Seks & politikë & spiunazh & skandale
Duke marrë shkas nga skandali seksual i David Petraus që i shkatërroi karrierën brilante të ushtarakut më të rëndësishëm amerikan që nga koha e gjeneralit të famshëm Eisenhouer që më pas do të bëhej president, gazeta “Tirana Observer” në një suplement special boton të gjitha skandalet seksuale që në mes kanë pasur politikën. Në këtë suplement do të lexoni se krijoi KGB-ja një ekip femrash të stërvitura për të përdorur trupin dhe për të futur në kurth politikanët dhe diplomatët botërore. Gjithashtu do të lexoni edhe se si janë përgjuar skandalet seksuale të presidentëve amerikanë.
Skandali i Petreaus, si u shkatërrua karriera brilante e ushtarakut
Skandalet më të bujshme mes politikes dhe seksit
Gjithçka filloi me dorëheqjen e shefit të CIA-s David Petreaus. Në mesazhin e shpërndarë për mediat, nuk përcaktohet shkaku i kësaj dorëheqje, por ‘Washington Post’ shkruante se motiv u bë shpërthimi i një skandali për një lidhje jashtëmartesore të tij. David dhe Holly Petraeus u martuan në vitin 1974 dhe kanë dy fëmijë. Bashkëshortja e tij punon për një agjenci qeveritare që merret me mbrojtjen e familjeve të ushtarakëve nga borxhet dhe fajdet. Ndërkohë është zbuluar se gruaja e marrëdhënies jashtëmartesore është Paula Broadwell, autore e biografisë së gjeneralit të titulluar “All In: The Education of General David Petraeus”. Sipas informacioneve të “NBC News”, FBI kishte hapur një hetim mbi këtë grua pasi dyshohej se kishte tentuar të hynte në mesazhet elektronike të gjeneralit për të kërkuar material të rezervuar. Marrëdhënia u zbulua pasi një grua e dytë, Jill Kelley, 37 vjeç, i tha FBI-së se kishte marrë e-mail-e anonime kërcënuese. Një hetim i FBI-së gjeti mesazhet që kishin ardhur nga zonja Broadwell dhe më tej zbuloi lidhjen e 40-vjeçares me Petraeus. Nuk ka asnjë sugjerim se zonja Kelley, e martuar nga Tampa, Florida, kishte ndonjë lidhje me Petraeus. Në një deklaratë, ajo dhe burri i saj pranuan shoqërinë e tyre me Petraeus dhe kërkuan t’u ruhej privatësia. Por vetë Kelley doli që kishte lidhje me një tjetër gjeneralin e Marinës John Allen që po hetohet nga FBI-ja.
Shkatërrimi i karrierës
Një trekëndësh dashurie shkatërroi karrierën brilante të ushtarakut më të rëndësishëm amerikan që nga koha e gjeneralit të famshëm Eisenhouer që më pas do të bëhej president. Dyshohet se super-gjenerali e kishte ndërprerë marrëdhënien intime me biografen e tij që pranverën e kaluar. Ndërkohë, Paula Brodwell, e verbuar nga xhelozia, dyshonte për një marrëdhënie të gjeneralit me Jill Kelleyn dhe e ka bombarduar atë me maile kërcënuese. Të dyja gratë e përfolura janë të martuara. Një tjetër detaj i mistershëm është një letër anonime që ka shkuar në redaksinë e gazetës ‘New York Times’ ku dikush i shkruante gazetës se e shoqja kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me një personalitet të lartë. Një roman intrigash, pasionesh, spiunazhi dhe kundërspiunazhi. Është e njëjta histori që ripërsëritet kohë mbas kohe dhe gjithmonë me saktësinë e një ore zvicerane në qendër të skandalit ndodhet gjithmonë një: ajo. Teoritë konspirative kanë mbytur Uashingtonin që ishte mësuar me puritanët e kohëve të fundit si George Bush dhe Barack Obama. Ajo që FBI ka në dorë për shefin e sapo dorëhequr të CIA-s tashmë janë 30 mijë faqe me dokumente të nxehtë kryesisht e-maile që kanë shkëmbyer gjenerali me të dashurën dhe e dashura me të dashurën e mundshme. Ajo që ngelet konstante është që seksi dhe pushteti janë dy fijet e gërshetit më të njohur të historisë.
Spiunet bukuroshe
Një teori konspiracioni, që të respektohet, ka nevojë domosdoshmërisht për një bukuroshe të infiltruar. Shumë burra, pavarësisht detyrës, inteligjencës apo pasurisë, kanë një pikë të dobët: Ata e kanë të pamundur t’i rezistojnë një femre të bukur. Shantazhi seksual mund të jetë shumë herë më i fuqishëm në politikën e madhe nga ç’mund të mendojmë. “Sindikata e seksit”, e kontrolluar nga hijet e inteligjencës dhe mafies, ka prodhuar skandalet më të mëdha në botë, të paktën që në fillim të Luftës së Ftohtë. Shërbimi sekret më i famshëm i botës, KGB-ja sovjetike ka qenë e njohur në të kaluarën e saj për lojën e preferuar të spiunazhit futja në kurthin e saj të diplomatëve të huaj dhe në shumicën e rasteve nëpërmjet seksit. Në këtë mënyrë KGB-ja komprometoi ambasadorin britanik në Moskë, Sër Xhofri Harison në 1968. Ambasadori u dashurua pas një gruaje të bukur ruse që punonte si shërbëtore në ambasadën britanike e quajtur Galja. Ajo ishte sigurisht e futur me mision aty nga KGB-ja. Pasi çifti pati kontaktin e parë intim në një apartament të Leningradit, Harrisonit iu treguan foto të tij më Galian. Mënyrat e marrjes së informacionit ishin të shumta, shantazhet seksuale në atë kohë ishin kthyer në “Thembrën e Akilit” të diplomacisë e cila nga Lufta e Ftohtë midis Rusisë dhe SHBA-së ishte kthyer në një luftë të “nxehtë”. Ka pasur ama një rast kur këto kurthe kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Ish-presidenti i Indonezisë, Ahmed Sukarno, u tentua t’i bëhej shantazh me një video të bërë nga KGB-ja. Shërbimi rus i kishte dërguar disa bukuroshe në dhomë për një orgji. Kur KGB-ja i tregoi videon presidentit për shantazh, ai u kërkoi kopje të tjera që t’i transmetonte në kinemate indoneziane duke mos i bërë fare përshtypje skandali. Sekretari britanik i luftës në vitet ’60, pas skandalit seksual me një prostitutë e kaloi jetën duke punuar si vullnetar.
Lista e skandaleve
Nëse ata nuk do të kishin qenë figura shteti, “mëkatet” e tyre do të mbeteshin anonime. Në momentin që bëhet fjalë për njerëz që kanë marrë përsipër një post publik, i cili mbart përgjegjësi politike, edhe flirti më i pafajshëm kthehet në fatalitet duke rrezikuar karrierën. Por cilat janë disa nga skandalet më të njohura seksuale, ku politika dhe seksi kanë qenë në një raport varësie.
Domenik Shtraus-Kan
Ish-kreu i FMN-së, Domenik Shtraus-Kan, u përfshi pak kohe më parë në një skandal seksual. Një prostitutë belge ka treguar se ajo ka qenë e pranishme në një hotel në Uashtington në vitin 2010 ku ish-kreu i FMN-së ishte pjesë e një “skuadre përdhunuesish”. 63-vjeçari u akuzua se ishte përfshirë në një rrjet prostitucioni bashkë me tre persona të tjerë, ndersa vetë Shtraus-Kan ka mohuar akuzat. Një akuzë për përdhunim, megjithëse u pushua si çështje, i kushtoi karrierën politike, pasi para saj ai shihej si kandidat potencial për president në Francë, ndërsa arrestimi i tij ka pasur hipoteza të ndryshme, qoftë edhe ato të “një komploti”.
John F.Kennedy
Kur u përhapën me shpejtësi thashethemet se Kennedy do të pushonte nga puna shefin e FBI-së, Edgar Hoover, ai filloi të nxirrte në pah një e nga një të gjitha dosjet e tij të pasura me skandale seksuale ku protagonist ishte vetë presidenti. Me një inat që po kthehej në sëmundje patologjike për të, Hoover kishte përgjuar çdo “fole dashurie” të Kennedy-t dhe kishte regjistruar të gjitha telefonatat e presidentit me mikeshat e tij të lojërave të seksit, duke filluar që nga prostituta Judith Campbell Exner e deri tek e famshmja Marilyn Monroe, dhoma e gjumit e të cilës ishte tej mase e zënë nga të dy vëllezërit Kennedy.
Edwina Currie
Edwina Currie ka qenë deputete në parlamentin britanik prej vitit 1983 deri në vitin 1997. Zbulimi i marrëdhënies 4-vjeçare me ish-kryeministrin britanik, e cila fillonte në vitin 1984 dhe mbaronte më 1988 shkaktoi shumë bujë. Marrëdhënia kishte filluar kur ajo ishte deputete e thjeshtë, ndërsa ish-kryeministri Major ishte kryetari i grupit parlamentar i qeverisë që drejtohej nga Margaret Thatcher.
Skandali “Lewinsky”
Skandali “Lewinsky” në vitin 1998 e vuri ish-presidentin amerikan Bill Clinton në qendër të një beteje ligjore për të kërkuar të vërtetën. Mohimi i lidhjes nën betim nga ana e Clinton e përkeqësoi më shumë problemin duke krijuar kështu përveç turpërimit dhe një problem ligjor, çka shkaktoi vënien e tij para gjyqit. Lajmi i marrëdhënies jashtëmartesore të ish-presidentit u përhap në të gjithë shtypin duke dhënë detaje të marrëdhënieve seksuale me vajzën 22-vjeçare.
Moshe Katsav
Moshe Katsav, ish-presidenti izraelit, në dhjetor të vitit 2011, nisi vuajten e dënimit me shtatë vite burg nën akuzën e përdhunimit dhe ngacmimeve seksuale ndaj disa vajzave të stafit të tij. Katsav, 66-vjeçar, u dënua për përdhunimin e një ish-punonjëseje femër kur ai ishte ministër dhe për sulme seksuale ndaj dy grave të tjera kur ai ishte president në vitet 2000-2007. Numri i denoncimeve u shtuan frikshëm kur ish-punonjësja bëri ankesën e parë. Nisma më pas bëri që vajzat e tjera të ngrinin zërin për të thënë ankesën e tyre publikisht. Dënimi i Moshe u vendos të krhyej në një burg të sigurisë minimale në qendër të Izraelit duke “izoluar” dëshirën e tij për një farë kohe. Ish-presidenti në atë kohë mohoi akuzat e bëra, madje duke protestuar për pafajësi, por trupi gjykues nuk mori parasysh këtë kërkesë. Vetë Moshe, ditën kur u dha vendimi i gjykatës, tha se me këtë akt gjyqësor, Izraeli varrosi një njeri të gjallë duke bërë një padrejtësi të madhe.
—-
Si krijuan rusët një ekip femrash të stërvitura për të përdorur trupin
Spiunet e bukura dhe inteligjente të KGB-së
KGB-ja dhe krijimi i spiunazhit të joshjes
Ishte KGB-ja që krijoi fillimisht një prej shërbimeve më të sofistikuara që stërviste spiunet femra për të joshur meshkujt. Një vajzë e quajtur Vera ka rrëfyer në një libër historinë se si KGB rekrutonte femra të bukura, duke u premtuar se ato do kishin gjithë pasurinë e mundshme nëse ato binin dakord që të joshnin seksualisht njerëzit e vënë në shënjestër. Kërcimtare, aktore këngëtare, të cilat stërviteshin për të joshur cilindo person që do të duhej t’i nxirrnin informata. Maria Konnenkovës nuk i rezistoi dot as Ajnshtajni me gjenialitetin e tij. Në vitet ‘40 agjentja sekrete sovjetike e takonte dhe mblidhte të dhëna për bombën që do ndërtohej. Maria Knuth, një tjetër vajzë me emrin e shenjtëreshës, por që veç e tillë nuk ishte. Kërcente në kabare dhe magjepste me bukurinë e saj oficerët britanikë dhe amerikanë. Elizabeth Bentley, një amerikane gjithë sharm, ra në dashuri me kontrollorin e saj rus, pasi u rekrutua nga KGB-ja. Të gjitha vajza të bukura dhe inteligjente, të cilat fituan famë në shërbimet ku punonin. Misioni i tyre ishte të bënin për vete çdokënd që i duhej KGB-së dhe për këtë stërviteshin. Pas kësaj, fillonte shantazhi. Agjentet instalonin në dhomat e gjumit kamera ku regjistronin gjithçka ndodhte dhe i kërcënonin “viktimat” e tyre se do i bënin publike. Në këtë mënyrë KGB-ja kompromentoi ambasadorin britanik në Moskë, Jeffrey Harrison në vitin 1968. Ambasadori u dashurua pas një gruaje të bukur ruse, e cila punonte si shërbëtore në ambasadën britanike e quajtur Galia. Ajo ishte e futur me mision aty nga KGB-ja. Pasi çifti doli nga dhoma e gjumit në një apartament të Leningradit, Harrison-t iu treguan foto të tij me Galian gjatë kohës që bënin dashuri. Harrison-it iu komunikua se në qoftë se nuk i jepte KGB-së informacionet që ajo kërkonte, fotot dhe lidhja e tij me Galian do të bëheshin publike. Në vend që të bashkëpunonte, Harrison u kthye në Londër ku pohoi lidhjen me Galian te oficeret e MI5. Ai u nxor në pension menjëherë. Megjithëse ky lloj kurthi kësaj radhe dështoi, shumë kurthe përpara Harrison-it ishin të suksesshëm. Koloneli Lui Gibo, atasheu ajror francez, në vend që të jepte informacion dhe të fshihte lidhjen, vrau veten. Por jo vetëm KGB-ja që përdori spiunazhin seksual. Irlandezët përdornin femra të bukura për të shpërqendruar ushtarët gjatë shërbimit të tyre ose në stacionet e policisë gjatë operacioneve ushtarake. Britanikët krijuan gjithashtu një skuadër spiunesh seksuale. Shërbimet britanike të inteligjencës hapën dy shtëpi në Belfast për t’u bërë shantazh liderëve të lëvizjeve politike dhe për marrë informacione sekrete. Këto shtëpi publike ishin të populluara me prostitutat më të mira të Evropës – ato ekzekutonin detyrat e caktuara nga shërbimi i inteligjencës angleze për shumë para. Shërbimet sekrete të Gjermanisë Lindore përparuan në këtë fushë duke përdorur si seksin si mjet shantazhi. Ata zhvilluan një plan për të joshur sekretaret e vetmuara që punonin në institucione të rëndësishme shtetërore në Berlinin perëndimor. Kontakti i parë ndodhte në një stacion autobusi, kafe apo gjatë pushimit të drekës. Një djalë i pashëm niste fillimisht bisedën e më pas niste loja e joshjes. Problemi i sekretareve të vetmuara ishte aq serioz sa autoritetet e NATO-s urdhëruan që të vareshin nëpër muret e zyrave të tyre foto që i udhëzonin që ta mbanin zemrën dhe gojën të mbyllur. Shërbimet sekrete njihen për metodat investigative, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve janë të panjohura për publikun. Me kalimin e viteve, një pjesë e informacioneve të klasifikuara mund të bëhen publike, duke hedhur dritë mbi mënyrën e funksionit të organizatave përgjegjëse për mbledhjen e sekreteve që kanë lidhje me sigurinë e vendit.Por, për të mbledhur informacion, shërbimet sekrete nuk përdorin gjithnjë metodat tradicionale të hetimit. Shërbimet sekrete, veçanërisht CIA janë përpjekur gjithnjë të përdorin metoda që në gjuhën e përditshme quhen paranormale për të arritur objektivat. Shumë projekte të bëra publike dëshmojnë se shërbimet sekrete kanë ngritur grupe pune që kanë studiuar hipnozën, kanë përdorur objekte studimi, të cilëve u kanë injektuar drogëra të ndryshme për të parë reagimet dhe dobësinë e subjekteve në gjendje të caktuara. Një prej këtyre ishte projekti “Artichoke”, i cili mblodhi bashkë divizionet e inteligjencës të ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe FBI-së. Informacionet se disa vende përdorin parashikues dhe persona me aftësi për të lëvizur gjërat me mendje ishin të vagëta në SHBA, prandaj CIA vendosi të hetonte për të parë sesa e mundur ishte një gjë e tillë. Janë krijuar shumë programe në vite të ndryshme, një pjesë e tyre tani janë hapur për publikun, për të bërë kërkime në këtë fushë. Konkluzionet paraqiteshin në çdo mes viti para Senatit dhe rezultatet mbaheshin sekrete nga “parashikuesi”. Gjithsesi, përdorimi i femrave të bukura për të joshur njerëzit e duhur ka qenë një ndër metodat më efikase dhe rusët kanë qenë pa dyshim mjeshtër në këtë pikë.
Elizabeth Bentley
Ishte një grua shumë e bukur amerikane, e cila u aktivizua si agjente sekrete për KGB-në në vitin 1940. Ajo u rekrutua nga sovjetikët dhe ra në dashuri me kontrollorin e saj, Jacob Golos. Ajo joshi të paktën 8 zyrtarë amerikanë dhe në biseda intime u nxirrte të dhëna në llogari të sovjetikëve
Lona Cohen
Ishte anëtare e Partisë Komuniste në SHBA. Ajo u rekrutua në spiunazhin sovjetik nga bashkëshorti i saj Morris Cohen. “Lesley”, ky ishte kodi i saj, dërgonte materiale nga projektet e armëve atomike amerikane në konsullatën sovjetike në Nju-Jork.
Maria Konnenkova
Albert Ajnshtajn mund të ketë qenë gjeni, por jo aq i zgjuar sa për të shmangur magjepsjen me agjenten sekrete Maria Konnenkova. Ajo e takonte Ajnshtajnin në vitin 1940, për të mbledhur informacione për përpjekjen e amerikanëve për të shpikur bombën e parë bërthamore
Melita Norwood
Është ende gjallë dhe e thërrasin “gjyshe Hola”. Në vitet ‘30 ajo mbështeti rusët nën udhëheqjen e Stalinit për planet e bombës bërthamore. Agjentja 0087 punonte në një institut të kërkimeve shkencore dhe çonte dokumente sekrete rusëve, pa rënë në sy nga MI5.
Ethel Rosenberg
Aspironte të bëhej këngëtare dhe aktore, por kryesisht punoi si sekretare në një kompani anijesh. U akuzua dhe u dënua me vdekje për dhënien e sekreteve të ushtarakëve amerikanë rusëve. Sipas gjykatësve, Rosenberg kishin sjellë vdekjen e 50 mijë ushtarëve në Kore e gjithashtu kishin shitur edhe sekretet bërthamore te sovjetikët
Maria Knuth
Ishte një gjermane e rekrutuar nga KGB-ja, për shkak të bukurisë së saj dhe për aftësinë e saj për të tërhequr oficerët britanikë dhe amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo kërcente në kabare. Edhe më parë Knuth ishte përdorur për qëllime spiunazhi.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply