Nga Roland Gjoza
Tetë vjet në Pukë, në moshën më të bukur, 24 vjeç, me një libër me poezi të botuar 18 vjeç, me një mallkim, thuaj më mirë. Puka, një qyet 840 metra mbi nivelin e detit, me një rrugë të vetme, që përshkohej për pesë minuta, me pesë kafene, tre restorante, një berberhane, një kinema, një muze, ai i Migjenit. Nuk po zgjatem shumë, se pikërisht këtë doja të spikatja, muzeun, ish-shkollën, ku kish dhënë mësim Migjeni, që tani i binte të ishte në një moshë me mua. Dy a tri shkallë kishte ajo shkollë ku ulesha nganjëherë, përgjithësisht në muzg, kur dilte hëna, apo kur binte borë dhe vetmia ndjehej më shumë. Atje brenda ishte dhe ajo kinse dhoma e përshtatur për poetin, ku kishte një krevat, një pasqyrë, një raft të vogël, një tavolinë, një karrige, një dollap për rrobat, dhe aty në mure ishte Çarli Çaplini dhe Greta Garbo, në korniza të praruara, me gdhendje, po ishte dhe një gozhdë për peshqirin që ndërrohej shpesh. Te xhami i dritares fëshfërinte dhe kërciste ndonjë degë, qershia, që atij i jepte një ngushëllim të çuditshëm. Aty në atë dhomë mësova prej Daves, nxënëses time, se gjyshja e saj shkonte dhe e pastronte atë dhomë, madje një detaj që më bëri fort përshtypje, u ruajt gjatë në kujtesën time dhe nuk u shënua askund, si prej pengimit të një dhimbjeje. Ishte poeti më i madh për mua dhe fakti që vdiq aq i ri, sikur më bënin me turp. Nuk e di pse e kisha këtë ndjesi. Ndoshta ngaqë e kalova moshën e tij dhe s’vuaja nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. -Është gjallë gjyshja? -Po mësues, doni ta pysni për diçka, patjetër! Ishte një e moshuar e rrëgjuar, me një shkop në dorë, e përthyer pothuaj, sikur bëhej gati të nisej për poshtë, me një pengim prej Daves. Kështu besoja. Atë mbesë kishte, atë fillikate, siç shprehej me një aht zemërndrydhës që Zoti s’e kish bërë me shumë mbesa e nipa. “Më tha Abdullahu që t’i pastroja dhomën se do të vinte në pranverë. Ç’me pastrue, ajo ishte borë si bora e parë. E kish pastrue vetë para se me shkue, veç sa ia kam përkëdhelë teshat; nji kostum dopio petë për ceremoni, dy kravata të kuqe, dyzina me shami mëndafshi që vijshin erë me të turbullue… një palë këpucë fringo të reja, veshë a jo dy tri herë, këpucë shollet, e ç’me kujtue tjetër… pastër, pastër, si me hy në nji dhomë të porsa martuemish… U ula te karrigia, e papritur pashë veten në pasqyrë! -Ku-ku, thashë, e më erdhi për të qeshë. Ishte marre, me pa veten ashtu zhelamane. E vetmja që s’shkojsha në atë dhomë. Vesh pa vesh, zdrale pothuej, po veç e bukur kam kenë. E them për herë të parë, mësues, se ti m’kupton… Në atë kohë s’duhet me e ditë se ishe e bukur se të hajshin dreqnit! Milloshin, pse me e mohue, e kam dashtë me loçkë të zemrës. E kam dashtë! E pse me e mshef? E kuptova që edhe ai m’simpatizote, ashtu kinse po më falënderonte, anipse e dijsha se po turbullohej fort… Isha vetëm, kuptohet, kisha kureshtje me dijtë për intimitete… Brekët, ia pashë, dhe ato të palosuna, tutlue me parfum, nji cen s’i dallojshe, ishin përdore a jo… M’lëndoi kjo, a ish femën a mashkull… se isha mësue me i gjetë teshat e burrit të shkoklueme, hidh e prit andej e këndej. I pashë letrat, i preka nji stilograf, me nji majë prej florini, kështu mu duk, dhe ajo letra që i preka, qe tjetërlloj e i lexova diçka, nuk e harroj, shkruante: Abdullah, thuej të ma pastrojë mirë… Ishte për mue! Po unë dijsha me e lexue ndryshe; thuaj me mi prek… A ishte vërtet kjo? E marume kam qenë, e lanme krejt… uhf! Tash po i them, e tu ia prekë teshat, zene se e preka atë! Pastaj shkrute: Do ta shpërblej! Kjo m’vrau, s’kërkojsha pare prej tij, po veç një vështrim e aq zemra jeme bahej zog. Tash e kisha qyqe! Më kishin thanë se ishte shtrue në një sanatorium të Italisë se vuante prej mushknive… Si iu ka mush ajo qershia te dritarja, sa herë vinte pranvera me drandofille, se shpesh e shifsha atje tuj mendue, me ndoj lule në dorë! Erdhe? Më thoshte buzagaz me ato mustaqe spicë e me synin zjarr. Donte me u çue me më dhanë dorën e unë s’e lajshe. I qeshsha dhe unë me nji gaz që ate e ka habitë. Ia hyjsha me themel asaj dhome, po ç’me i hy, ju thashë, zotni, aty sikur kishin kalue natën e parë dy të porsamartuem… Kur e gjejsha vetëm në dhomë, më zgjaste dorën që e kishte përherë të nxehtë e më afrote me dashni, po jo me të keq, se kështu bante dhe me njerëzi, po ma vonë nuk e bante ma, qysh atëherë kur i lajsha kravatat dhe këmishat me njolla gjaku, vuente i shkreti, ishte sëmundë. Përherë më jepte ka i diçka, edhe pare më ka dhanë, për me ble dru e pishë për zjarrm. Unë i blejsha për nxanësit e për të e ai e dinte këtë, po s’bezajtte. Ma vonë mora vesh se ai vdiq. Një ditë Abdullahu më takoi e më dha paret. Ç’janë këto? I thashë. I ke për atë ditë që i pastrove dhomën! Të ka shënue edhe ty në këtë listë që më erdhi me postë. S’ka lanë asnji borxh pa shly… merri, kush nuk ka nevojë për pare? E ç’i bana do të thush ti, mësues! I bleva qirinj e u luta për shpirtin e tij, për atë fatzi, që më la në shpirt nji kujtim shumë të bukur. Ishte për t’u dashtë! Ia kam rujtë atë dhome për nji kohë, se Abdullanë e transferuen dhe drejtori i ri, ishte krejt ndryshe, nuk i hyjshin në sy hollësina të tilla, kisha frikë se po vijshin dorë mbi rrobat e tij, i futa në nji arkë e i çova në shtëpinë teme e kur erdhën motrat, ua kam ngarkue deri te makina, veç Greta Garbon nuk ua dhashë, atëherë nuk e dijsha se ishte aktore, kisha xhelozi për të e nuk ua dhashë, po s’i bana gja, as e hupa, as e grisa, po e kam fshehë… E kishte nji të dashtun aq të bukur e aq… e shikojsha kaiherë, e shikojsha e thojsha se shkojshin bashkë! Kur mora vesh se ajo ishte aktore dhe ai e pëlqente fort, m’u këputen do tela këtu mbrenda, kam qeshë e jam mahitë me veten. Ca gjana u kthyen prap e ca të tjera mbetën në shkollë, e dolën kur u hap muzeu, e unë jam paraqitë në Komitet e kam thanë; mos caktoni pastrues në muze, e baj unë pa pare, dhe e bajsha këtë punë për qejf, vetëm prej asaj dhome ku kam provue ndoca ndjesina të mshefta. Po Greta Garbon nuk e dhashë, e kam respektue, ishte gruaja e tij e andrrave, se ai s’pati grue!


Leave a Reply