
Ti nuk je veç gjuhë,
por je gjaku që këndon ndër deje,
je zani i maleve ku bubullijnë dimnat,
je fryma e lisit që nuk përkulet para stuhisë.
Ke lindun ndër shpella pellazgo–ilire,
kurë gurët flisnin me vetëtimat,
ku shqipet pinin diellin,
mbi kreshtat e Akrokerauneve t’lashta.
Të deshën zanat e bjeshkëve,
e t’pagëzun me ujë burimesh,
prandaj tingëllon si kanga e lahutave,
kur del prej buzëve shqiptarësh.
Ty nuk t’shkroi fillimisht pena,
por plagët.
T’shkroi shpata mbi mburoja,
t’shkroi gjaku mbi dheun e Arbnit.
Kur perandoritë ndiznin ferrin,
ti u fshehe si prushi nan hi,
n’odat ku pleqtë rrëfenin motet,
n’ninullat e nanave mbi djepat.
Shpesh të ndoqën si ujkun n’dimën,
deshën me t’vorrosë nan gurë t’huaj,
por ti dole përsëri prej tokës rilindun,
si bari e gjethi pas shinave n’maj.
Ti je gjuha që di me qa si fyell,
e me shpërthye si kushtrim lufte,
me këndue si zogjt n’pyll,
e me bubullue si rrufetë e reve.
N’ty puthet dashnia me vdekjen,
si deti që puth shkambin n’natë stuhiet.
N’ty rron historia bashk me kreshnikët,
si gjaku me zemërn n’trup t’njeriut.
Kur shqiptari mbetet vetëm n’mërgim,
ti i ndizesh n’shpirt si votër n’vegim,
si era e bukës së nanës,
si kambana e nji kishe t’braktisun ndër male.
N’çdo fjalë tande fle nji legjendë:
nji kalorës i mbulu me mjegullën,
nji vajzë që pret te kroi i gurit,
një trim që bie e s’e lëshon flamurin.
O gjuhë e lashtë sa vetë rrufetë,
sa herë t’flas,
m’duket sikur zgjoj prej vorreve,
t’parët që flenë nan pllaka shekujsh.
Ti je urë mes tokës e diellit,
mes vdekjes e pavdekësisë.
Nji alfabet i gdhendun me yje t’qiellit,
mbi ballin e shkambinjëve t’shqiptarisë.
Dhe nji ditë,
kur të treten kufijtë e njerëzve,
kur qytetet t’bahen hi e kujtim,
ti do të mbetesh prapë,
si kanga e fundit e lahutës,
që s’e mbyt dot as vdekja.
Burimi/Facebook


Leave a Reply