
SHOQATA KULTURORE “MATI”
(Mat Cultural Association)
Nr._043 Prot. Londër 31 Korrik 2026
LETËR E HAPUR
Drejtuar:
Deputetit të Qarkut Dibër, z. Agron Malaj
Deputetes së Qarkut Dibër, znj. Denisa Vata
Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi
Kuvendit të Shqipërisë, Tiranë
Lënda: Kundërshtimi i projektligjit për reformën e re administrativo-territoriale dhe kërkesa për mbrojtjen e integritetit historik të Matit
Të nderuar deputetë,
Shoqata “Mati” në Londër, në emër të komunitetit të gjerë të matjanëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Mbretërinë e Bashkuar, shpreh kundërshtimin e saj të plotë ndaj projektligjit për reformën e re administrativo-territoriale, i bërë publik nga deputetë të Partia Socialiste të Shqipërisë.
Ky projektligj nuk është një çështje e zakonshme administrative. Në momentin që miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ai shndërrohet në ligj dhe pasojat e tij bëhen afatgjata për historinë, identitetin dhe zhvillimin e krahinave tona. Pikërisht për këtë arsye e kundërshtojmë që në fazën e projektligjit dhe kërkojmë që ai të rishikohet përpara se të hidhet për votim.
Sipas draftit të publikuar, Qarku Dibër parashikohet të organizohet në tre bashki: Dibër, Burrel dhe Bulqizë. Gjithashtu, janë përcaktuar edhe qytetet përkatëse, ku përfshihen Peshkopia, Kastrioti, Shupenza, Maqellara, Bulqiza, Burreli dhe Klosi, ndërsa Ulza nuk figuron si qytet.
Ky është një vendim që na shqetëson thellësisht.
Ulza nuk është thjesht një qendër banimi. Ajo është një simbol i zhvillimit industrial të Shqipërisë. Me ndërtimin e hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit, ajo u bë qyteza e dritës, një nga veprat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, duke furnizuar për dekada vendin me energji elektrike. Ulza u ndërtua dhe u popullua nga specialistë, inxhinierë dhe familje nga e gjithë Shqipëria, duke u kthyer në një model zhvillimi dhe bashkëjetese. Fshirja e saj nga lista e qyteteve është një padrejtësi ndaj historisë dhe kontributit të saj.
Po aq shqetësues është fakti se ndër vite Mati është copëtuar administrativisht, duke iu shkëputur treva historike si Martaneshi dhe Shkopeti. Në vend që kjo reformë të korrigjojë padrejtësitë e së kaluarës, ajo rrezikon t’i thellojë edhe më tej.
Mati nuk është një krahinë e zakonshme. Ai është një nga themelet e historisë shqiptare. Është vendlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e Mbretit Zog I, e Pjetër Budit, një prej figurave më të shquara të letërsisë së vjetër shqipe, dhe një trevë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në historinë, kulturën dhe shtetformimin shqiptar. Nuk është rastësi që Dritëro Agolli ka thënë: “Kombi fillon nga Mati.”
Pikërisht për këtë arsye, nuk mund të pranojmë që identiteti historik i kësaj treve të zbehet me një të rënë të lapsit.
Ne kërkojmë:
Të mos miratohet projektligji në formën aktuale dhe të rishikohet pas konsultimit të plotë me qytetarët dhe ekspertët.
Deputetët e Qarkut Dibër, z. Agron Malaj dhe znj. Denisa Vata, të zhvillojnë takime publike me qytetarët e Matit, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe t’i përfaqësojnë denjësisht në Kuvendin e Shqipërisë.
Të rikthehet Ulza në statusin që i takon, duke u njohur si qytet, në respekt të historisë, kontributit dhe rëndësisë së saj kombëtare.
Kuvendi i Shqipërisë të mos miratojë një reformë që cenon identitetin, historinë dhe interesat e Matit pa dëgjuar zërin e banorëve të tij.
“Kërkojmë që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit, të zhvillohen konsultime të hapura me qytetarët e Matit, pushtetin vendor, historianët, akademikët dhe grupet e interesit, në mënyrë që çdo vendimmarrje të mbështetet në transparencë, pjesëmarrje qytetare dhe respekt për identitetin historik të trevës.”
Në kuadër të kësaj reforme të shqyrtohet rikthimi i kufijve historikë dhe administrativë të Matit, duke i ribashkuar kësaj treve Martaneshin dhe Shkopetin, të cilat historikisht, gjeografikisht, ekonomikisht dhe kulturorisht kanë qenë pjesë e pandashme e Matit.
Ne besojmë se një reformë serioze duhet të korrigjojë padrejtësitë, jo t’i thellojë ato. Nuk mund të ndërtohet një hartë e re administrative duke anashkaluar historinë, identitetin dhe vullnetin e qytetarëve.
Shoqata “Mati” në Londër u bën thirrje të gjithë matjanëve, intelektualëve, historianëve, shoqërisë civile dhe çdo qytetari që e do Matin, të bashkohen në mbrojtje të historisë dhe identitetit të kësaj treve.
Mati nuk kërkon privilegje. Mati kërkon drejtësi. Kërkon respekt për historinë e tij, për kontributin e tij dhe për dinjitetin e njerëzve të tij.
Kjo letër e hapur përfaqëson qëndrimin zyrtar të Shoqatës “Mati” në Londër dhe i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë, deputetëve të Qarkut Dibër dhe institucioneve përgjegjëse, me kërkesën që shqetësimet dhe propozimet e paraqitura të merren në shqyrtim përpara miratimit të projektligjit për reformën administrativo-territoriale.
Me besim se zëri ynë do të dëgjohet dhe do të merret në konsideratë,
Me respekt,
SHOQATA “MATI” NË LONDËR
Burimi/Facebook/Kujtim Vani


Leave a Reply