16 shtator 2026, Hagë
“Në emër të popullit të Kosovës, ju shpall fajtor…”
Prej datës 16 shtator 2026, kjo fjali do të shoqërojë historinë e UÇK-së, si një njollë e zezë dhe cdo shqiptari do t’i dhembë zemra, sa herë t’i kujtohet lufta për liri në Kosovë, por edhe padrejtësia e ditës së sotme. Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi u shpallën sot fajtorë për krime të rënda, torturë e vrasje. Po e vërteta, a do të mbahet mend apo do të mbetet peng i një gjykate që foli në emrin tonë?
Me kalimin e viteve, vuajtjet, torturat, gjenocidi serb rrezikojnë të harrohen sepse, si shumë gjëra të tjera, ne nuk dimë ta dokumentojmë të shkuarën. Pikërisht sot mu kujtua At Zef Pllumi, i cili e klithi në librat e tij torturën dhe vuajtjen: “Rrno për me tregue.” Jeta dhe vuajtjet e një njeriu kanë kuptim kur dëshmohen, që e vërteta mos të harrohet dhe sakrifica t’ja vlejë…
Ku janë arkivat? Ku janë muzetë apo studimet? Mbi të gjitha, ku është besnikëria kundrejt sakrificës dhe heroizmit? A thua harresa, apo më keq, mosmirënjohja, janë ndjenja më të forta?
Një popull i cili nuk e shkruan, nuk e ruan dhe nuk e dokumenton historinë e vet, rrezikon që një ditë historinë e tij ta shkruajnë të tjerët. E ajo histori që u shkrua me nxehtësinë e gjakut dhe të lotëve, mbi zjarrin e zemërimit por edhe të entuziazmit të çlirimit, sot korrigjohet me ftohtësinë e fjalëve të një gjyqtari në sallat po aq të ftohta të Hagës.
Politika dhe lobimi ndërkombëtar do ta bëjnë punën e tyre; dikush për të larë duart, dikush për të negociuar, dikush për të justifikuar agresionin e tij dhe dikush për të fituar diçka. Ne mund të zemërohemi, të protestojmë, të shajmë e të mallkojmë, por a mund ta ndryshojmë vendimin?!
Tashmë ju të gjithë dini pak për raportin e Dick Marty, edhe për rolin e Këshillit të Evropës në këtë proces, edhe për mënyrën se si u ndërtua Gjykata Speciale, edhe për rolin e politikës së Kosovës, edhe për presionin ndërkombëtar, edhe për lobimin serb, edhe për rolin e Shqipërisë në këtë proces mbi një dekadë. I dini të gjitha, mirëpo sot jemi përpara faktit që Gjykata Speciale e Hagës prodhoi një vendim që do të mbetet pjesë e kujtesës historike të luftës së Kosovës: katër ish-drejtues të UÇK-së janë shpallur fajtorë për krime të rënda, edhe pse në deklaratat e saj thuhet që nuk e gjykon luftën çlirimtare të UÇK-së!
Por ky vendim që do të shkruhet në histori, do përdorët nga kushdo për interesa të pastra apo të ndyra, se politika nuk është shenjtore. Ky dënim do të mbahet mend, dhe fatkeqësisht do të bëhet pjesë e mënyrës si do të tregohet historia e luftës së UÇK-së jo siç e jetuan dhe e treguan vetë ata dhe populli shqiptar.
Ata i dënuan, madje në gjuhë të huaj, jashtë vendit, me gjykatës të huaj, por në emër të shqiptarëve, në menyrë cinike dhe e poshtër. Jakup Krasniqi, sot 75 vjeç, u dënua me 25 vite burg praktikisht me burgim të përjetshëm. Hashim Thaçi po ashtu. Veseli dhe Selimi, me maksimumin, më shumë se çka kishte kërkuar edhe vetë Serbia, tha sot një politikan i Kosovës…
Fatkeqësia është se ky vendim do të mbahet mend si dita kur drejtuesit e UÇK-së u dënuan për torturë e vrasje nga një gjykatë e krijuar prej vetë politikës së vendit të tyre, teksa shqiptarët mbushën sheshet, marshuan, protestuan, kënduan për UÇK-në, u veshën me UÇK, bërtitën kudo ku mundën për dinjitetin e saj dhe e kryen “misionin” e tyre. Por politika nuk mund të mjaftohet me gjeste folklorike, gjoja patriotike. Qytetarët përdorën instrumentet e tyre për ta nderuar UÇK-në. Politika dhe institucionet kishin detyra të tjera për ta mbrojtur…Dhe nuk po flas vetëm për Kosovën, por edhe për shtetin e Shqipërisë.
“Rrno për me tregue” që mos t’i lihet njollë e zezë historisë së lavdishme të UÇK-së, që mos të harrohet e shkuara e shkruar me gjak e me lot, që mos të harrohet vuajtja e shqiptarëve, as lufta e shenjtë për liri. Se ata që ranë dëshmorë dhe ata që mbetën gjallë për të treguar, e bënë këtë për një Kosovë të lirë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply