Zürich, Kantoni Cyrih, Zvicër
·
SHKSHZ, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, shënoi mbrëmë një jubile të rëndësishëm kulturor: 50-vjetorin e krijimtarisë letrare të poetit dhe publicistit Shaip Beqiri.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe të denjë për një përvjetor të tillë, mbrëmjen e hapi kryetari i SHKSHZ-së, Valdet N. Berisha, i cili, pasi përshëndeti autorin, përfaqësuesit e Konsullatës dhe të gjithë të pranishmit, i dha fjalën Konsullit të Përgjithshëm, Vigan Berisha, për fjalën e tij përshëndetëse.
Në vijim, Bujar Salihu paraqiti një shkrim të gjerë mbi udhën letrare dhe publicistike të Shaip Beqirit, duke sjellë para publikut etapat kryesore të krijimtarisë së tij, librat, angazhimin publicistik dhe gjurmën që ai ka lënë përgjatë pesë dekadave në jetën letrare dhe kulturore shqiptare.
Më pas, Valdet N. Berisha paraqiti një vështrim kritik më të thelluar mbi krijimtarinë 50-vjeçare të Shaip Beqirit, duke u ndalur në veçantitë e gjuhës së tij poetike, figuracionin, tematikën dhe zhvillimin e poetikës së tij ndër vite.
Një pjesë e veçantë e mbrëmjes ishte edhe biseda me autorin, gjatë së cilës Shaip Beqiri foli për rrugëtimin e tij krijues, raportin e tij me fjalën, kujtesën, letërsinë shqipe dhe përvojën e gjatë si poet dhe publicist.
Kjo mbrëmje ishte jo vetëm një shënim jubilar, por edhe një rikthim te një krijimtari që prej pesë dekadash vazhdon të ndërtojë marrëdhënien e vet me gjuhën, kohën dhe kujtesën.
Më poshtë po sjellim të plotë shkrimin e Bujar Salihut për udhën letrare dhe publicistike të Shaip Beqirit, si dhe vështrimin kritik të Valdet N. Berishës mbi krijimtarinë e tij 50-vjeçare.
Bujar Salihu
Të nderuar të pranishëm, të nderuar miq të librit dhe të kulturës, i nderuar Shaip Beqiri,
Është kënaqësi e veçantë të shënojmë përvjetorë të këtillë, aq më tepër kur janë kaq të rrallë ndër krijuesit tanë në Zvicër.
Kënaqësia është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për Shaip Beqirin, jo vetëm sepse krijimtaria e tij tashmë ka kaluar gjysmëshekullin, ashtu siç ka kaluar edhe përtej kufijve nacional, por edhe sepse vepra e tij letrare e publicistike ka vulën e një individualitet të veçantë krijues.
Në festa të këtilla, ekziston një pyetje e vjetër, njerëzore dhe e mençur:
Çfarë i solli një krijues kohës së vet dhe çfarë mbeti pas?
Arma e vetme që ka shkrimtari është fjala, dhe besoj se pikërisht këtu duhet të nisemi sonte për të folur për Shaip Beqirin. Për njeriun që, për më shumë se pesëdhjetë vjet, ka jetuar brenda gjuhës dhe magjisë së saj.
Shaip Beqiri lindi më 25 mars 1954 në Gllamnik të Besianës. Studioi Letërsi dhe Gjuhësi Shqiptare në Universitetin e Prishtinës dhe poezinë nisi ta botonte në fillim të viteve shtatëdhjetë. Ishte kohë kur poezia e Kosovës po fitonte zëra të fuqishëm e individualitete të dallueshme, mes tyre Beqir Musliu, Teki Dërvishi, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Jusuf Gërvalla e të tjerë.
Por fillimi i tij si shkrimtar nuk kishte asgjë nga romantika që shpesh ua ndërtojmë më vonë biografive të poetëve.
Ai kishte filluar me prozë më 1969. Pastaj, në një krizë të fortë pakënaqësie me atë që kishte shkruar, mori dorëshkrimet dhe i dogji.
Nga ai zjarr shpëtuan vetëm disa poezi që ndërkohë i kishte dërguar nëpër redaksi.
Paramendojeni një pesëmbëdhjetëvjeçar duke parë gjuhët e flakëve që përpinin faqet e tij të para.
Ndoshta pikërisht aty kishte filluar një marrëdhënie që do ta ndiqte gjatë gjithë jetës:
kërkesa e rreptë ndaj fjalës.
Në një bisedë që kam zhvilluar me të para disa vjetësh, kur e pyeta për gjuhën, më dha një formulim që, për mua, thotë shumë për gjithë marrëdhënien e tij me krijimin:
“Shkrimi letrar është trajta më e kristalizuar e gjuhës.”
Ndoshta nuk kemi nevojë ta shpjegojmë më shumë sonte këtë fjali.
Mjafton ta mbajmë në mend.
Sepse nga Fontana e etjeve, më 1976, te Flatrat e gjymta, Eklipsi i gjakut, Muranat e muzgut, Uragani i zhurit, përzgjedhjet Rekuiem për veten, Prangat e praruara e Hinoret e njëjta, Hidra e mllefit, e botuar edhe në gjermanisht, Muzeu i mërzisë, i botuar edhe në anglisht, dhe deri te dorëshkrimi më i ri, Zgavrat e zhymta, shtrihet një jetë e tërë në kërkim të asaj trajte të kristalizuar të gjuhës.
Dhe këtë zë e kishte dalluar herët edhe kritika jonë letrare.
Ibrahim Rugova, që më 1983, e veçonte Shaip Beqirin ndër poetët e shquar të brezit të tij dhe vinte në pah fuqinë e figurës poetike dhe thellësinë e gjuhës.
Ali Podrimja, vite më vonë, do të fliste për artikulimin e tij të veçantë dhe për “magjinë mahnitëse të fjalës”.
Nuk dua të hyj më tej në këtë rrafsh, sepse për veprën dhe vlerat e saj do të kemi sonte një fjalë të posaçme kritike nga Valdet Berisha.
Por dua të ndalem edhe te një përmasë tjetër e Shaip Beqirit, e cila nuk duhet të mbetet nën hijen e poetit.
Ai nuk e ka kaluar këtë gjysmë shekulli vetëm duke shkruar veprën e vet.
Ka kaluar një pjesë të madhe të jetës duke lexuar, redaktuar, intervistuar, botuar dhe ruajtur zërin e të tjerëve.
Miqtë dhe kolegët, jo rastësisht, e quajnë edhe një enciklopedi të gjallë të kulturës shqiptare.
Ka punuar në Bota e re, për shumë vite në Zëri, ka bashkëpunuar me Rilindjen, Fjalën dhe institucione të tjera. Bashkë me Adem Demaçin themeloi e drejtoi Forumin, ndërsa me Teki Dërvishin Zenitin.
Libri i tij voluminoz publicistik Mozaiku i mbuzur është pothuajse një hartë e kulturës sonë: dialogë, monologë, nekrologë, portrete dhe kujtime.
Aty kalojnë disa nga emrat më të spikatur të kulturës shqiptare: Adem Demaçi, Ismail Kadare, Anton Pashku, Bekim Fehmiu, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Frederik Rreshpja, Ibrahim Rugova, Ali Podrimja, Daut Berisha, Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Ymer Shkreli dhe shumë të tjerë.
Dhe këtu, për mua, poeti dhe publicisti bëhen një.
Kur shkrova dikur për Hidrën e mllefit, u ndala gjatë te poezia “Nata e fundit në atdhe”.
Aty Shaipi shkruan:
“Të mbetesha veç një gur
Një gur i vogël i lëmuar
Në bregun tënd prej rëre
Që e lëpin vala e madhe.”
Dhe atëherë pata shkruar se e konsideroja “poezinë më të realizuar që kam lexuar ndonjëherë për plagën e madhe të mërgimit.”
Edhe sonte nuk kam as arsyen më të vogël të largohem prej atij konstatimi.
Mund të kthehesh në vendin prej nga ke ardhur, por nuk mund të kthehesh plotësisht në kohën prej nga ke ikur.
Dhe ndoshta prandaj një varg tjetër i Shaipit, kushtuar babait, tingëllon kaq thjesht dhe kaq rëndë:
“Më mësove të mbahem për toke e fjale.”
Toka dhe fjala.
Dhe pikërisht këto dy fjalë na sjellin te ajo që po shënojmë sonte.
Kur e pyeta njëherë nëse, pas pesëdhjetë vjetësh krijimtari, mendonte se e kishte thënë tashmë atë që kishte dashur ta thoshte, përgjigjja e tij ishte e prerë:
“Do të shkruaj deri në frymën e fundit.”
Por shtonte se do të shkruante vetëm kur ta ndiente nevojën për ta plotësuar mozaikun e vet me diçka që nuk ia prish harmoninë.
Dhe këtu më rikthehet edhe një përgjigje tjetër e tij, ndoshta një nga më të bukurat që më ka dhënë në atë bisedë:
“Bota do të ketë nevojë për atë art madhështor aq sa do të ketë nevojë për bukurinë e shpirtit njerëzor.”
Ndoshta pikërisht këtu mund ta kërkojmë edhe kuptimin e gjithë kësaj rruge krijuese.
Paul Celan ka shkruar:
“Mes gjithë humbjeve, vetëm një gjë mbeti e arritshme, e afërt dhe e sigurt: gjuha.”
Dhe kjo fjali më duket se prek diçka thelbësore edhe në krijimtarinë e Shaip Beqirit.
Gjuha, mbetet si kujtesë, si strehë dhe si dëshmi.
Dhe brenda saj edhe poezia.
Për sa kohë që do të kemi nevojë të kujtojmë, për sa kohë që do të kemi nevojë të tregojmë prej nga vijmë dhe për sa kohë që do të kemi nevojë t’i themi njëri-tjetrit edhe ato që gjuha e zakonshme nuk arrin t’i thotë, do të kemi nevojë për letërsinë.
Dhe do të kemi nevojë për fjalën.
Atë fjalë që Shaip Beqiri, prej më shumë se gjysmë shekulli, vazhdon ta kërkojë.
Urime ky përvjetor i madh, Shaip Beqiri! Të urojmë shëndet, frymëzim të pashtershëm, edhe shumë vite durim në krijimtarinë tënde maestrale!
Valdet N. Berisha
Fontana që nuk shteron nëpër zemrën e fshehtë
Laudatio për Shaip Beqirin në 50-vjetorin e krijimit
I dashur Shaip Beqiri, të nderuar miq të poezisë, zonja dhe zotërinj,
Është hera e parë që unë i hy një terreni, si ky i sontmi, por pa asnjë fije dyshimi. T’ua falësh hakun të tjerëve, nuk është aspak poetike, është më shumë ekzistenciale. Kjo traditë haku vazhdon të gufasë në një paradoks, të cilin e ndiej edhe unë sonte me dilemën e thjeshtë: si të flas për atë që i njeh fjalët më thellë se unë, se ne këtu. Për gjurmët poetit që na mëson se gjurma mund të tregojë më shumë, sesa e shohim ne nëpër kalimin e parë?
Sonte nuk është kalimi im i parë nëpër këtë gjurmë, prandaj jam me fat dhe kam nderin e rrallë të përpiqem të flas jo për një monument poetik drejt krijimit, por për një njeri, i cili nuk e kërkon hakun e vet, që i takon në stacionin e pesëdhjetë të tundjes, i pabindur përballë heshtjes në rreth, ku po ndalojmë sonte, për të marrë frymë pak, por thellë. Do mundohem të mos e përsëris atë, që tashmë e kam thënë për poezinë e Shaip Beqirit.
Ky rreth nis në Gllamnik të Lllapit, më 1954. Pra, nis në një fshat ku dita ecën me hapin e buajve. Unë nuk kam qenë kurrë atje. Por, dua të jetë kështu siç them dhe ta vendos ngajrjen atje nën këtë hap, Në një nga poezitë tuaja më të qeta, e cila quhet «Akuarel muzgu», buajt
«Tërheqin me nge qerren mbrus të ditës Në udhën e madhe midis fushës».
Kur ma preu udhën ky varg, nuk e kuptova saktësisht se përfundi galaktikave tua jeton dikush tjetër, më i heshtur: fëmija që rrinte buzë fushës dhe kundronte drejt zbrazëtisë si ngrysej dita, me durimin e panjohur të një qyteti. Ai fëmijë nuk ju ka lënë kurrë.
Nis te oborri i vogël i shtëpisë, për të cilin keni shkruar një nga vargjet më të dashura për mua: «Kaq i vogël i pjerrti / Me dyer tepër të mëdha». Ne të gjithë kemi pasur një oborr të tillë. Të vogël për botën, të pafund për ne. Me dyer që i kalonim me sy mbyllur, por që na i përgjaknin gjymtyrët. Ju ma keni kthyer atë oborr, dhe jo vetëm për këtë jam sonte me ju.
Më 1976, njëzet e dy vjeç, botuat te «Rilindja» librin e parë, «Fontana e etjeve». Prej atëherë vepra juaj është historia e një etjeje që bërtet. Dhe, pesëdhjetë vjet më vonë, në librin tuaj të ri, etja është ende aty, në «gurin tim të Etjes». I riu i vitit 1976 kishte etje për jetën, lirinë, për fjalën. Burri i vitit 2026 e ka ende po atë etje. Nuk është shuar. Është bërë themel i njërit prej atdheve ndjenjor. Dhe, mendoj, se kjo është ndoshta dëshmia më e bukur e një jete poetike: të mos e humbasësh etjen e rinisë, edhe kur rinia më nuk është.
Erdhën pastaj «Flatrat e gjymta», «Eklipsi i gjakut», «Muranat e muzgut», «Uragani i zhurit», dhe tani «Zgavrat e zhymta».
1
Pastaj, trokiti mërgimi, në një natë etjeje të 1995-ës. Këtu nuk mund të gjejmë ndonjë shpjegim të arsyeshëm për ne; ndoshta edhe po, se mërgimi e ka një fytyrë miniaturiale, të përditshme, që e njeh vetëm ai që e ka jetuar: mëngjesi në një gjuhë tjetër, dëbora e huaj mbi dritare, telefoni që binte natën dhe zëri i largët që mbërrinte me zhurmë. Në një poezi tuajën, telefoni ka një linjë të këputur që kalon «Tiranë – Shkup – Prishtinë», dhe nga ana tjetër vjen vetëm fërshërima.
Që prej më shumë se tre dekadash jetoni në Bern. Poezitë tuaja mbajnë data me emra zviceranë. Por, në fund të librit tuaj të ri, poshtë vijës së fundit, keni shkruar vetëm dy fjalë me një vizëlidhëse: «Zvicër – Kosovë». Kjo vijë e vogël midis dy emrave është biografia juaj më e saktë. Ju jetoni në atë vijë. As këtu plotësisht, as atje terësisht. Dhe prej saj, ndoshta brenda saj, keni shkruar e vazhdoni të shkruani.
Te ju trazon pakthyeshëm pyetja që e bëni: Të ikësh me të vërtetë / A të zvarritesh përjetë. Dhe pse te ju këto dy rrugë vëhen përballë njëra-tjetrës sikur të ishin të vetmet të mundshme, ju keni zgjedhur një rrugë të tretë. Nuk jeni zvarritur, as nuk keni ikur. Keni mbetur ai që ishit. Dhe kjo, në një kohë mallkimi tranzitor përndërrimesh karakteresh e simbiozash përkatëse, është forma më e rrallë e guximit.
Ibrahim Rugova shkruante dikur për ju, se ju i përmbaheni një sistemi të mbyllur të komunikimit poetik, dhe se jeni krijues i përkryer i figurës. Ai që atëherë kishte të drejtë, kur mosha juaj krijuese ishte tjetër. Unë do shtoja, se si fundament i kësaj cilësie ishte ndërlidhja e komplikuar ezistenciale personale dhe kolektive, e manifestuar në të shifruarit jo vetëm të ndjenjës. Dhe ju vraponit brenda këtij brezi kryeneç dhe rezistoni edhe pas shpërbërjes së tij. Ta sqarojmë: hermetizmi i brezit tuaj nuk lindi si modë, por si dinjitet dhe mbijetesë kulturore e kombëtare. Në ato kohë të grysuara tutelash, kur fjala e drejtpërdrejtë ishte e rrezikshme, poezia shqipe e Kosovës mësoi të fshihej bukur. Shumë autorë, kur rreziku nuk dukej më, e hapën këtë bunker dhe e braktisën në theqafje. Ju, nuk e bëtë këtë: e mbajtët nga besnikëria, sepse kuptuat se ky bunker nuk ishte vetëm mbrojtje nga përndjekja, por shtëpia e vërtetë e fjalës, që mund ta thotë pakkush.
Poezia juaj është e vështirë, por nuk është e pashpirt. Pas figurës së ngurtë ruan zemra që rreh fort. Ka turp, ka mall, ka dashuri të pathënë. Në vargjet tuaja është një emër që nuk thuhet kurrë, një «ti» që kthehet nga libri në libër dhe që mbetet pa emër. Unë nuk do t’ju pyesim për të, jo sepse poezia ia lejon vetës kursimin dhe heshtjen, por sepse do e prishja lojën. Nëpër gjithë ato përplasje midis shpërthimit dhe qetësisë mashtruese, banon tash pesëdhjetë vjet njeriu që ka dashur, ka humbur, dhe vazhdon të dojë në kujtesë, i paliruar nga katarakti. Kjo është me rëndësishme se se çdo figurë poetike.
Edhe pse rrethanat etnike e krijuese dallonin, koncepti mbi lirinë dhe shpresën parashtroheshin edhe konceptoheshin ndryshe, ju keni ecur në rrugën e madhe të modernizmit evropian, duke iu përgjigjur atyre me një gjuhë që ata nuk e njihnin dhe me një histori që ata nuk e jetuan. Sepse, në poezinë tuaj nuk vjen errësira e modernizmit vetëm nga kriza e metafizikës, por nga përvoja e një populli: nga nënshtrimi, nga lufta, nga pritja e gjatë, nga liria që erdhi dhe nga mërgimi që mbeti. Prandaj, errësira juaj nuk është lojë estetike. Është dëshmi rrugëtari kryeneç.
Ju e keni mjeshtrin tuaj që i flisni e ai nuk mund t’ua kthejë. Libri juaj më i ri «Zgavrat e Zhymta», i cili pritet të botohet shpejt, hapet dhe mbyllet me Lasgushin. Kjo vepër juaja shtrin këmbët e lodhura shtegtuese brenda poetit më harmonik të gjuhës sonë, duke treguar se nga ajo harmoni mund të lindë edhe një këngë tjetër, më e ashpër, më e
2
plagosur, por e së njëjtës gjuhë. Kështu, pa asnjë pikë mëdyshjeje, jeni bërë hallkë në zinxhirin që vjen nga De Rada te Lasgushi, nga Lasgushi te brezi juaj, dhe prej jush te ata që do të vijnë, ndoshta edhe te sekretari im i përgjithshëm, Bujari.
Ju nuk i keni harruar miqtë dhe mjeshtrit tuaj, as të gjallët, as të vdekurit. Në librat tuaj jetojnë Bilal Xhaferri, Rrahman Dedaj, Bekim Fehmiu, Anton Pashku, Fatos Arapi, Mitrush Kuteli, Lasgushi. Në këtë kohë të harrese të shpejtë, ky është virtyt i rrallë, dhe ndoshta më i bukuri. Sepse miqësia është po ashtu një formë poezie.
Libri juaj i ri mbyllet me një poezi që quhet «Këngë pleqërishte». Në të i flisni këngës suaj si një shoqeje të vjetër, e cila ka ecur me ju gjithë jetën, me rroba të grisura e me shpirt të etur. Dhe i thoni se e keni stolisur «me bukurinë e vetmisë së shenjtëruar».
Stili yt është modernizëm i errët, një neohermetizëm me rrënjë simboliste e ekspresioniste dhe me shtresë imazhesh surrealiste, me kuptime që përputhen dhe mbështesin njëri- tjetrin: errësirën semantike, pra poezinë që nuk shpjegohet, dhe errësirën e vizionit, pra zymtësinë. Tiparet formale janë të qëndrueshme. Vargu është i lirë dhe pa pikësim, gjë që i lë sintaksës shumëkuptimësinë. Ka përmbysje sintaksore dhe ndërtime arkaizuese. Leksiku është jashtëzakonisht i pasur, dialektor dhe arkaik. Leksik është pasuri e pafund dhe njëkohësisht mur hermetik. Bota poetike ndërtohet mbi transcendencën e zbrazët: hyjnorja nuk mohohet, por mungon, dhe mbetet vetëm shenja e vendit ku ka qenë. Ajo ndërtohet edhe mbi kategoritë negative, mbi mohimin dhe mungesën. Figura zë vendin e ngjarjes, dhe lexuesi duhet ta rindërtojë ngjarjen nga figura.
Hermetizmi yt çon që kuptimi zhvendoset në objekt, dhe koha kozmike bëhet fiziologji dhe bëhet temë. Libri yt i fundit flet vazhdimisht për pamundësinë e fjalës, kështu që hermetizmi është përmbajtje. Poeti paraqitet i lidhur pas fjalës. Klasikja jote është bashkëkohorja, forma me refren, rima, mitologjia antike, tradita romantike kombëtare pykëzohen në shtresime bashkëkohore, e cila shfaqet në pikësimin e zhdukur, në tipografinë e thyer dhe mbi të gjitha në regjistrin ironik-dokumentar me ton antiheroik.
Dhimbja jote është shumëkatëshe: mërgimi, humbja familjare Bërthama e saj është dhimbja e fjalës. Të gjitha humbjet derdhen te pamundësia për t’i thënë plotësisht. Fjala është atdheu i vetëm i mbetur, dhe kur edhe ajo bëhet strehë e prishur, nuk mbetet asnjë strehë tjetër. Hermetizmi është forma që merr dhimbja kur nuk guxon të bëhet rrëfim.
Dashuria jote e ka gramatikën e vet. Ajo nuk ndodh kurrë në kohën e tashme. E tashmja ekziston vetëm si lutje dhe dëshirë, ndërsa dashuria e jetuar vetëm si kujtesë ose rrënojë. Hapësirat e dashurisë janë deti, si bota e brendshme e së dashurës, dhe shtëpia, gjithmonë e rrënuar. Dashuria atërore është e ashpër dhe funksionale. Dashuria për bijën është më e butë. Dashuria për tokën dhe gjuhën ka trajtë gati erotike dhe të njëjtën strukturë: diçka që i përket unit, e shkëputur prej tij përgjithmonë.
Vëllimi yt i fundit dialogon vazhdimisht me veprën tënde të mëparshme, kështu që vepra funksionon si një libër i vetëm që shkruhet për gjysmë shekulli, me fjalor që i referohet vetvetes. Etja e fillimit mbetet e pashuar dhe shndërrohet në gur. Kjo e ndryshon edhe gjykimin për përsëritjen e leksikut: brenda një libri ajo duket vulë, brenda gjithë veprës është sistem kujtese. Të dyja janë të vërteta njëkohësisht.
Më lejoni të mbyll me një vërejtje gramatikore, sepse poezia juaj na mëson se edhe gramatika mund të jetë poezi.
3
Në vargjet tuaja ka një mënyrë foljore që e ka vetëm shqipja: habitorja. «Imja qenka kjo epokë», shkruani, dhe me këtë formë shprehni njohjen e hidhur të dikujt që e kupton vonë se çfarë i ka rënë në pjesë. Te ju, habitorja ka qenë shpesh gramatika e zhgënjimit. Sonte, lejomëni ta përdor ndryshe. Me habinë e gëzimit.
Fontana e vitit 1976 ende rrjedhka. Etja e njëzetedyvjeçarit nga Gllamniku qenka bërë një vepër e tërë. Dhe fjala shqipe, që ju e keni ruajtur në guaskë nëpër gjithë këto kufij e vite, paska mbetur e përkryer.
Ju faleminderit.
Një falënderim të veçantë, për fotografitë, Afrim Art!




Burimi/Facebook/Shkshz Letrare


Leave a Reply