83-vite nga krijimi i OKLL🇦🇱
21 Nëntor 1943 – 21 Nëntor 2026
Legaliteti lindi në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë kombëtare. Ai u organizua si një formacion politik dhe ushtarak nacionalist për të vazhduar luftën kundër okupatorit, për të mbrojtur legjitimitetin shtetëror, për të kundërshtuar vëllavrasjen dhe për të mbajtur gjallë idealin e një Shqipërie të lirë, sovrane dhe të bashkuar nën Kurorën Mbretërore.
Më 21 Nëntor 1943, me krijimin e Organizatës Kombëtare «Lëvizja e Legalitetit» (OKLL), ky ideal mori një organizim të qartë politik dhe kombëtar.
Por historia e Legalitetit nuk nis vetëm në vitin 1943. Ajo i ka rrënjët në organizimet politike të fillimviteve 1920 dhe në procesin historik që kulmoi me Triumfin e Legalitetit të vitit 1924, duke vazhduar me ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar nën drejtimin e Ahmet Zogut.
Kështu, Legaliteti u bë bartës i një filozofie politike që vendos në themel të saj shtetin, ligjin, rendin, legjitimitetin, sovranitetin dhe interesin kombëtar.
DJE LEGALITETI, NJË FORMACION POLITIK NACIONALIST PËR ÇLIRIMIN DHE BASHKIMIN KOMBËTAR
Pas pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 Prill 1939 dhe largimit të detyruar të Mbretit Zog, forcat zogiste brenda vendit, nën drejtimin e gjeneral Abaz Kupit, vijuan qëndresën kundër pushtuesit.
Abaz Kupi u përpoq të bashkonte forcat politike shqiptare në luftën kundër okupatorit, duke marrë pjesë në Konferencën e Pezës dhe duke luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e Konferencës së Mukjes në vitin 1943.
Prishja e Marrëveshjes së Mukjes dhe orientimi i komunistëve drejt marrjes së pushtetit me forcë shënuan një kthesë tragjike, duke hapur rrugën e përçarjes kombëtare dhe të konfliktit ndërmjet shqiptarëve.
Në këto rrethana, më 20 Nëntor 1943, në Zall-Herr të Tiranës, u mblodh Kuvendi Kombëtar, i cili më 21 Nëntor shpalli krijimin e Organizatës Kombëtare «Lëvizja e Legalitetit».
Programi i saj mbështetej në vazhdimin e luftës kundër okupatorit, rikthimin e rendit kushtetues të para 7 Prillit 1939, rikthimin e Mbretit Zog në fron, bashkimin e trojeve shqiptare dhe bashkëpunimin me aleatët anglo-amerikanë.
Legaliteti nuk ishte vetëm një organizim për rrethanat e luftës. Ai përfaqësonte një projekt për Shqipërinë e pasluftës, një shtet të lirë, të pavarur, me institucione legjitime dhe me perspektivë demokratike.
Vendosja e diktaturës komuniste e detyroi Legalitetin të vazhdonte veprimtarinë në mërgim, por nuk arriti të shuante idealet e tij për liri, demokraci, bashkim kombëtar dhe Mbretëri Kushtetuese.
Kjo është trashëgimia jonë historike. Një trashëgimi që nuk kufizohet në emra, data dhe përkujtime, por që përfaqëson një filozofi shtetformuese dhe një përgjegjësi të vazhdueshme kombëtare.
SOT PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT, NGA TRASHËGIMIA HISTORIKE NË ALTERNATIVËN POLITIKE PËR TË ARDHMEN E VENDIT!
Me rikthimin e pluralizmit politik, Legaliteti u riorganizua në Shqipëri si Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL), duke ruajtur filozofinë zogiste, identitetin e djathtë tradicional dhe orientimin konservator e kombëtar.
Gjatë gjithë këtyre viteve, PLL ka mbrojtur idealin e Monarkisë Kushtetuese, bashkimin kombëtar dhe parimet e shtetit të së drejtës. Ajo ka qenë pjesë e rëndësishme e procesit politik për rikthimin e formës monarkike të regjimit në Referendumin e vitit 1997.
Sot, pas 83 vitesh nga themelimi i OKLL-së dhe 102 vitesh nga zanafilla historike e Legalitetit, kemi përpara një përgjegjësi të re.
Nuk mjafton të ruajmë historinë. Duhet ta kthejmë atë në vizion politik.
Nuk mjafton të jemi krenarë për atë që përfaqësuan paraardhësit tanë. Duhet të dëshmojmë se dimë t’i përgjigjemi sfidave të kohës.
Nuk mjafton të jemi kundër një qeverie apo një force politike. Duhet të ofrojmë një alternativë të besueshme për qeverisjen e vendit.
PLL mbetet sot një alternativë politike që nuk jeton vetëm me lavdinë e së kaluarës, por ndërton të ardhmen mbi vlerat e saj historike.
Shqipëria ka nevojë për më shumë se një rotacion pushteti. Ka nevojë për ndryshim të modelit të qeverisjes, për institucione që qëndrojnë mbi partitë, për drejtësi të pavarur, për ekonomi zhvilluese dhe për një vizion kombëtar që i bashkon shqiptarët.
Për këtë arsye, ne synojmë që filozofinë e Legalitetit ta shndërrojmë në një projekt politik bashkëkohor, me objektiva të qarta:
MONARKIA KUSHTETUESE, NJË MODEL PËR UNITETIN DHE STABILITETIN SHTETËROR
Rikthimi i Mbretërisë Kushtetuese, me Princ Leka II si Mbret të Shqiptarëve, përbën një nga objektivat tona themelore.
Ne e shohim Monarkinë Kushtetuese si një model demokratik, ku institucioni i Kreut të Shtetit përfaqëson vazhdimësinë historike, unitetin kombëtar dhe qëndrueshmërinë institucionale, përtej interesave dhe rotacioneve partiake.
Një shtet ku sovraniteti i përket popullit, Kushtetuta është themeli i funksionimit institucional dhe ligji është i barabartë për të gjithë.
BASHKIMI KOMBËTAR, NJË MISION HISTORIK DHE POLITIK
Bashkimi i shqiptarëve mbetet një ideal themelor i Legalitetit.
Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, afrimi i të gjitha trevave shqiptare, mbrojtja e të drejtave kombëtare dhe krijimi i hapësirave të përbashkëta ekonomike, kulturore dhe institucionale janë hapa të domosdoshëm drejt këtij objektivi.
Ne besojmë në një komb të bashkuar, që vepron si një faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në rajon.
SHTETI I SË DREJTËS, FUNDI I KAPJES SË INSTITUCIONEVE
Shqipëria ka nevojë për institucione të pavarura, drejtësi të paanshme, administratë profesionale dhe përgjegjësi të barabartë përpara ligjit.
Asnjë pushtet, parti apo individ nuk duhet të jetë mbi interesin publik dhe ligjin.
Lufta kundër korrupsionit, llogaridhënia dhe ndarja reale e pushteteve duhet të jenë themele të shtetit modern shqiptar.
ZHVILLIMI EKONOMIK, SHQIPËRIA SI MUNDËSI PËR SHQIPTARËT
Bazë KTHIMI I PRONËS
Ne kërkojmë një model zhvillimi që mbështetet te prodhimi vendas, bujqësia, industria, turizmi cilësor, sipërmarrja dhe investimet.
Një ekonomi që krijon vende pune, mbështet familjen, garanton siguri juridike për pronën dhe kapitalin dhe u jep të rinjve mundësinë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me politika konkrete për frenimin e shpopullimit dhe rikthimin e besimit te Shqipëria.
FAMILJA DHE IDENTITETI KOMBËTAR, JANË VLERAT QË NA MBAJNË TË BASHKUAR
Mbrojtja e familjes, pronës, traditave, historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar përbën një pjesë të pandashme të filozofisë sonë konservatore.
Ne besojmë në një shoqëri me vlera, me përgjegjësi qytetare, me respekt për historinë dhe me besim te e ardhmja.
PLL MBETET NJË E DJATHTË TRADICIONALE E ORGANIZUAR, BASHKUESE DHE QEVERISËSE
Shqipëria ka nevojë për një të djathtë që të mos kufizohet vetëm në opozitën ndaj qeverisë, por të ofrojë një projekt të qartë alternativ qeverisës.
PLL duhet të jetë pjesë aktive e këtij procesi, duke afirmuar identitetin e saj zogist, konservator, kombëtar dhe demokratik.
Ne besojmë te bashkëpunimi mbi parime, te bashkimi i forcave që ndajnë vlera të përbashkëta dhe te ndërtimi i një alternative që i përgjigjet interesit të qytetarëve dhe kombit.
LEGALITETI ËSHTË PROJEKT POLITIK PËR TË ARDHMEN
Kjo është sfida jonë e re.
PLL po punon të forcojë organizimin e saj në të gjithë Shqipërinë, të zgjerojë përfaqësimin, të afrojë brezin e ri, intelektualët, profesionistët, sipërmarrësit dhe familjet me traditë legaliste.
Pavarsusht vështirësive PLL duhet të jetë më e pranishme në jetën publike, më aktive në debatet politike dhe më konkrete në propozimet për zgjidhjen e problemeve të vendit.
Duhet të ndërtojë një organizim modern, me njerëz të përkushtuar, me strukturë funksionale dhe me një program që përkthehet në politika të realizueshme.
Nuk duhet të kërkojmë vetëm të ruajmë vendin tonë në historinë politike shqiptare. Duhet të synojmë të kemi rol në përcaktimin e së ardhmes së saj.
Kjo është mënyra më e mirë për të nderuar Ahemet Zogun, Abaz Kupin, dhe të gjithë ata që sakrifikuan për idealet e Legalitetit.
LEGALITETI MBETET NJË VLERË KOMBËTARE QË DUHET BASHKUAR DHE REALIZUAR!
Të gjithë legalistët, pasardhësit e familjeve legaliste, mbështetësit e Monarkisë Kushtetuese dhe qytetarët që besojnë në vlerat tona duhet ta shohin këtë 82-vjetor si një pikënisje për një fazë të re bashkimi dhe veprimi.
Këtë rrugë e kemi nisur me projektin:
«KTHIM TEK RRËNJËT, KUJTOJMË DHE VLERËSOJMË!»
Por kthimi tek rrënjët nuk është kthim pas. Është rikthim te vlerat për të ndërtuar të ardhmen.
Është koha që Legaliteti të dalë më fuqishëm në skenën politike shqiptare, jo vetëm si trashëgimtar i një historie të lavdishme, por si bartës i një alternative kombëtare, konservatore dhe zhvilluese.
83 vite më parë, Legaliteti u organizua për çlirimin, lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve.
Sot, detyra jonë është të ndërtojmë një Shqipëri të zhvilluar, me shtet të së drejtës, me institucione të qëndrueshme, me ekonomi të fortë dhe me një komb të bashkuar nën Kurorën Mbretërore.
LEGALITETI NUK ËSHTË VETËM HISTORI PËR T’U KUJTUAR, POR NJË IDEAL KOMBËTAR PËR T’U REALIZUAR DHE NJË ALTERNATIVË POLITIKE PËR TË ARDHMEN!
Gëzuar 83-vjetorin e themelimit të Partisë Lëvizja e Legalitetit!
Mbarësi, shëndet dhe bashkim për çdo legalist dhe çdo shqiptar, kudo ku ndodhet!
ATDHEU MBI TË GJITHA! 🇦🇱🇦🇱
Shpëtim Axhami
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit
Tiranë, më 21 Nëntor 2026



Burimi/Facebook


Leave a Reply