Gazeta Shqip
Akademikut të njohur i dorëzohet simboli i emisionit “Fiks Fare”, të cilin Rexhep Qosja e konsideron një institucion në mbrojtje të vlerave dhe traditës shqiptare. Në intervistën për këtë rast, profesor Qosja flet mbi problemet shqiptare sot, mbi jetëgjatësinë e pushteteve, mbi festimet e 100-vjetorit dhe një ftese të munguar për të.
Në një udhëtim drejt Kosovës, akademikut Rexhep Qosja, një prej intelektualëve më të njohur të hapësirës shqiptare, i është dhuruar simboli i “Fiks Fare”. Ky rast është shfrytëzuar për të bërë me të edhe një intervistë ekskluzive mbi problemet shqiptare sot, mbi jetëgjatësinë e pushteteve, mbi festimet e 100-vjetorit dhe një ftese të munguar për të. I njohur për tonet e tij kritike mbi punë qeveritare që u bien barrë shqiptarëve, akademiku Rexhep Qosja ndalet edhe te kërkesa apo udhëzimi i Kryeministrit Berisha drejtuar historianëve për rishkrimin e historisë. “Fan Noli i madh në Parlamentin e Shqipërisë ka folur për pesë anarkitë shqiptare: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, autokrati Sali Berisha, u shton dhe dy të tjera: anarkinë politike dhe anarkinë historiografike”, është shprehur profesor Qosja, duke theksuar se jetëgjatësia e tij në pushtet është dobësi e njerëzve që e tolerojnë.
Profesor, në emër të të gjithë redaksisë së emisionit “Fiks Fare” kam nderin t’ju dhuroj simbolin e emisionit tonë për veprën tuaj të shquar të një patrioti modern dhe të një shikuesi që nuk heq dorë për të parë emisionin “Fiks Fare”…
Jam i nderuar që me jepet simboli i emisionit “Fiks Fare”. I themi emisioni “Fiks Fare”, ndërsa unë do ta quaja institucioni “Fiks Fare”. “Fiks Fare” është shumë më tepër se një emision, është institucion. Institucioni “Fiks Fare” i kontribuon Shqipërisë dhe demokratizimit të saj shumë më tepër se një varg institucionesh politike, shtetërore, shkencore, kulturore. “Fiks Fare”, me gjuhë artistike dhe me kamerë televizive, i flet popullit shqiptar për një varg të këqijash, por dhe të mirash në jetën e tij. I flet për gënjeshtra, për mashtrime, për korrupsion, për grabitje të pasurisë kombëtare prej zyrtareve të ndryshëm. I flet për problemet më të ndryshme. Bën përpjekje që me atë gjuhë artistike dhe kamera televizive të mbrohen prej moskujdesit e shkatërrimit vlerat kulturore, monumentet, tradita jonë, që nuk po e mbrojnë aq sa duhet ata që paguhen për atë punë. “Fiks Fare” mbron të varfrit, të braktisurit, të vegjlit, që po ashtu janë lënë në harresë prej atyre që duhet të merren me ta. “Fiks Fare” bën shumë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Për këtë arsye protagonistët e këtij emisioni, siç janë Saimiri, Doktori, Filip Çakuli janë për mendimin tim heronj mendorë, moralë dhe politikë të kohës sonë. Unë atyre dhe gjithë stafit që punon në “Fiks Fare”, të gjithë juve dhe kolegëve të tjerë, ju uroj përkushtim në punën që bëni dhe suksese sa deri tani. Them sa deri tani, sepse keni bërë shumë dhe po bëni shumë. Do të dëshiroja që një “Fiks Fare” ta ketë edhe Kosova.
Sivjet profesor ne do të festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë. Si ju duket historia e Shqipërisë në këta 100 vjet?
Historia e Shqipërisë gjatë këtyre 100 viteve është një histori e dhimbshme. Me shumë mundime që Shqipërisë ia kanë krijuar të huajt, por edhe që shqiptarët ia kanë shkaktuar vetvetes. Por historia e Shqipërisë gjatë këtyre 100 vjetëve njëkohësisht është edhe plot përpjekje që këto mundime të parandalohen dhe të mënjanohen prej jetës së saj.
Dy persona kanë tentuar që të ndryshojnë historinë e Shqipërisë. Këta kanë qenë Enver Hoxha dhe Kryeministri i tanishëm, zoti Berisha, të cilët kanë urdhëruar herë pas here historianët se si duhet shkruar historia dhe jo ashtu si e ka shkruar historia…
Enver Hoxha ishte komunist. Komunizmi është politikë, ideologji, filozofi dhe metodologji. Enver Hoxha donte si njëmendësi ta bënte të ardhmen, por dhe të kaluarën. Prandaj ai donte të bënte historinë si të tashmen. Me një fjalë, Enver Hoxha ishte parimor, konsekuent në këtë kërkesë të tij. Padyshim se ajo kërkesë e tij për të rishkruar historinë ashtu si e kërkonte ai, ka sjellë çrregullime, thjeshtësime, regjime, dobësi të mëdha në historiografinë, por megjithatë Enver Hoxha ishte parimor në atë botëkuptimin e tij. Ky autokrati tjetër, Enver Hoxha, ishte autokrat me autoritet të madh, po ky është një autokrat pa autoritet. Ky nuk ka parime në atë që kërkon edhe në atë që bën. Ky praktikisht sjell një anarki në kërkesat e tij për rishkrimin e historisë dhe në fusha të tjera. Fan Noli i madh në Parlamentin e Shqipërisë ka folur për pesë anarkitë shqiptare: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, autokrati Sali Berisha, u shton dhe dy të tjera: anarkinë politike dhe anarkinë historiografike. Shpresoj të bëhet jo ajo që kërkon ky.
Si ju duket që populli ynë do të ketë udhëheqës të përjetshëm? Po të kemi parasysh Enver Hoxhën, i cili qëndroi për rreth 45 vjet, Sali Berisha 20 vjet. Kjo është dëshira e vetë popullit tonë apo meritë e këtyre udhëheqësve që dalin përpara?
Kur është shpallur Napoleon Bonoparti perandor, intelektualë të shquar francezë, filozofë, shkencëtarë kanë thënë se: Napoleoni shpreh dëshirën e francezëve për të qenë të robëruar. Natyrisht që kjo nuk ishte tamam ashtu, sepse Franca është Francë. Franca e asaj kohe me Francën e kohës së mëvonshme ka ndryshuar shumë. Ne na ngjan sot, jo ajo që ka ngjarë në komunizëm, por ngjan ajo që nuk ngjan në vende të tjera. Një njeri do të jetë udhëheqës i përhershëm dhe e thotë vetë se deri kur do të jetë, deri në vitin 2000 e ca dhe cakton një datë të pafund. Thuhet se mbetja gjatë e njerëzve në pushtet, (jetëgjatësia e Enver Hoxhës ndodhi në kushte të tjera, si në të gjitha vendet komuniste dhe tani qëndrimi i gjatë i Sali Berishës), nuk flet për fuqinë e tyre. Nuk flet në këtë rast për aftësitë, fuqinë e këtij njeriu, flet për dobësitë e të tjerëve që këtë qëndrim të tij të gjatë e tolerojnë, e durojnë, pajtohen me të. Them një pjesë e popullit shqiptar. Po e përsëris se te ne po ngjan ajo që në asnjë vend demokratik nuk ndodh, por nuk ndodh më as në ish-vendet komuniste.
Pra ka meritë edhe populli që e mban kaq gjatë?
Jo! kjo është dobësi e popullit që e duron gjatë dhe kjo them unë nuk i bën nder popullit që e duron kaq gjatë.
Nga sa dimë ne, Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk ju ka bërë ftesë që të merrni pjesë në një konferencë shkencore që bëhet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…
Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizon një konferencë që e quan solemne me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në atë konferencë shkencore solemne, Akademia e Shkencave nuk më ka ftuar, megjithëse është kërkuar prej organit organizues, komisionit zgjedhor, së paku kështu ka shkruar shtypi, që të jem i ftuar. Kjo nuk më ka shkaktuar në asnjë mënyrë ndonjë shqetësim. Unë kam shkruar për ata që e kanë krijuar Shqipërinë. Shqipërinë e kanë krijuar rilindësit e mëdhenj. Kam shkruar tre libra. Pra, tri vëllime ku kam trajtuar jetën, krijimtarinë, veprimtarinë politike, ideologjinë e tyre, që është ideologjia kombëtare shqiptare. Kam shkruar mandej dhe për 80-vjetorin e Shqipërisë dhe për 90-vjetorin e Shqipërisë dhe tani kam shkruar dhe do ta botoj për 100-vjetorin e Shqipërisë. Kam shkruar dhe do ta botoj për rolin e Kosovës në krijimin e Shqipërisë. Nuk më kanë ftuar, sepse Akademia e Shkencave të Shqipërisë, mendoj një numër i dukshëm i anëtarëve të saj, ende nuk kanë krijuar parësinë politike, shkencore, intelektuale që duhet ta ketë Akademia me të gjithë anëtarët e saj. Sigurisht nuk më kanë ftuar, për shkak se mund të kenë si shqetësim se çfarë mund të them unë aty që s’do të pëlqehet prej qeverisë së Shqipërisë, që nuk do të pritej mirë prej pushtetit dhe do të shqetësonte organizuesin, d.m.th. Akademinë e Shkencave. Unë me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata intelektualë, historianë, shkencëtarë të tjerë dhe shoqata të tjera, siç është Shoqata Labëria, Shoqata e Elbasanit, të cilat kanë ngritur zërin kundër kësaj sjelljeje të Akademisë, një sjellje që ata e kanë quajtur të papajtueshme me kohën, me rrethanat, me kushtet, me parimet e demokracisë.
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply