Ai është një ndër dëshmitarët okularë të ngjarjeve të 2 prillit 1991 në Shkodër, ku katër njerëz, mes tyre i riu Arben Brozi, u vra dhe 20 policë u plagosën rëndë. Në dukje 2 prilli ishte një protestë e qytetarëve kundër komunizmit, e kjo vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të 31 marsit, ku Partia e Punës së Shqipërisë vazhdonte të ishte pjesë e parlamentit shqiptar. Por, sipas Gjek Celajt, ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Shkodrës, masakra e 2 prillit është më e thellë se një protestë antikomuniste. Në librin e shkruar prej tij: “Kush vrau në 2 prill?”, Celaj shpjegon detajet e kësaj ngjarjeje, të përdorura sipas qejfit kohë pas kohe. Ai pranon të japë një intervistë ekskluzive për G.SH. ku sqaron rrethanat e ngjarjes që ndryshoi rrjedhën e demokracisë në Shqipëri. Kush është Gjek Celaj? Në radhë të parë, më lejoni t’ju falënderoj për intervistën dhe të përshëndes të gjithë lexuesit tuaj. Unë jam shtetas shqiptar nga Lezha. Në vitin 1983 përfundova studimet në Akademinë e Policisë, në Tiranë dhe për tetë vjet kam kryer detyrën e zëvendësshefit të policisë në rrethin e Pukës dhe tetë muaj në rrethin e Shkodrës, që në atë kohë përfshinte edhe rrethin e Malësisë së Madhe. Pas ngjarjes së 2 prillit të vitit 1991, u arrestova për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me arsyetimin se nuk kisha instruktuar mirë policët, dhe për pasojë, “ata nuk e kishin kryer mirë detyrën”. Përfundimisht, nuk u dënova për shpërdorim detyre, por për “vrasje me dashje indirekte”, akuzë e formuluar nga politikanë të papërgjegjshëm dhe e kthyer në vendim gjykate nga shërbëtorë të neveritshëm. Kalvari i vuajtjeve zgjati për një kohë të gjatë. Një dënim i padrejtë i ka më të hidhura pasojat. Cili ka qenë funksioni, roli dhe detyra juaj në ngjarjet e 2 prillit 1991? Siç ju thashë, unë isha zëvendësshefi i policisë për shërbimet. Ky funksion mbulonte problemet e rendit dhe të qetësisë publike. Në ngjarjen në fjalë unë kam qenë drejtues i forcave të policisë, që merreshin me sigurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë dhe me shpërndarjen e turmave që grumbulloheshin në mënyrë të paligjshme. Pjesërisht, këto turma përbëheshin nga njerëz të motivuar për të ushtruar dhunë ndaj objekteve, me qëllim për t’i shkatërruar me zjarr e lëndë plasëse, për të vjedhur e plaçkitur pronën. Çfarë ndodhi në 2 prill 1991 në Shkodër? Tashmë, ngjarja e 2 prillit 1991 përgjithësisht është e njohur për shumicën e shtetasve shqiptarë që në atë kohë ishin në moshë madhore. Por, ideja që kanë njerëzit për ngjarjen është e ndryshme në varësi të aftësive të gjithsecilit për të kuptuar çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e sajuar. Propaganda mashtruese ka krijuar pështjellimin e fakteve të vërteta, me sajesat, pështjellim që depërtoi edhe në mendjet e njerëzve. Ajo që është e provuar dhe dihet nga të gjithë, është se atë ditë u vranë katër njerëz të pafajshëm dhe u plagosën disa të tjerë, duke përfshirë edhe rreth 20 policë e oficerë policie. Kush e organizoi dhe përse e organizoi grumbullimin e paligjshëm të qytetarëve? Këto ditë ka dalë në shitje libri im: “Prapaskenat e Krimit Politik – Kush vrau në 2 Prill”. Besoj se aty merr përgjigje pyetja juaj dhe ndriçohen disa të vërteta të padëshirueshme për njerëz të caktuar. Kush, pse dhe si i vrau katër njerëz të pafajshëm dhe plagosi 13 të tjerë gjatë atij tubimi? Në libër janë paraqitur fakte dhe janë përshkruar veprime, të cilat i krijojnë mundësi çdo lexuesi për të nxjerrë përfundime, që mund të jenë të ndryshme nga përfundimet ku kam arritur unë. Do ishte e tepërt, por do ishte edhe e pamundur që t’i përgjigjesha kësaj pyetje me pak fjalë. Kush dhe pse e shkatërroi godinën e PPSH dhe tentoi të prishte godinat e bibliotekës dhe radios së qytetit? Ata që kryen këto akte janë të njohur dhe kushdo mund t’i shikojë kur mblidhen në çdo përvjetor për të festuar një tragjedi. Tragjedia nuk festohet, por ata kanë të drejtë ta festojnë, se u ka sjellë shumë përfitime. Madje, shumë prej tyre edhe janë dekoruar para disa vitesh, “për merita në luftën kundër komunizmit”. Të vetmit që një përvjetor të tillë e presin me trishtim dhe dhimbje, janë të afërmit e katër njerëzve të vrarë si dhe të afërmit e pesë njerëzve të dënuar padrejtësisht për atë ngjarje, për t’i vënë një vulë juridike propagandës së gënjeshtërt politike. Çfarë u luajt në prapaskenë, para, gjatë dhe pas ngjarjes? Ajo që u luajt para dhe pas ngjarjes nuk ishin rastësi, por e paramenduar. Fakte të panumërt e provojnë këtë. Rastësi nuk ishte as një pjesë e asaj që u luajt gjatë ngjarjes, por jo e gjitha, sepse kur një ngjarje fillon, ideatorët e saj nuk e kontrollojnë dot plotësisht. Unë nuk kam informacion të drejtpërdrejt që të ndaj se çfarë u krye dhe çfarë jo sipas asaj që ishte paraparë që të kryhej, por informacioni i pasqyruar tek “Prapaskenat e Krimit Politik-Kush vrau në 2 Prill?” është i begatë për të parë atë që u luajt në prapaskenë. Kush e drejtoi në prapaskenë gjyqin e quajtur të “2 prillit” dhe kush ishte në të vërtetë akuzuesi, prokurori dhe gjyqtari i kësaj çështjeje? Personi që vetmori rolet që përmban pyetja juaj, është Shefi i Klinikë së Duarve të Pastra, i cili besonte se duke përdorur “doreza” nuk do të linte gjurmë gishtash dhe duke vënë maskë, nuk do t’i bëhej kurrë e njohur fytyra. Mirëpo, koha është e pamëshirshme për zullumqarët. E vërteta ua heq maskën. Para pak ditësh, ky njeri akuzoi Prokuroren e Shqipërisë se po bën akuza politike ndaj stafit të vet. Në libër ka fakte të plota që vërtetojnë se ky zotëri, që përbetohet për shtet ligjor, thërriste në zyrën e tij presidenciale prokurorët dhe hetuesit e çështjes së “2 prillit” dhe i urdhëronte të ndryshonin akuzën, vetëm një ditë pasi ata të mjerë na kishin komunikuar një tjetër akuzë; ai priste në zyrën e tij të afërmit e viktimave dhe merrte guxim, natyrisht prej të marri, që t’iu tregonte se cili nga të pandehurit e kishte fajin kryesor; ai dërgonte letra në gjyq për të komanduar drejtimin që duhej të merrte gjyqi; dërgon zyrtarë të lartë politikë pranë zyrës së tij të organizonin rrugaçët për të shkaktuar kaos në sallën e gjyqit; ai urdhëronte heqjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, pasi frikësohej se mund të na jepnin pafajësinë. Këto dhe të tjera akte të paligjshme i kryente ditën për diell, dhe po ditën për diell fliste për shtet ligjor dhe drejtësi të pavarur nga politika. Ky zotëri tha, me të drejtë, para pak ditëve se shqiptarët duhet të respektojnë Kodin e Vdekjes, sikur të mos ishte ky që në mënyrën më të turpshme dhe permanente, ka përdorur shpirtrat e të vdekurve dhe trupat e tyre, që nga arkivolet e 2 prillit e deri tek arkivoli i Azem Hajdarit, që e përdori si dash për të thyer dyert e institucioneve kushtetuese për të zënë me forcë atë çfarë ishte fituar me votë. Ky, pra është Kalorësi i Palodhur i Luftës False kundër Komunizmit të Vdekur. Hapësirën që ka zënë në libër nuk ia kam dhënë unë, e ka zënë vetë me bëmat dhe gjëmat e tij. A ishte “2 prilli” një masakër komuniste mbi demokracinë apo skenar i diktaturës kundër demokracisë? Ajo që mund të them, si përgjigje për pyetjen, është se 2 prilli ishte në thelb krejt e kundërta e asaj çfarë i është paraqitur deri tani popullit, jo vetëm nga politika, por edhe nga “Drejtësia” e shteti shqiptar. Faktet, dhe bazuar mbi to, konkluzionet e mia, i kam paraqitur në libër. A ishte kjo atëherë, sikurse mendonte opozita e kohës, një grackë politike e realizuar me sukses? Besoj se ka ndodhur e kundërta. Është e njohur dhe e pranuar gjerësisht se ajo që përfitoi nga ngjarja ishte opozita e asaj kohe. Faktet e parashtruara në faqet e librit flasin për veprime të kryera me qëllime të qarta që pasojat të vinin. Si e njihni ju para ngjarjes së 2 prillit, Pjetër Arbnorin dhe Azem Hajdarin, si dy deputetët e parë të PD-së të zgjedhur në Shkodër? Kam pasur disa kontakte me ata në atë kohë dhe me mua kanë qenë korrektë. Ndërsa, rolin e tyre para, gjatë dhe pas ngjarjes e kam vlerësuar në libër, si në aspektin moral, ashtu edhe në aspektin ligjor. Analiza rolit të tyre nuk ka të bëjë me njohjen personale. Ai ka qenë rol që e kishin zgjedhur ata vetë (ose ua kishin ngarkuar), unë vetëm e përshkruaj dhe bëj vlerësime sipas gjykimit tim. A keni pasur ndihmë nga drejtuesit e PD-së për të shpërndarë turmën e njerëzve që ishin në protestë gjatë 2 prillit? Kontaktet e policisë me drejtuesit e PD-së në Shkodër kanë qenë të pandërprera që nga themelimi i saj dhe kanë vazhduar edhe pas ngjarjes së 2 prillit. Në disa raste, bashkëpunimi ka qenë i mirë dhe me dobi për rendin, por në mjaftë raste të tjera bashkëpunimi i kërkuar nga policia nuk është realizuar, edhe pse është premtuar nga drejtuesit e PD-së. Në rastin e 1 prillit, drejtuesit e PD-së u janë përgjigjur kërkesave tona me hezitim e vonesë, por gjithsesi ne e vlerësuam kontributin që dhanë për qetësimin e turmës dhe shpëtimin e objekteve shtetërore nga shkatërrimi. Qëndrimi i drejtuesve të PD-së në 2 prill ka qenë i pakrahasueshëm me gjithë rastet e mëparshëm. Ata refuzuan në mënyrë kategorike të kontribuonin në evitimin e grumbullimit të paligjshëm dhe të shpërndanin turmën e irrituar. Kësaj “kthese” në marrëdhënie me policinë dhe me turmën, krerët e PD-së i kanë dhënë disa përgjigje, të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën. Përgjigjet kontradiktore të njëkohshme dhe në kohë të ndryshme kanë zënë vend në libër dhe mbështeten në fakte të dokumentuara, të tilla, si: ndërsa i qëndruan deri në fund pretendimit se ata (drejtuesit e PD-së) nuk kishin punë me turmën, se protestuesit nuk kishin asnjë lidhje me ta, nga ana tjetër pretendonin se kishin shkuar për të ndihmuar policinë, por ajo i vrau pas shpine. Kur erdhën në pushtet, i dekoruan zjarrvënësit për të cilët kishin pretenduar se nuk kishin qenë të tyre. Kush qëlloi mbi personat e vrarë në 2 prill, a dhatë ju urdhër për të qëlluar si drejtues policie? Çështja e “urdhrit” ka qenë një legjendë e krijuar nga ata që e organizuan ngjarjen dhe në shërbim të qëllimit të organizimit. Dy vjet hetim dhe tri javë gjykim vërtetua se nuk kishte ekzistuar kurrfarë urdhri për të qëlluar. Kushdo e kupton se po të jepej dhe zbatohej një urdhër i tillë do të bënte që atë ditë qyteti i Shkodrës të përcillte në varreza qindra qytetarë të tij. Po të dinim se kush qëlloi do kishim një tjetër fat dhe hamendjet e spekulimet do kishin marrë fund.
gazetakritika.net


Leave a Reply