Halil RAMA
Sot, në Qytetin “Studenti” do të përurohet monumenti i Azem Hajdarit, këtij tribuni që hapi për shqiptarët dyert e lirisë dhe dinjitetit. Heroi i Demokracisë dhe pluralizmit u përzgjodh mes personaliteve më të shquara të historisë sonë kombëtare për t’u përjetësuar në përmendore, në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe jo pa qëllim, përurimi i kësaj përmendoreje bëhet sot, më 8 dhjetor. Para 22 viteve, në kryeqytetin e Shqipërisë, e pikërisht në Qytetin “Studenti”, studentët e Universitetit të Tiranës ngritën krye për herë të parë në historinë 46-vjeçare të diktaturës së egër komuniste. Në këtë datë të vitit 1990, studentët do të ngriheshin nën udhëheqjen e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdari ku vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundra regjimit fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente dhe për kushtet e vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Kjo ka qenë edhe pikënisja e rrëzimit të regjimit të bunkerit, burgjeve, kampeve të përqendrimit, terrorit shtetëror etj.
Për 11 vite në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama pengoi përjetësimin e Azemit në sheshin nga ku nisi rrugën liria. I prirë nga ligësia dhe dritëshkurtësia, kreu i PS nuk donte dhe nuk do kurrsesi lartësimin dhe përjetësimin e emrit të tribunit që i priu urganit mbarëpopullor drejt shembjes së idhujve të tij.
Me iniciativën dhe nën përkujdesjen e veçantë të kryebashkiakut demokrat, Lulzim Basha, pas 22 vitesh, Azemi rikthehet pikërisht në sheshin ku i priu uraganit kundër skëterrës komuniste, i derdhur në bronz, në një shtatore 3 metra të lartë, vepër e skulptorit Muntaz Dhrami.
Para 22 viteve, Azem Hajdari ishte vendosur në krye të studentëve. Në mënyrë që numri i studentëve të rritej duke marrë përmasat e një lëvizjeje të gjerë studentore fillimisht duhej vrarë frika. Dhe askush më mirë se Azemi nuk mund ta bënte këtë më 8 dhjetor. Kërkohej një prezantim përpara studentëve, në mënyrë që ata të dinin se kush ishte prijësi i tyre. Prijësi nuk mund të ishte anonim. Azemi e kishte kuptuar këtë dhe doli para atyre studentëve të mbledhur, duke iu drejtuar me fjalët: “Unë jam Azem Hajdari prej Tropoje. Studioj Juridik, babë i dy kalamajve. Me ba vaki edhe me më vra mu sonte ata qenat, unë për vete shkoj pa merak, sepse e kam një djalë që mbas 10 vjetësh bahet burrë”. Ky nuk ishte thjesht një prezantim si ata që bëheshin rëndom në orët e mësimit. Ky ishte një betim publik i Azem Hajdarit. Ai i dha kurajo dhe nxitje akoma më të madhe studentëve. Mesazhi i Azemit ishte i qartë. Nuk i trembej vdekjes përpara qëllimit që i kishte vënë vetes. Dhjetëra dhe më pas qindra e mijëra studentë e rrethuan Azemin. Shkuan në godinat e tjera për të rritur numrin e studentëve për të nisur betejën e madhe kundër diktaturës më mizore, jo vetëm të kontinentit.
Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se, do të vritej njeriu me xhupin e zi. Që nga ajo kohë deri më 22 mars 1992, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale. Mjafton të kujtojmë vetëm faktin që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ’92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek Rruga e “Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas pesë atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.
Duke iu referuar politologëve shqiptarë, Dr. Bujar Leskaj shprehet se, “Azemi është një fenomen i pashoq i politikës shqiptare në tërësi. Askush nuk e ka studiuar ende këtë fenomen (të paimitueshëm) në raport me armiqtë e vet politikë: regjimin komunist dhe mbeturinat e këtij regjimi”.
Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit shqiptar, rinia studentore e nisi 22 vjet më parë nga ai vend që sot quhet Sheshi “Demokracia”, në krye të së cilës ishte tribuni Azem Hajdari, i përjetësuar tashmë në një monument madhështor.
Sot, pas 22 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga lideri i demokracisë, “Nderi i Kombit”, Azem Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa.
8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarët si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.
Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, një prej figurave të nderuara të kombit shqiptar, është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Pishtari i Demokracisë” (1993); me Urdhrin “Nderi i Kombit” (2002); me Urdhrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” (10 shtator 2008). Ndërsa në vitin 2003, Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e dekoroi me “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Azemit i është dhënë titulli i lartë “Qytetar Nderi” nga 47 bashki e komuna të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Tropojë, etj. Monumenti i Azemit-hero vendoset sot në Tiranën e tij të dashur.
Po vjen Azem Hajdari!… Me këtë titull, miku im R.Lushaj ka shkruar një libër që ia kushton tribunit të nacionalizmit shqiptar. Por në fakt ai rikthet sot aty ku 22 vite më parë u priu studentëve në një lëvizje që do të merrte përmasa mbarëkombëtare për shembjen e një prej diktaturave më të egra që kishte njohur historia e njerëzimit.
Dhjetë ditë pas manifestimit madhështor të qindra mijëra shqiptarëve për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, rikthehet kështu një tjetër meteor në panteonin e lirisë së tyre. Azem Hajdari vjen sot me ëndrrën e tij të realizuar, Shqipërinë anëtare të denjë në NATO dhe bashkimin e shqiptarëve në BE.
Rilindja Demokratike
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply