdari, gjunjëzuan regjimin e bllokmenëve primitivë që iu ndalonte shqiptarëve me ligj dhe Kushtetutë besimin tek Zoti, tek Krishti, tek Muhameti, iu ndaloi pronën, lëvizjen e lirë, regjimin që edhe pas rënies së Perdes së Hekurt vari disidentë në sheshet e qyteteve tona dhe që vetëm në vitin 1990 ekzekutoi në kufijtë e rrethuar me tela me gjemba të Shqipërisë 97 bashkëmoshatarët tuaj, për fajin e vetëm se ata donin të lëviznin të lirë dhe me një akt makabër zvarriti në rrugët e Sarandës dhe Shkodrës, trupat e njomë, të pajetë të tyre, për të terrorizuar të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë.
Azem, ti je gjallë!
Nga data 8 dhjetor e vitit 1990 dhe në vazhdim, energjitë tuaja rinore të pashtershme, entuziazmi juaj i pakufishëm dhe vizioni juaj evropian, guximi qytetar i të rinjve, do të shndërroheshin në uraganin e lirisë që do të përmbyste më 22 mars të vitit 1992 diktaturën hoxhiste, do të ndante epokat dhe historinë e shqiptarëve.
Nder përjetë studentëve të dhjetorit, studentëve liberatorë!
Më 28 nëntor të vitit 2012, kombi që 100 vjet më parë parashikohej të fshihej nga faqja e dheut, nga trojet e tij mijëravjeçare, shqiptarët e shqiptaret në trojet e tyre dhe kudo në botë përjetuan, gëzuan dhe kremtuan festën e të gjitha festave të 100 viteve të fundit. Ata nga thellësitë e shpirtit derdhën në vatrat e tyre familjare, në rrugët e sheshet e qyteteve, fshatrave të tyre, shkollave, lokaleve gëzimin, harenë, ngrohtësinë, respektin, dashurinë më të madhe për njëri-tjetrin, për baballarët, për gjyshërit e tyre, për fëmijët, për flamurin e Skënderbeut, për tokën e tyre, për Skënderbeun. Por, më 28 nëntor dhe çdo ditë të vitit të 100 të Pavarësisë së Shqipërisë të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë, të moshuarit, të gjithë shqiptarët kudo që janë sot të lirë u ndjenë, mbi të gjitha, më krenarë se kurrë ndonjëherë më parë me trimërinë, guximin, heroizmin, sakrificën, atdhetarizmin, flamurin, fitoret e tyre. Nga thellësitë e shpirtit të tyre mijëravjeçar, nga çdo por i qenies së tyre fisnike jehoi më fuqishëm se kurrë kushtrimi – “Krenar me qenë shqiptarë!”.
Krenarë me qenë shqiptarë, por shumë më krenarë me qenë e re dhe i ri shqiptar, sepse në një kohë kur kombi dergjej, lëngonte nën diktaturën më të egër të Hitlerit të pas luftës, në një kohë vendi ishte ngujuar në bunkerin e vetëharresës dhe kur bota po harronte emrin e tij, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi u ngritën me kurajo mbinjerëzore dhe në një betejë si ajo e Davidit me Golian, shkallmuan dyert e mbyllura për lirinë e shqiptarëve, na rikthyen ne lirinë dhe dinjitetin e munguar, bënë të lirë shqiptarët në Shqipëri.
Zoti i bekoftë ata, ju dhe rininë shqiptare!
Krenar me qenë shqiptarë dhe më krenar me qenë i ri shqiptar. Ju vërtet sot nuk jeni të rinjtë e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, ndërkohë që në dhjetorin e vitit ’90 ju shpallët për moto “Shqipëria si Evropa”, por në 20 vite ju, të rinjtë e Shqipërisë, nxorët vendin tuaj nga bunkeri hoxhist, nga vendi më i izoluar i botës dhe e bëtë atë vend anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendin e qytetarëve që lëvizin të lirë pa viza në mbarë Evropën.
Sot, pas 22 vitesh, bijtë e etërve që ngujuan Shqipërinë në izolimin më të errët në tërë historinë e saj, përdorin votën e tyre në Parlament, pushtetin që u kanë dhënë qytetarët që ju bënë të lirë, për të bllokuar projektin tuaj evropian. Neobllokmenët e rinj duan të hakmerren ndaj jush, për ‘Vaterlonë’ që ju u rezervuat etërve të tyre në dhjetorin e vitit 1990.
Unë jam i bindur se ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, po prisni me padurim që më 23 qershor të vitit që vjen të rrëzoni me votën tuaj të lirë murin e bllokimit të ëndrrës tuaj evropiane që kanë ngritur pinjollët e bllokmenëve hoxhistë.
Të humbur kanë qenë gjithmonë ata që janë përballur me ju.
Ne do të fitojmë!
Krenarë me qenë shqiptarë dhe më krenarë me qenë i ri shqiptar, sepse vërtet ju sot nuk keni nivelet më të larta të shkollimit, të shoqërisë dixhitale dhe të punësimit siç meritoni, por ju sot keni ritmet më të larta në Europë të shkollimit. Sot, 92% e të rinjve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare dhe 72% e maturantëve tanë ndjekin përkatësisht shkollat e mesme dhe universitetet e vendit. Ne duam votën tuaj për të kapur së bashku, në mandatin e ardhshëm, cilësitë më të larta të shkollimit, për t’u bërë ju arkitektët e vërtetë të së ardhmes së shkëlqyer tuaj, të shqiptarëve, të fëmijëve tuaj, të brezave që vijnë.
Krenar me qenë shqiptar, më krenar me qenë e re ose i ri shqiptar. Unë e di se sot ju ende nuk keni nivelet më të larta të shoqërisë dixhitale, të cilat mendja juaj reaktive, imagjinata juaj e pakufishme po i pret me padurim, por ju, përsëri, keni ndër ritmet më të larta në botë të rritjes së Shqipërisë dixhitale. Vetë gjashtë vjet më parë përdorimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8%, kurse sot ai është 13 herë më i lartë. Sot ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë, komunikoni në Facebook më shumë se të rinjtë e shumë e shumë vendeve të zhvilluara. E kam për nder, e kam për kënaqësi të jem në Facebook që sot, që Ditën e Rinisë, si një mik i çdonjërit prej jush. Ju ftoj të bashkoheni me mua, të komunikojmë lirisht. Ne e duam votën tuaj, votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, për të ngjitur së bashku Shqipërinë në majat më të larta të shoqërisë dixhitale.
Sot është krenari me qenë shqiptar, por dhe më krenari me qenë i ri dhe e re shqiptare, sepse ju sot ende nuk jeni të rinjtë e një vendi të pasur, apo një vendi të zhvilluar, por në një hark kohor të shkurtër prej dy dekadash mundi, djersa, energjia, mençuria, vizioni juaj, Shqipërinë e rrezuar përdhe, që përpëlitej e dergjej në varfëri ekstreme, e ngritët në këmbë dhe me shpejtësi po e ngjisni atë, po e çoni të sigurtë në zenitin e zhvillimit. Shqipëria është zhvilluar dhe rritur këto 20 vite më shpejt se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë. Ajo me padurim pret votën tuaj si eliksirin e saj më 23 qershor, për t’i dhënë mandatin që ta shndërrojë atë në vend të zhvilluar, në Shqipërinë evropiane. Unë e di, gjithashtu, se sot jo të paktë janë të rinjtë dhe të rejat e papunë, por të gjithë e dinë se në këtë kohë krize më të thellë që Europa ka njohur, Shqipëria është i vetmi vend që ka dyfishuar eksportet, trefishuar investimet dhe jo vetëm nuk ka pasur rritje, por ka pasur ulje të papunësisë. Unë ju jap fjalën ju se do të bëj gjithçka që votën tuaj të 23 qershorit ta shndërroj në mirësi, në vende pune, në punësim për ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë.
Krenar me qenë shqiptar dhe shumë më krenar i ri shqiptar, sepse për 100 vite me radhë ju ishit guximi, trimëria, heroizmi, shpirti i pamposhtur i kombit shqiptar. Për shqiptarët rinia dhe liria janë një binom përjetësisht i pandarë. Betejat tuaja për liri dhe dinjitet njerëzor janë legjenda e vërtetë e trimërisë, sakrificës, atdhedashurisë. Ishit ju, ishin të rinjtë e kombit shqiptar që 100 vjet më parë u përballën me aleanca barbare që u vërsulën të tërbuara mbi trojet etnike shqiptare për copëtimin e tyre, shuarjen nga harta të kombit tonë të lashtë. Ishin luftërat, kryengritjet e mëdha të të rinjve shqiptarë të të gjitha trojet etnike, të fillimit të shekullit të shkuar, që tronditën Evropën dhe botën, si dhe bënë të mundur shpalljen në Vlorë të pavarësisë së Shqipërisë. Dhe më pas, pas pushtimit të ri të vendit, do të ishin djemtë dhe vajzat shqiptare që do t’i kthenin ditën e parë pushkën okupatorit dhe në vitet në vazhdim do të krijonin në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo që ishin njësitë e luftëtarëve të lirisë dhe me një rezistencë të pamposhtur, beteja heroike, me gjakun, jetën, rininë e tyre do ta rreshtonin kombin në anën e fitimtarëve, do të dilnin fitimtarë nga një luftë mizore.
Sot, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë 22 vjetor – ditëlindje të lirive tona, është krenari me qenë shqiptar, por më shumë krenari me qenë i ri dhe e re shqiptar, sepse jeni ju, vajzat dhe djemtë e kombit që vetëm 14 vjet më parë, sërish si luftëtarë lirie, u mblodhët nga të katër anët e botës shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora, emigracioni, Evropa, Amerika e kudo që ishit dhe u përballët në qytetet, fshatrat, në fushat dhe malet e Kosovës dhe trojeve të tjera etnike shqiptare me pushtuesit e shekullit, zhvilluat luftën e fundit çlirimtare të Europës, luftuat dhe fituat kundër një armiku të egër, shumë e shumë herë më të fuqishëm. Mijëra të reja dhe të rinj ranë në fushëbeteja për të fituar pavdekshmërinë, por ata me sakrificën e tyre sublime i rikthyen kombit lirinë kombëtare, e cila për një shekull ishte grabitur nga pushtuesit.
Sot, është krenari me qenë shqiptar, por më krenari se kurrë me qenë i ri shqiptar, sepse ju, të rejat dhe të rinjtë e këtij kombi, këto 100 vite ishit dhe jeni më shumë se çdo gjë tjetër misionarë të lirisë shqiptare, misionarë të lirisë së kombit shqiptar. Shqiptarët sot janë të lirë dhe ata lirinë e tyre ua dedikojnë vetëmohimit, sakrificës, flijimit, martirizimit të vajzave dhe djemve të kombit tonë. Por, përsëri shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete. Unë, siç kam besim tek Zoti, kam besim se do të jeni ju, të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, që nuk do të pranoni kurrë të mbeten të shuara ëndrrat e dhjetëra mijëra bashkëmoshatarëve tuaj që flijuan jetën dhe rininë e tyre për ëndrrën më të bukur, idealin më të shenjtë të shqiptarëve, atë të bashkimit kombëtar. Ne vërtet sot jetojmë në pesë shtete, por ne jemi një komb i vetëm, me një gjuhë, me një histori, me një kulturë, me një gjen, me një gjak, me një prijës të pamposhtur – Skënderbeun, me një flamur. Ne jemi një komb i vetëm që nuk na ndan dot asgjë në botë, përveç kufijve të vendosur me zjarr, me hekura dhe traktate të padrejta mbi trupin e kombit dhe trojeve tona, kufij të cilët copëtuan në pesë pjesë trupin dhe trojet shqiptare që dergjeshin pas shekujsh robërie.
Unë jam këtu sot më besimplotë se kurrë tek të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, se ju nën moton “Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën” do të shëroni plagët që rrjedhin prej një shekulli në trupin e kombit tonë, do të bëni të parëndësishëm kufijtë që e copëtuan atë, do të bëni të vërtetë ëndrrën e bashkimit kombëtar.
Ju ftoj të gjithëve ju të vazhdojmë betejën tonë të lirisë. Më 23 qershor të votojmë për liritë, të votojmë për dinjitetin, të votojmë për mirëqenien, të votojmë për ëndrrën tonë kombëtare, Shqipërinë evropiane, shqiptarët të bashkuar.
Rilindja demokratike
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply