
Ismet, djali!
Kur zotrote iu fute tokës Helene nga Kapshtica, unë kapërceva Muriqanin. E dua Malin e Zi për një arsye madhore: vjehrri im (babai me ligj, siç llafosin anglezët) jo vetëm ka prejardhjen nga krahina e Shestanit në Malin e Zi, por edhe ka lindur dhe është rritur në Podgoricë. Në makinë ishim copë: tre. Unë. Antoneta- Nusja ime e vetme me dy dasma; një në diktaturë e tjetrën në demokraci. Marlis – Nusja e djalit me origjinë nga Kosta Rika! E kupton, mo?! Hamë në një “çanak”: shqiptarë, malezezë, kostarikanë?! “Po fe”, do të thuash ti? Copë tre. Unë – orthodoks. Vjehrri-katolik. Vjehrra-myslymane. Antoneta – gjysëm për gjysëm. Djali, Eniani- i nakatosur. Marlisa-katolike.
Në mesditë mbërritëm në Budva. Bëmë konak në hotel “Splendi”. Me pesë cepa. (Mos është mungesë takti të të them, ‘zonjëza ime’, se hoteli është i shtrenjtë për xhepin tonë të shpuar? Të zëmë një tjetër me tre cepa? Ma preu fjalën me sëpatë të madhe: “Më vjen turp nga shoqet, po të marrin vesh që gruaja e Mitro Çelës pronotoi në një hotel tip gabi. U plake e u thinje dhe nuk u bërë evropian. Pika burrit!
Koha ishte vende-vende. Si do ta shtyjmë- pyeta”? “Kemi pishine i dashur” – tha ajo. Hapëm valixhet. Unë kam lindur ditën e tersit: kisha harruar rrobat e banjës. Në mëri e sipër u hodha mbi krevat. Pa kuptuar më zuri gjumi. Në ëndërr m’u faneps një Profet. Më vuri dorën mbi kokë dhe më tha:
-Jam Profeti Ilia. Pse të shoh të hidhëruar?
-Kam harruar të zbathurat në Tiranë (kjo fjalë është më afër të vërtetës. Me gjuhën e statistikës brekët më shumë zbathen sesa mbathen. Si the, si the Ismet djali? Barabar? Jo, i dashur, jo! Harron brekët që pasi zbathen, flaken tek “Gjiri i Kurvave” në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Bile, thonë se vitet e fundit në këtë vend gjen më shumë të zbathura djemsh, sesa vajzash! U bëmë edhe ne si mbarë Evropa. A nuk e tha kryeministri Berisha, se në Shqipëri do të lejohen me ligj martesat homoseksuale?!)
-Mos e ha veten me dhëmbë. Nuk ke bërë asnjë mëkat – foli me buzën në gaz Profeti. – E ke nga sëmundja. Ti ke qenë deputet. Ke 7 vjet që merr pensionin e deputetit. Perëndia ka menduar edhe për ju. Kur Adami bëri mëkatin e parë me Evën.
-Ne politikanët e moderuar, na kane mësuar Ismet Drishti, t’i themi “seks”.
-Fjalë mëkatare për një politikan kur është në gjumë. Zoti, midis shumë e shumë sëmundjesh që i dërgoi peshqesh botës, gatoi edhe një sëmundje për deputetët. Quhet amnezia. Robi i Perëndisë, sa merr mandatin e deputetit, e zë amnezia. I sëmurë torollepset dhe harron të shkuarën.
I befasuar nga filozofia e Profetit, pasi e pashë në dritë të syrit, e pyeta si demokrat i sahatëve të para që jam:
-Pse pikërisht Ju erdhët të bisedoni me mua? Unë njoh shumë profetë e shenjtorë të dëgjuar si p.sh. Shën Mitrin- nga më rrjedh emri Mitro. Shën Speridhonin nga rrjedh emri i babait – Pilo. Mos mbani ju lidhje me politikanët e dështuar?
-Jo, jo o dele e Perëndisë. Unë kam qenë mik i stërgjyshit tënd, Çelo Zërës me famë. Ai që me bëmën e tij me Ali Pashë Tepelenën i dha “farën” Shmidit nga Austria të të bëjë ty me “Gjak Blu”. Edhe unë kam një “story” me arratisje për homoseks. Ti e ke dëgjuar historinë kur udhëtoje nga Janina në Trikalla, në vitin 1992.
Ai fliste, mua m’u kthjellua mendja! Kur po udhëtonim në mes të një pylli, pamë një shkëmb të lartë. Mbi shkëmb një manastir. Për t’u futur në manastir duhet të të hidhnin litarin nga lart. Pse aq lart, – pyeta unë grekun që na shoqëronte. Dhe shoqëruesi tregoi:
-Na ishte një here e një kohë një prift i ri dhe i bukur. E quanin Ilia. E pa dhe ra në sevda Peshkopi. E ftoi për darkë dhe e futi në krevat. Pas kësaj, djali-prift i zhvirgjëruar dhe i përdhunuar mori arratinë. Ai ik dhe Peshkopi ndiq. Më në fund Ilia, për të shpëtuar të ndenjurat u ngjit lart mbi shkëmb si dhi e egër. Atje hëngri bukë e fiq dhe vdiq. Peshkopit i dhëmbi zemra, iu dogj xhani. Duhet të futesh në “klabin” tonë për ta kuptuar këtë thëmbkë, më ka thënë një ish-ambasador kur i rrëfeva historinë. Në shenjë respekti, Peshkopi ndërtoi manastirin dhe e shpalli Ilian Profet. E meritonte.
Në dhomë hyri zonja Sikter! Më prishi ëndrën më të fisme të jetës sime! Duke fërkuar sytë rashë në të thella: Profeti Ilia kishte të drejtë për sëmundjen e amnezisë. Unë jam vetë shahit dhe provat i kam në xhep. Këtu e 17 vite më parë, më saktë në vitin 1992, Ismet djali vura kanditaturën për deputet i PD-së. Zgjodha Patosin. Më parë se të nisesha, mora lapsin dhe gatova një program elektoral. Programin e botova në gazetën “RD”, ku isha kryeredaktor. I armatosur deri në dhëmbë me premtime, mora rrugën për të takuar elektoratin.
Ishte pak si ftohtë. Kështu takimin e filluam në klub. Shumë raki, pak meze dhe na zuri darka. Po populli, thashë unë?! “Populli bleu gazetën. I lexoi premtimet dhe i pëlqeu”. Thanë ata. Po unë dua të flas – thashë unë. Po fol, kush të pengon?! Dua elektorat. Pse nuk ta mbushim syrin NE? Ti thuaj ato që të do zemra dhe NE vëmë tellalin të dëgjojë i madh e i vogël. U binda. U ngrita në këmbë dhe ligjërova si bilbil:
-Të nderuar qytetarë! Unë jam i gjezdisur nëpër botë. Kam kudo miq. Kam takuar Andreotin, kryeministrin e Italisë. Kam bërë llogo me Micotaqin, kryeministrin e Greqisë!
“Si shumë po mburret ky verdhacuku, dëgjova një zë! E mo, le të shfrejë. Se mos është i pari”. Këto pësh-pëshe më dhanë zemër. Unë do ta binjakëzoj Patosin me Trikallën (Greqi), me Bolonjën (Itali), me Shangain.
Ismet,djali!
Tani lexo kryeveprën për të kuptuar se çfarë është politika. Një ditë të bukur prilli ’92, në Sallën e Kuvendit të Shqipërisë u betuam. U pagëzuam me emrin “baballarë të kombit”. Kur thashë fjalën: Betohem, diçka sikur më rrodhi në trurin e vogël. Harrova vendin ku isha deputet. Pyeta Teodor Kekon që më rrinte në krah: “Dorkë! Di gjë ti, ku jam unë deputet?”. Ti je në Patos. Po ti di gjë ku e kam unë elektoratin? Uëëë…mos luajtëm nga fiqiri”!
Ndërkohë dikush foli nga radhët e fundit: “Mitron e kërkon elektorati në kafe”. Dola jashtë. Jemi nga Patosi, – më thanë. Nuk u njoh – u thashë. Ku jemi parë? Pastaj vërshuan letrat. Ku je o deputet?! Na premtove për shkolla, por morëm opingën e sheres. Na u tha gërmazi për ujë. Ku i ke vëndet e punës? I thashë vetes: “Pse m’i dërgojnë pikërisht mua këto letra, që nuk kam as mustaqe për kryeministër, (rasti Meksi) e as baluke për President (rasti Berisha)?!
Ismet, djali! Ti e kupton se unë nuk kisha asnjë faj. Qyrkun e kishte sëmundja e amnezës. Më ishin “thartuar” trutë. Pa harruar edhe faktin që deputeti, pijaneci dhe budallai janë një: Të papërgjegjshëm për ato që premtojnë e thonë.
Tani i erdhi radha pyetjes, që publikisht më bën: “Ti si “baba” kombi, më thuaj çfarë po bën vaki mes deputëtëve në vatanin tënë?”! Pyetje naive. Kjo tregon se nuk ke njohuri për sëmundjen e amnezisë. Po të freskoj kujtesën. Këtu e 9 muaj më parë ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti foli në konferencë shtypi. Tha: “Isha një herë tek zyra e Edi Ramës. Në syrin tim, Edi thithi kokainë! E dini ju të dashur gazetarë se sa para harxhon Rama për kokainën që pi? 3 mijë euro në ditë?”. Ikë e ik! Dhe Dritani ra nga fiku. Mori nga zyra kasetën që kishte regjistruar bisedën me Metën dhe e publikoi. Hallall. Por kur e pyetën gazetarët në konferencën e shtypit për kokainën që pinte Rama nuk dha përgjigje. E bën dot me faj Priftin, Ismet djali? Jo! Nuk ka faj. Ai është deputet, domethënë vuan nga amnezia. Harron ato që thotë. I janë “thartuar” trutë, si puna ime.
Morali?! Nëse nga amnezia do të vuanim vetëm unë dhe Prifti, do të ishim për çmim “Guiness”! Por, siç thotë edhe Profeti Ilia, kjo është një sëmundje Perëndie për të gjithë deputetët.
Ismet, djali! Ti si humorist mund të kujtosh ato që ka thënë dje Berisha me Metën kur ishin në fronte luftarake. Të dy i kanë harruar, sepse sot janë në një istikam. Po hape gazetat, do të gjesh thagma pa fund të Ngjelës, Zogaj, Cekës, Pollos, Nanos. I kanë harruar sot për faj të amnezisë. Kur ua kujton ndonjë analisti mbledhin supet, sepse u tingëllojnë si sajesa në skutat e politikës dhe gazetarisë. Nuk i bën dot me faj. Amnezia, sëmundja universale. Do një këshillë nga unë, miku im? Harroje politikën! Merru me humor dhe rrëmbeji popullit buzëqeshje dhe duartrokitje!
P.S. Të bëj me dije se unë kam miqësi me Brixhid Bardonë. Jemi njohur në vitin 1992, kur unë isha për vizitë në Paris. Më prezantoi me aktoren e famshme ish ambasadori ynë në Francë, Luan Rama. Brixhita mbron të drejtat e kafshëve në përgjithësi dhe të qenve në veçanti. I qëndisa një letër për shkeljen e të drejtave të qenve në Tiranë. Përgjigjen do ta botoj tek jotja gazetë.
Marre nga Arkivi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply