Ilir Meta: Bashkëpunim dhe dialog mes palëve për të ecur më shpejt.
SKRAPAR-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka marrë pjesë sot në inaugurimin e rrugës në fshatin Vërzhezhë të Rrethit të Skraparit. I shoqëruar nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Beratit, Nasip Naço, Meta ka zhvilluar një takim me banorët e pranishëm në inaugurim. Në fjalën e tij para banorëve të Vërzhezhës dhe qytetarëve të tjerë të mbledhur , Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ftuar palët politike në Shqipëri, që të kenë një bashkëpunim në interes të qytetarëve pasi sipas tij bashkëpunimi do të sjellë progres në vend.
Meta bëri thirrje që të ecet me shpejt në të gjitha drejtimit. Ai u shpreh së për të ecur më shpejt drejt progresit, zhvillimit dhe drejt familjes së madhe evropiane është i domosdoshëm bashkëpunimi i të gjithëve, i përfaqësuesve të qytetarëve shqiptarë në Parlamentin e Shqipërisë, bashkëpunimi në këshillat bashkiakë apo komunalë si dhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin në komunitet. Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se vetëm me dialog konstruktiv dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin do të mund të ecim më shpejt përpara.
LSI-ja u shpreh, Meta, është e përkushtuar t’i lërë mënjanë ndryshimet në mendime dhe jemi të vendosur të punojmë me të gjitha partitë për të krijuar më tepër vende pune dhe standarde jetese më të larta për të gjithë Shqiptarët. Vetëm nëse ecim ne të gjithë përpara, mund ta shtyjmë vendin përpara.
“Nuk duhet të lejojmë që këto vlera të eklipsohen nga mungesa e bashkëpunimit politik brenda vendit. Politika jonë e brendshme shfaq si pengesë kryesore mungesën e bashkëpunimit i cili e pengon Shqipërinë që të ecë më shpejt përpara.”, theksoi kryetari i LSI-së.
Ndër të tjera , Meta në fjalën e tij theksoi se mund të ishte bërë më shumë për Shqipërinë, por politika e vjetër dhe konfliktuale ndali zhvillimin.
Duke i bërë apel klasës politike të marrë përgjegjësitë e veta dhe të mos pengojë marrjen e statusit të vendit, Meta u tha: “Duhet më shumë përgjegjësi për t’u shkëputur nga ambiciet e ngushta politike që sjellin një nervozizëm dhe një ngërç që nuk lejon konkretizimin e atij vullneti politik që e kanë të gjithë forcat politike e popullit shqiptar, integrimi në BE. Le të shërbejë si një reflektim për të gjithë, si një apel për të përshpejtuar të gjitha ato hapa dhe vendime që duhet të marrë parlamenti dhe politika në Shqipëri, të cilat shtojnë besimin tek partnerët europianë dhe i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
/Shekulli Online/Përgatiti: I.S./
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply