Nga Laureta Petoshati
Në Brat të Labërisë, që i përket rrethit të Vlorës, tregohet një histori e vjetër për tre burra që vendosën të bënin raki pa pasur rrush. Shkuan dhe vodhën rrush në një fshat fqinj dhe u akuzuan si hajdutë. Meqë nuk kishin pasur hardhi dhe po e zienin rrushin në kazanë, u dyshuan për vjedhjen.
Pleqtë e fshatit u mblodhën për gjyqësi dhe kërkuan që të betoheshin përpara Zotit.
I pari, që nuk ishte futur fare në bahçen me hardhi, sepse bënte roje jashtë gardhit, u betua se nuk kishte vënë këmbë aty dhe nuk ishte futur fare në bahçe.
I dyti, që kishte mbajtur tjetrin mbi shpatulla për të këputur rrushin, sepse hardhia ishte mbi një shtrat të lartë, u betua se nuk kishte këputur asnjë kokërr rrushi.
I treti, ai që ishte ngjitur mbi shpatullat e tjetrit dhe kishte këputur rrushin, u betua se nuk kishte vënë këmbë në tokën e hardhisë.
Të tre u betuan për gjëra që, fjalë për fjalë, nuk i kishin bërë. Dhe kështu lindi ajo që u quajt “Beja e Bratit”: një betim me fjalë të zgjedhura, që nuk e thotë të pavërtetën drejtpërdrejt, por fsheh të vërtetën e plotë pas një loje fjalësh.
Kjo be më kujtoi kryeministrin, që na u betua në konferencën për shtyp se nuk kishte futur në xhep asnjë qindarkë të shqiptarëve.
Mirë, por lind pyetja: a duhet të jenë paratë medoemos në xhepin e tij që ai të ketë përfituar prej tyre?
Nuk kishte pse t’i fuste duart vetë në xhep. Për këtë mund të ketë të tjerë: Bela me kompani.
Nuk kishte pse t’i mbante paratë në xhepin e vet. Ka banka, kompani, offshore, investime, prestanome dhe forma të tjera për të administruar pasurinë.
Pra, njësoj si në Benë e Bratit, mund të kemi një fjali që është teknikisht e saktë, por që nuk na tregon të gjithë historinë.
“Nuk kam futur në xhep asnjë qindarkë” është një betim.
Por pyetja që mbetet është tjetër: A mjafton të mos i kesh futur vetë në xhepin tënd për të thënë se nuk ke përfituar prej tyre, kur shkon me charter-a, fle në hotele luksoze, jep copa atdheu për përfitime politike?
Se Beja e Bratit na mëson një gjë të vjetër:
Mund të betohesh për atë që nuk ke bërë, duke lënë pa thënë atë që ke bërë. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse betimet duhen shoqëruar me prova.
Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply