Një udhëtim drejt burimeve të urtësisë dhe filozofisë së të jetuarit
Për më shumë se 2.500 vjet, mendimet dhe veprat e filozofëve e mendimtarëve të mëdhenj të Lindjes dhe Perëndimit kanë udhëtuar nëpër shekuj, duke kapërcyer kufijtë e kohës, hapësirës dhe qytetërimeve. Ato janë lexuar, studiuar, përsiatur dhe përqafuar nga breza të tërë njerëzish, sepse brenda tyre fshihet një pasuri shpirtërore dhe intelektuale që nuk e njeh zhvlerësimin. Koha mund t’i rrënojë perandoritë, t’i shuajë lavditë dhe t’i mbulojë gjurmët e njerëzve, por nuk ka arritur kurrë ta varrosë një mendim të madh.
Mësimet e Epikurit, Mark Aurelit, Sokratit, Platonit, Aristotelit, Lao Tzu-së, Konfucit, Patanjalit dhe shumë të tjerëve nuk i përkasin vetëm së kaluarës. Ato mbeten udhërrëfyes të çmuar edhe për njeriun e sotëm, i cili, ndonëse jeton në një botë të mbushur me teknologji, informacion dhe mundësi të pafundme, shpesh e ka humbur busullën e brendshme dhe paqen me vetveten.
Sokrati na mësoi se njohja e vetvetes është fillimi i urtësisë; Aristoteli na kujtoi se virtyti ndërtohet përmes veprimit dhe zakonit; Epikuri na tregoi se lumturia nuk matet me pasurinë e grumbulluar, por me qetësinë e shpirtit; ndërsa Mark Aureli na la një mësim të pavdekshëm: nuk kemi gjithmonë pushtet mbi atë që ndodh jashtë nesh, por mund të kultivojmë pushtetin mbi mendimet dhe qëndrimin tonë ndaj jetës. Lao Tzu, nga ana tjetër, na kujton se urtësia nuk qëndron gjithmonë te forca e zërit, por shpesh te heshtja, përulësia dhe fuqia e brendshme.
Në të vërtetë, këta mendimtarë nuk na flasin vetëm për ide abstrakte, por për vetë qenien njerëzore: për dashurinë dhe marrëdhëniet, familjen dhe miqësinë, punën dhe përgjegjësinë, dëshirat dhe zhgënjimet, mallin dhe lirinë, frikën dhe pasigurinë, vuajtjen, pleqërinë dhe vdekjen. Ata na ndihmojnë të kuptojmë se jeta nuk është vetëm ajo që na ndodh, por edhe mënyra se si e përjetojmë, e kuptojmë dhe i japim kuptim asaj.
Prandaj, dua të kthehem te këto burime të pashtershme të dijes, te mendimet që kanë ndriçuar rrugën e njerëzimit dhe që vazhdojnë të hedhin dritë mbi udhëtimin tonë. Dua t’i risjell këto mendime në gjuhën e jetës së përditshme, t’i interpretoj dhe t’i bëj sa më të kuptueshme, duke kërkuar në to jo vetëm filozofinë e fjalëve, por edhe filozofinë e të jetuarit.
Sepse dituria që mbetet vetëm në libra është si një burim uji pranë të cilit kalon udhëtari i etur pa e shuar etjen. Vlera e saj e vërtetë shfaqet atëherë kur ajo bëhet pjesë e mendimit, e sjelljes dhe e ndërgjegjes sonë.
Në fund të fundit, nuk është e rëndësishme vetëm sa dimë, por çfarë bëjmë me atë që dimë. Nuk mjafton të lexojmë për urtësinë, duhet të mësojmë të jetojmë me të. Sepse njeriu nuk bëhet më i mençur vetëm duke mbledhur dije, por duke e shndërruar atë në dinjitet, maturi dhe mirësi njerëzore.
Filozofia nuk është thjesht arti i të menduarit për jetën, por përpjekja e vazhdueshme për të mësuar se si duhet jetuar ajo.
Berlin, nëntor 2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply