Sot, më shumë se kurrë, fati i shqiptarëve lidhet me kthimin e heronjve të gjallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pranë familjeve të tyre dhe me vendosjen e drejtësisë për ta.
Sot, më shumë se kurrë, vihet në provë nderi ynë mbarëkombëtar, kujtesa jonë historike dhe e drejta për ta shkruar historinë tonë me dinjitet, larg manipulimeve dhe padrejtësive që na kanë shoqëruar për dekada.
Sot, shqiptarët e të gjitha trevave, krahinave dhe diasporës po e ndiejnë më fort se kurrë nevojën për të reflektuar mbi historinë tonë, mbi përçarjet e imponuara dhe mbi pasojat e politikave që kanë cenuar unitetin, lirinë dhe të drejtat tona kombëtare.
Përtej kufijve të Shqipërisë londineze, populli heroik i Kosovës Dardane ka mbajtur mbi supe plagë të rënda, sakrifica të panumërta dhe një qëndresë të gjatë. Historia e tij dëshmon se dashuria për atdheun, guximi dhe përkushtimi ndaj lirisë nuk mund të fshihen nga koha.
Sakrifica dhe patriotizmi i popullit kosovar kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit shqiptar. Përballë dhunës, padrejtësive dhe përpjekjeve për ta dobësuar identitetin tonë, ai popull ka dëshmuar forcën e qëndresës dhe dashurinë për tokën e vet.
Sot, më shumë se kurrë, kërkohet që e vërteta të dalë në dritë, që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë dhe që bijtë e kombit shqiptar të mos gjykohen mbi bazën e paragjykimeve politike apo të interpretimeve të njëanshme të historisë.
Nuk mund të harrojmë se përçarjet, vëllavrasjet dhe interesat individuale kanë lënduar rëndë shoqërinë tonë. As nuk mund të lejojmë që sakrifica e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës të humbasë në heshtje.
Për shumë vite, edhe unë kam ngritur zërin tim në mërgim, në çdo mundësi e në çdo tubim, për të dëshmuar se shqiptarët janë një komb, një gjuhë, një histori dhe një kujtesë e përbashkët.
Gjatë 36 viteve të mërgimit tim, kam besuar dhe kam punuar për këtë ideal. Kam pasur nderin të jem pjesë e përpjekjeve patriotike të Lidhjes Shqiptare të Bashkimit, përmes veprimtarive dhe kongreseve të saj në Prizren, në vitin 2000, dhe në Tiranë, në vitin 2004.
Aty pashë njerëz që punonin me shpirt për kombin, pa e vendosur interesin personal mbi të mirën e përbashkët. Disa prej tyre e ëndërruan bashkimin kombëtar, por nuk patën mundësi ta shihnin të realizuar.
Koha ndryshoi. Shumë zëra u heshtën, shumë idealistë u larguan dhe interesat politike shpesh u vendosën mbi nevojat e popullit. Edhe unë zgjodha heshtjen për një periudhë, duke parë me dhimbje se si përçarjet dhe interesat individuale dëmtonin besimin dhe shpresën tonë.
Por heshtja nuk do të thotë harresë.
Sot, më shumë se kurrë, ndërgjegjja kombëtare kërkon të zgjohet. Kërkon të kujtojmë sakrificat, të nderojmë dëshmorët, të mbrojmë të vërtetën dhe të mos lejojmë që historia të përdoret për të na ndarë.
Sot flet zemra e shqiptarëve.
Flet në Prishtinë, në Tiranë, në çdo shesh ku shqiptarët mblidhen për drejtësi, dinjitet dhe liri. Flet edhe në diasporë, atje ku flamuri ynë valëvitet me krenari dhe ku kujtesa e atdheut ruhet brez pas brezi.
Le të bashkohemi në respektin për të vërtetën dhe në kërkesën për drejtësi.
Le të mos harrojmë se liria është fituar me sakrifica të mëdha dhe se dinjiteti kombëtar kërkon përgjegjësi, urtësi dhe solidaritet.
Liri, drejtësi dhe dinjitet për bijtë e kombit shqiptar.
Respekt dhe mirënjohje për popullin e Kosovës Dardane.
Uroj që një ditë të festojmë së bashku, në sheshet tona, fitoren e së vërtetës, drejtësisë dhe paqes.
Rroftë kujtesa jonë kombëtare!
Rroftë uniteti dhe dinjiteti i shqiptarëve!
Mardena Kelmendi 15 .09 .2026
Trieste, Itali
Burimi/Facebook


Leave a Reply