Kryeministri Edi Rama, gjatë Konferencës Ndërparlamentare me përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve të BE-së, ka përsëritur mesazhin se integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të mbetet një prioritet strategjik për Bashkimin Europian.
Rama tha se në Shqipëri mund të ketë debate dhe kundërshti të forta politike, por sipas tij ekziston një konsensus i gjerë për orientimin europian të vendit. Ai u shpreh se shqiptarët “e duan Europën” dhe kërkoi që rajoni të mos mbetet jashtë procesit të zgjerimit.
Në fjalën e tij, Rama paralajmëroi se një dështim i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk do të kishte pasoja vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë Bashkimin Europian. Ky është një argument që Rama e ka përsëritur edhe muajt e fundit, duke e paraqitur zgjerimin jo si “favor” ndaj vendeve të rajonit, por si një interes strategjik të Europës.
Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, ndërsa procesi vijon të kushtëzohet nga përmbushja e kritereve të BE-së dhe vlerësimi mbi bazën e meritës.
Mesazhi i Ramës ishte i drejtpërdrejtë: “Ne e dashurojmë Europën. Mos na lini në baltë.” Sipas tij, mbajtja e Ballkanit Perëndimor jashtë projektit europian do të përbënte një humbje më të gjerë politike dhe strategjike për kontinentin.
Burimi/Facebook/Reveal Mediaa


Leave a Reply