Ky shkrim nuk ka për qëllim të lëndojë askënd, as të nxisë përçarje mes qytetarëve. Përkundrazi, synimi im është të dëshmoj atë që kam parë, jetuar dhe mbrojtur për më shumë se tri dekada, me bindjen se e vërteta dhe drejtësia i shërbejnë harmonisë, jo ndarjes.
Kavaja nuk është thjesht një territor në hartë.
Kavaja është simbol.
Është qyteti që ndezi shkëndijën e parë të demokracisë shqiptare. Është qyteti që hapi rrugën e lirisë për gjithë vendin. Prandaj çdo padrejtësi ndaj saj nuk prek vetëm një bashki; prek një pjesë të historisë kombëtare.
Përveç ndryshimeve territoriale, me kalimin e viteve Kavaja humbi edhe një pjesë të institucioneve të saj.
Shqetësimi im më i madh është se, gjatë këtyre tridhjetë e gjashtë viteve, një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare e ka varur zërin e saj nga partitë politike. Shpesh disa qytetarë kanë folur vetëm kur u ka interesuar politika dhe kanë heshtur kur janë cenuar interesat e qytetit, të historisë dhe të së drejtës.
Unë jam Rexhep Rrugeja. Më 25 mars 1990, në demonstratën e parë në Kavajë, isha njeriu që për herë të parë thirra publikisht: “Liri! Demokraci!” Në atë kohë jo kushdo kishte guximin ta bënte një gjë të tillë. Për këtë arsye u arrestova dhe u torturova në mënyrë çnjerëzore. I lidhur duar e këmbë, për ditë të tëra, shumë qytetarë të Kavajës besonin se nuk isha më gjallë.
Me ardhjen e demokracisë jam nderuar nga Bashkia e Kavajës dhe nga shoqata të ndryshme me tituj mirënjohjeje për kontributet e mia në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Jam autor i disa veprave letrare, ish-mundës i klubit “Besa” për dymbëdhjetë vite dhe, së bashku me familjen time, kemi kontribuar për komunitetin në kulturë, art, sport, bamirësi, demokraci dhe në shumë fusha të tjera të jetës qytetare.
Nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë force politike. Kam zgjedhur gjithmonë të jem në krah të qytetarit dhe jo të partive.
Në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci, sipas bindjes sime,për ato padrejtësi që kam parë me sytë e mi, qyteti im filloi të humbiste peshën dhe identitetin që kishte pasur ndër vite. Kavajës iu shkëput bregdeti, duke krijuar një ndarje ku unë e kam përshkruar me fjalët: “u nda rëra,u nda dhe uji”. Shkruajta dhe për vilat e pushtetarëve që po ndërtoheshin në bregdet .Në atë kohë pothuajse askush nuk e ngriti zërin. Unë protestova, shkrova në libra e gazeta dhe e trajtova këtë çështje në emisione të shumta televizive.
Më vonë, ndryshimet territoriale prekën edhe kufijtë administrativë të Kavajës. Sipas këndvështrimit tim, qyteti humbi territore të rëndësishme, ndërsa Rrogozhina, e cila historikisht kishte qenë pjesë e administrimit të Kavajës, u zgjerua me territore që më parë i përkisnin kësaj të fundit. Kjo, sipas meje, e kufizoi zhvillimin e Kavajës dhe e la atë më të izoluar nga sa kishte qenë më parë.
Edhe atëherë heshtja mbizotëroi. Shumë prej atyre që sot flasin për kufijtë administrativë nuk folën në atë kohë, megjithëse disa prej tyre mbanin poste të rëndësishme shtetërore. Natyrshëm lind pyetja: përse nuk reaguan atëherë?
Po pjesa më e madhe e qytetarëve, përse heshtën dje dhe vazhdojnë të heshtin edhe sot?
Prej trembëdhjetë vitesh kam shprehur bindjen time se reforma territoriale e ka dëmtuar rëndë Kavajën. Sot dëgjoj zëra që kërkojnë të rikthehen padrejtësitë e së kaluarës. Është e drejtë që qytetarët të kërkojnë drejtësi, por drejtësia duhet të jetë e plotë dhe jo selektive.
Kam organizuar me disa të rinj të qytetit tim disa herë protesta .Kam organizuar dhe kemi protestur përballë Parlamentit të Shqipërisë për mbrojtjen e historisë së qytetit tim dhe për rikthimin e datës së 25 marsit në vendin që sipas realitetit që i takon në historinë e Kavajës dhe për liritë dhe të drejtat që na janë mohuar prej më shumë se tre dekadash. Besoj se kjo datë është deformuar qëllimisht duke u zëvendësuar me 26 marsin. Nga viti 1990 e deri më sot, familja ime ka qenë e vetmja që e ka përkujtuar vazhdimisht këtë datë dhe ka shkruar faqe të tëra për historinë e ngjarjeve të atij viti.
Kam qenë organizatori kryesorë dhe i protestës me rreth pesëdhjetë qytetarë kavajës kundër sjelljes së armëve kimike në Kavajë, ku pata edhe përplasje me policinë në qendër të qytetit. Kam marrë pjesë në çdo protestë qytetare që nuk ka pasur karakter partiak, sa herë që janë cenuar liritë dhe të drejtat e njeriut.
Realiteti që kam përjetuar është se unë dhe familja ime, ndonëse kemi ngritur zërin për më shumë se tri dekada, shpesh jemi trajtuar me indiferencë nga të dyja forcat e mëdha politike.
Kavaja ishte lokomotiva e parë e demokracisë shqiptare. Ishte qyteti që hapi rrugën e protestave të para për liri. Por, fatkeqësisht, pas vitit 1990, protesta qytetare e pavarur pothuajse u shua. Qytetarët protestuan kryesisht nën flamujt e partive dhe shumë rrallë vetëm për të drejtat e tyre.
Shpresa ime është që çdo gjë të vendoset mbi parimet e drejtësisë dhe të ligjit të vërtetë e jo i partive. Qytetarët e Rrogozhinës dhe të njësive përreth meritojnë të trajtohen me dinjitet, respekt dhe barazi, ashtu si çdo qytetar tjetër. Ata nuk duhen parë me “syrin e njerkës”, por as nuk duhet të ndërtohen padrejtësi të reja mbi padrejtësitë e vjetra. Besoj se çdo komunitet duhet të ngrejë zërin për të drejtat e veta sa herë ato cenohen.
Po kështu, u bëj thirrje edhe qytetarëve të Kavajës të mos presin gjithmonë partitë politike, por të mbrojnë vetë interesin publik, historinë dhe të drejtat e tyre, përmes protestës qytetare dhe demokratike.
Në këndvështrimin tim, demokracia për të cilën unë ngrita zërin në vitin 1990 ende nuk është realizuar plotësisht. Ende ka shumë plagë të hapura: prona nuk u kthye te pronari i ligjshëm; krimet e komunizmit nuk morën dënimin moral dhe ligjor që prisnin qytetarët; dosjet e bashkëpunëtorëve të ish-regjimit mbetën të pazbardhura; pensionet vazhdojnë të jenë qesharake; bregdeti është grabitur dhe është shoqëruar me konflikte pronësie dhe zhvillime të debatueshme; emigrimi vazhdon të zbrazë vendin dhe është bërë rrugë pa kthim; ndërsa korrupsioni mbetet një nga plagët më të mëdha të shtetit shqiptar.
Një tjetër shqetësim është edhe largimi gradual i institucioneve nga Kavaja. Shërbime të rëndësishme, të cilat dikur funksiononin në qytet, sot administrohen nga qendra të tjera. Ujësjellësi është administrativisht i lidhur me Durrësin, ndërsa shërbime të sistemit të drejtësisë, si gjykata dhe prokuroria, varen nga strukturat e Durrësit ose të Tiranës. Kjo ka krijuar vështirësi praktike për qytetarët dhe ka dobësuar rolin institucional të Kavajës.
Megjithatë, unë nuk kërkoj përçarje. Nuk kërkoj që një qytet të fitojë në kurriz të një tjetri. Besoj se Kavaja dhe Rrogozhina kanë qenë dhe duhet të mbeten dy komunitete që bashkëjetojnë me respekt, duke kërkuar secili të drejtat e veta në mënyrë qytetare.
Historia nuk duhet të shkruhet sipas interesave të ditës, por sipas së vërtetës. Vetëm kështu brezat që do të vijnë do të njohin sakrificat, gabimet dhe mësimet e së kaluarës, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më demokratike dhe më të bashkuar.
Nuk kam asnjë qëllim të sulmoj qytetarët e Rrogozhinës, as të krijoj përçarje mes dy komuniteteve që prej dekadash kanë bashkëjetuar pranë njëri-tjetrit. Përkundrazi, besoj se vetëm duke thënë të vërtetën mund të ndërtojmë pajtim dhe drejtësi. Rrogozhina dhe Kavaja nuk duhet të jenë kundërshtare; ato janë pjesë e së njëjtës histori dhe meritojnë respekt të barabartë.
Shqetësimi im lidhet me një fenomen që e kam parë gjatë më shumë se tri dekadave: heshtjen qytetare. Për fat të keq, shumë njerëz e kanë lidhur zërin e tyre me interesat e partive politike. Kanë folur kur ua ka kërkuar politika dhe kanë heshtur kur është cenuar interesi i qytetit të tyre.
Unë zgjodha një rrugë tjetër.
Të protestoj për liritë dhe të drejtat e njeriut pa parti politike dhe të kontriboj për qytetin tim dhe Shqipërinë në fusha të ndryshme të jetës.
Asnjëherë nuk jam penduar dhe nuk kam heshtur.Protestova në sheshe, shkrova në libra, botova artikuj në gazeta dhe fola në televizione. E bëra jo për përfitime personale, por sepse besoja se qyteti im po humbiste pjesë të identitetit të tij.
Asnjëherë nuk kam protestuar për interesa partiake.
Liria ka çmim dhe unë e pagova me vuajtje, por jo me ndërgjegjen time.
Ajo që më dhemb edhe më shumë sot është heshtja.
Atëherë nuk dëgjova protesta. Nuk pashë reagime të forta. Nuk pashë intelektualë, drejtues institucionesh apo funksionarë që të ngrinin zërin. Shumë prej tyre sot flasin për padrejtësi, por dje heshtën, ndonëse kishin mundësinë të vepronin.
Por kjo nuk më ka penguar të vazhdoj rrugën time.
Edhe sot besoj se demokracia nuk matet me numrin e partive politike.
Demokracia matet me guximin e qytetarit për të folur, edhe kur mbetet vetëm.
Ëndrra ime nuk është të fitojë Kavaja kundër Rrogozhinës.
Ëndrra ime është që drejtësia të fitojë mbi padrejtësinë.
Qytetarët e Rrogozhinës nuk janë kundërshtarët tanë.
Nuk më shqetësoi zhvillimi i Rrogozhinës. Çdo qytet ka të drejtë të zhvillohet. Më shqetësoi fakti që ky zhvillim, sipas këndvështrimit tim, u shoqërua me dobësimin e Kavajës duke i grabitur territoret e saja.
Ata meritojnë zhvillim, respekt dhe dinjitet.
Po aq sa e meritojnë edhe qytetarët e Kavajës.
Prandaj besoj se çdo vendim administrativ duhet të mbështetet mbi historinë, mbi ligjin dhe mbi interesin publik, e jo mbi interesat politike të ditës.
Nuk ka demokraci pa kujtesë.
Nuk ka drejtësi pa të vërtetë.
Nuk ka pajtim pa pranimin e historisë.
Mos heshtni përballë padrejtësisë. Sepse kur hesht qytetari, humbet qyteti; kur humbet qyteti, humbet edhe historia.
Po kështu, u bëj thirrje edhe qytetarëve të Rrogozhinës që të mbrojnë të drejtat e tyre sa herë ato cenohen, por gjithmonë me respekt për historinë dhe të drejtat e fqinjëve të tyre.
U bëj thirrje qytetarëve të Kavajës të mos presin gjithmonë që partitë të flasin në emrin e tyre,por të ngrihen të protestojnë për territoret e humbura ,për institucionet që janë larguar nga Kavaja dhe për liritë dhe të drejtat e tyre.Demokracia fillon atë ditë kur qytetari ngre zërin vetë.
Historia Administrative e Rrogozhinës dhe Marrëdhënia e Saj me Kavajën
Për të kuptuar debatet e sotme mbi kufijtë administrativë, territorin dhe marrëdhënien historike ndërmjet Kavajës dhe Rrogozhinës, është e domosdoshme të kthehemi pas në kohë dhe të shohim evolucionin administrativ të kësaj zone. Historia e saj nuk është vetëm një çështje kufijsh, por edhe një dëshmi e vendimeve që kanë ndikuar në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror të dy komuniteteve.
Historiku administrativ i Rrogozhinës, i renditur sipas kronologjisë, paraqitet si më poshtë:
Para vitit 1990 – Periudha e komunizmit
Gjatë regjimit komunist, Rrogozhina nuk kishte statusin e një bashkie apo qyteti të pavarur. Ajo funksiononte kryesisht si një qendër urbane dhe industriale, nën varësinë administrative të Kavajës.
Zhvillimi i saj lidhej me ngritjen e agroindustrisë, ku veçonin fabrika e vajit dhe e sapunit, uzina e zhveshjes së pambukut, si edhe pozicioni strategjik si nyje e rëndësishme hekurudhore dhe rrugore. Në atë periudhë, administrimi i saj kryhej nga institucionet e Kavajës, në përputhje me organizimin shtetëror të kohës.
Viti 1992 – Krijimi i Bashkisë së Rrogozhinës
Pas rënies së regjimit komunist dhe zhvillimit të zgjedhjeve të para pluraliste, në vitin 1992 Rrogozhina fitoi për herë të parë statusin e bashkisë.
Megjithatë, kjo bashki administronte vetëm qytetin e Rrogozhinës dhe territorin e tij urban. Komunat përreth vazhdonin të funksiononin si njësi të veçanta administrative dhe nuk ishin ende pjesë e Bashkisë së Rrogozhinës.
Viti 2015 – Reforma administrative-territoriale
Një ndryshim rrënjësor ndodhi në vitin 2015, kur Shqipëria ndërmori reformën administrative-territorial.Në kuadër të kësaj reforme, Bashkisë së Rrogozhinës iu bashkuan katër ish-komuna që deri atëherë ishin pjesë e Kavajës:
Gosë
Kryevidh
Lekaj
Sinaballaj
Me këtë bashkim, territori administrativ i Bashkisë së Rrogozhinës u zgjerua ndjeshëm, duke përfshirë zona të gjera bujqësore dhe bregdetare, ndër to edhe zonën e njohur të Spillesë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në platformën “Porta Vendore”, Bashkisë së Rrogozhinës iu shtuan gjithsej 36 fshatra, të organizuara në katër njësi administrative.
Ky është evolucioni administrativ i Rrogozhinës sipas ndarjeve zyrtare ndër vite.
Burimi/Facebook


Leave a Reply