Kam përpara syve një fotografi të vitit 1974 dhe dy sy pak të fryrë.
Janë sytë e mi.
Isha njëzet vjeçe, me një fustan me lule të qepur nga nëna ime dhe me këpucë të bardha, që mi kishin bërë këmbët copë.
Pranë meje është Mario, njëzet e tre vjeç, me këmishë me mëngë të shkurtra dhe flokë shumë të gjatë, siç ishte moda atëherë.
Jemi përpara një autobusi, në stacionin e Genovas, dhe buzëqeshim.
Pesë minuta më parë doja të kthehesha në shtëpi pa të.
Ishim njohur dy vjet më parë, në një festë miqsh.
Mario punonte në një punishte riparimi për pajisje shtëpiake dhe unë rrija pas banakut në një rrobaqepësi.
Pa makinë dhe me pak para.
Të dielave shëtisnim në shëtitoren e rrugës Italia, merrnim një akullore, nëse mund ta përballonim dhe uleshim të flisnim, se çfarë do të bënim pasi të martoheshim.
Mario ëndërronte të hapte një biznes të tijin.
Unë doja të vazhdoja të punoja dhe të kisha një shtëpizë, edhe me qira.
Flisnim për mobilie, për fëmijë dhe për udhëtime sikur gjithçka të ishte e thjeshtë.
Ishim të rinj dhe nuk dinim ende se sa mund të ndërlikoheshin gjërat.
Atë të diel duhej të shkonim të vizitonim një hallë të Marios që banonte në Chiavari.
E prisja atë shëtitje prej ditësh.
Kisha përgatitur disa sanduiçe dhe kisha veshur fustanin e ri.
Por Mario mbërriti me vonesë në stacion, sepse i ishte dashur të ndihmonte vëllanë e tij me një defekt.
U zemërova.
Nuk ishte hera e parë që ndërronte planet tona për çështje familjare.
Nëna e tij e thërriste për çdo riparim dhe ai vraponte gjithmonë.
Fillova të ndjeja se, po u martuam, jeta jonë do të varej nga ajo ,se për çfarë kishin nevojë të tjerët.
Teksa prisnim autobusin, i thashë se isha lodhur, që vjen gjithmonë i fundit.
M’u përgjigj se po e teproja dhe se vëllai i tij kishte vërtet nevojë për ndihmë.
U grindëm përpara disa njerëzve.
U turpërova aq shumë, sa mora çantën dhe i thashë, se po kthehesha në shtëpi.
Ai nuk u përpoq të më mbante, as nuk e ngriti zërin.
Qëndroi pranë autobusit ndërsa unë u nisa drejt stacionit të kthimit.
Pas pak minutash erdhi të më kërkonte.
Mendova se donte të më përsëriste, se po e teproja, por në vend të kësaj u ul pranë meje dhe ndenji një copë herë në heshtje.
Pastaj më kërkoi falje që ishte vonuar pa lajmëruar.
Më shpjegoi se e kishte të vështirë t’u thoshte jo familjes së tij, sepse që i vogël kishte ndjerë, se duhej të jepte një dorë në shtëpi.
Babai i tij kishte qenë i sëmurë për vite dhe ai, që djalë, kishte marrë shumë përgjegjësi mbi vete.
Njihja një pjesë të asaj historie, por nuk kishim folur kurrë, se si mund të ndikonte në të ardhmen tonë.
I thashë se nuk doja ta largoja nga familja e tij.
Kisha thjesht nevojë të dija se, pasi të martoheshim, edhe vendimet tona do të kishin rëndësi.
Atëherë Mario më tha një gjë shumë të thjeshtë:
«Dua të ndërtoj një familje me ty, por duhet ende të mësoj të jem shoku yt i jetës, dhe jo vetëm djali gjithmonë i gatshëm.»
I mbaj mend ato fjalë, sepse nuk më premtoi, se nuk do të grindeshim më kurrë.
As nuk u përpoq të më bindte, se gjithçka do të shkonte në mënyrë të përkryer.
Pranoi se kishte gjëra për të ndryshuar dhe më pyeti nëse isha e gatshme të flisja me të për to.
U kthyem së bashku në stacion.
Autobusi nuk ishte nisur ende.
Një i njohur i Marios që kishte me vete një aparat fotografik na pa duke pritur dhe na e bëri atë foto.
Ja pse, kur e shikoj, mbaj mend gjithmonë, se çfarë kishte ndodhur më parë.
U martuam dy vjet më vonë.
Morëm me qira një apartament të vogël dhe mobiliet i blemë pak e nga pak.
Mario vazhdoi të ndihmonte vëllezërit e tij dhe unë vazhdova të punoja.
Patëm grindje, sigurisht.
Ndonjëherë ai merrte sërish shumë angazhime përsipër dhe unë zemërohesha pa shpjeguar mirë, se për çfarë kisha nevojë.
Pati edhe periudha shumë më të vështira, se ajo pasdite.
Kur lindi fëmija ynë i dytë, Mario humbi punën dhe për disa muaj jetuam me atë që fitoja unë. Më vonë u sëmur nëna ime dhe isha unë ajo, që duhej t’i kushtoja pjesën më të madhe të kohës familjes.
Atëherë kuptova më mirë disa nga shqetësimet, që ai kishte pasur kur ishte i ri.
Nuk ishim një martesë perfekte. Kishte ditë kur i thonim njëri-tjetrit gjëra të rënda dhe të tjera, kur mezi e duronim njëri-tjetrin.
Por mësuam të kërkonim falje dhe të flisnim para se një grindje e vogël të kthehej në javë të tëra heshtjeje.
Mario vdiq pesë vjet më parë, pas dyzet e shtatë vitesh martesë.
Në muajt e fundit të sëmundjes së tij kalonim shumë orë ulur bashkë.
Ndonjëherë flisnim për fëmijët, herë të tjera kujtonim daljet tona të para.
Një pasdite nxora foton e autobusit dhe e pyeta nëse e mbante mend sherrin që kishim bërë?
Qeshi.
Më tha se ende i vinte turp që ishte vonuar dhe se, po të kisha hipur në autobusin e kthimit, ndoshta historia jonë do të kishte qenë shumë ndryshe.
Iu përgjigja se me siguri do të ishim pajtuar të nesërmen.
Ai buzëqeshi dhe tha se këtë nuk do ta dinim kurrë.
Sot jam 72 vjeçe. Jetoj ende në Genova, pranë fëmijëve të mi, dhe kam mësuar të bëj shumë gjëra vetë.
Mëngjeseve befasohem ende duke menduar, se duhet t’i tregoj diçka Marios. Pastaj kujtohem se nuk është më dhe e kam të vështirë ta pranoj atë heshtje.
Ruaj shumë foto nga jeta jonë: dasma, fëmijët e vegjël, pushimet, ditëlindjet.
Por fotoja e autobusit është e preferuara ime.
Nuk tregon një moment perfekt.
Tregon dy të rinj, që sapo ishin grindur dhe që, pavarësisht gjithçkaje, vendosën të uleshin e të dëgjonin njëri-tjetrin.
Ndonjëherë nipërit më pyesin cila ka qenë e fshehta jonë, për të qëndruar bashkë kaq shumë vite.
Nuk dita jkurrë çfarë të përgjigjem.
U tregoj atyre foton dhe u rrëfej, se të duash dikë nuk do të thotë të mos gabosh kurrë.
Do të thotë të pranosh, kur ke gabuar dhe të jesh i gatshëm të ndryshosh.
Sipas jush, martesat e dikurshme zgjasnin më shumë, sepse çiftet dinin t’i kapërcenin ndryshimet, apo sepse shpesh duronin situata, që sot nuk do t’i pranonim?
Solli për ju: Fatmir Shqarri..
Burimi/Facebook/Mësimi


Leave a Reply