Për të lëvizur nga një fshat në tjetrin, nga Gjaza në Lushnjë apo në Ngurrëz, Sokol Mirakajt i duhej leja e operativit të zonës.
Në secilën fletë përcaktohej destinacioni, arsyeja e udhëtimit, ora e nisjes dhe ajo e kthimit. Edhe për një vizitë te nefrologu duhej autorizim:
“Leja fillon në orën 7:30 dhe mbaron në orën 15:00. Me të mbërritur në Lushnjë, të paraqitet në Degën e Punëve të Brendshme.”
Dokumentet dëshmojnë një kontroll që arrinte deri te lëvizjet më të zakonshme: dy orë në Lushnjë për nevoja personale, pak orë për të vizituar të afërmit, një ditë e përcaktuar deri në minutë për të shkuar te mjeku. Çdo dalje kishte një kufi dhe çdo kthim një afat.
Sokoli tregon se i ruajti këto fletë-leje në fshehtësi. Po t’ia gjenin, pasojat mund të ishin të rënda. Në dokumentet e regjimit, edhe shënimi i vargjeve të një poezie apo mbajtja e konspekteve të romaneve mund të interpretohej si “provë” kundër të internuarit dhe të përdorej për zgjatjen e masës së internimit.
Sot kjo mund të duket absurde, madje e pabesueshme. Por ishte e vërteta e një sistemi që nuk mjaftohej të përcaktonte vendin ku duhej të jetoje. Ai kërkonte të kontrollonte çdo hap, çdo orë, çdo fjalë të shkruar dhe çdo mendim.
Këto copa të vogla letre, të ruajtura me rrezik për dekada, sot janë dëshmi të mëdha të një jete nën kontroll. /m.d/
📍 Më 24 gusht, bashkohuni me AIDSSH, Bashkinë Lushnjë dhe Shoqatat e ish-të përndjekurëve Politikë me Turin Shenjues Përkujtimor “Peizazhe të Internimit”, për t’i njohur këto histori në vendet ku ato kanë ndodhur


Burimi/Facebook/Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991B


Leave a Reply