Shkolla plotësuese e gjuhës shqipe pranë shoqatës “Nënë Tereza” në Londër ka nisur përgatitjet për vitin e ri akademik që fillon në muajin shtator, duke siguruar tekstet mësimore që do të përdoren nga nxënësit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Përfaqësues të shkollës kanë zhvilluar një vizitë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër, ku kanë marrë librat shkollorë për vitin e ri mësimor, një mbështetje e rëndësishme për vijimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Në një njoftim të publikuar nga Shoqata “Nënë Tereza” bëhet e ditur se këtë vit është rritur interesimi i familjeve shqiptare për të regjistruar fëmijët e tyre në shkollën plotësuese.
“Jemi të lumtur të shohim gjithnjë e më shumë familje që po regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën tonë shqipe këtë vit. Është frymëzuese të dëshmosh komunitetin tonë duke u bashkuar për të ruajtur gjuhën shqipe, kulturën dhe trashëgiminë tonë për brezat e ardhshëm”, thuhet në mesazhin e shkollës.
Shkolla ka shprehur mirënjohjen e saj për Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Londër, Uran Ferizi, si dhe për Ambasadën shqiptare, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucionit arsimor dhe komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkolla “Nënë Tereza” pritet të mirëpresë nxënësit në shtator për një vit të ri akademik, me synimin për të vijuar misionin e saj në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e komunitetit shqiptar në Londër.
Burimi/Facebook


Leave a Reply