Ribotim – Drenica është e Shqipërisë, Adem Jasharit, Hasan Prishtinës… dhe kurrsesi e politikanëve!
Nga Tahir Veliu
Themelet e Shqipërisë së Bashkuar janë në Drenicën e Hasan Prishtinës, Azem e Shote Galicës, e Ahmet Delisë, e Tahir Mehes, e Shaban Polluzhës, e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe shumë personaliteteve që lanë gjurmë në rrugën tonë për një Shqipëri të lirë dhe të Bashkuar, prandaj duhet pasur shumë kujdes me etiketime fëmijnore ndaj Drenicës heroike sepse duke sulmuar Drenicën vend e pa vend, e sulmoni gjysëm lirinë që sot e gëzoni dhe Shqipërinë e Bashkuar që në një të ardhme të afërtë do ta shijoni!
Çlirimi dhe bashkimi kombëtar është vepër e disa brezave të popullit shqiptar, ka vazhdimësi që nga viti 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër padrejtësisht përgjysmoi Shqipërinë dhe la jashtë kufijve të saj më shumë se gjysmën e popullit shqiptar dhe territorin e saj. Në këtë histori Drenica njihet si një nga qendrat e Lëvizjes Kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Nuk më befason që serbët, turqit apo ndonjë pushtues tjetër e urren Drenicën, por më shqetsojnë etiketimet e vazhdueshme të një pjese të pavetëdijshme të shqiptarëve, që hapur dhe pa pikë turpi vërsulen me etiketimet më të ulta, që edhe armiqtë e kombit po u’a kanë lakmi. Ah të mjerët, nuk e dinë apo nuk duan ta dinë, që duke sulmuar Drenicën heroike, po sulmojnë një ndër rajonet më heroike të kombit shqiptar, që gjatë historisë sonë kombëtare, kurrë nuk i’u nënshtrua asnjë pushtuesi, përkundrazi gjithmonë ishte flamurtar i luftërave dhe përpjekjeve shekullore për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Shtrohet pyetja pse kjo “urrejtje” ndaj Drenicës heroike, dhe më pak ndaj armiqëve të kombit që edhe në vitin 2016-të mbajnë gjysmën e Shqipërisë nën pushtim të egër (Malësinë e Madhe, Kosovën Lindore, Iliridën dhe Çamërinë)?!
Të jesh anti-Drenicë do të thotë të jesh anti-Dukagjin, anti-Llap, anti-Krujë…, anti-UÇK, anti-shqiptar sepse Drenica, ashtu sikurse të gjitha krahinat tjera të Shqipërisë sonë ka sakrifikuar vazhdimisht në procesin e pandalshëm të çlirimit dhe bashkimit të Shqipërisë, madje lirisht mund të thuhet se është njëra ndër rajonet që më së shumti ka kontribuar në këtë rrugë hyjnore. Drenica mbeti ajo që ishte gjatë shekujve, pjesë e pandashme e Shqipërisë dhe frymëzim për bashkim kombëtar.
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR


Leave a Reply