Sipas të njëjtave burime, Buzi e justifikonte krimin me pretendimin se prindërit e ish të fejuarës i detyroheshin 730 mijë paundë, para që, sipas tij, i kishte siguruar nga shtëpitë e barit në Britaninë e Madhe, ku kishte qenë edhe peng dhe ishte dhunuar.
“Jeta ime nuk vlen më. Lekët s’i marr dot mbrapsht, në burg nuk dua ta shkoj”, mësohet t’i ketë thënë prokurorit Kristi Jorgji, i cili negocioi për afro tre orë me 35-vjeçarin.
Gjatë gjithë bisedës ai rikthehej vazhdimisht te e njëjta pyetje. “A i marr unë ato para, sepse me to do ndërtoja jetën?”, ka pyetur ai.
Për ta mbajtur në komunikim dhe për ta bindur të dorëzohej, negociatori i RENEA-s dhe prokurori i kanë shpjeguar se pretendimet e tij do të hetoheshin dhe, nëse rezultonte se paratë ishin investuar në pasuri, ato do të bllokoheshin dhe do të shiteshin për t’ia kthyer.
Megjithatë, shqetësimi i tij nuk ndalej vetëm te paratë.
“Sa vite dënohem unë? Nuk dua të shkoj në burg. Kam qenë atje, e di sa e vështirë është”, ka pyetur ai.
Negociatorët janë përpjekur t’i shpjegojnë se, nëse vetëdorëzohej pa shkaktuar pasoja të tjera, kjo do të merrej parasysh edhe sa i përket masës së dënimit.
“Ishim të frikësuar për sa kohë kishte vajzën në makinë peng. Mesa duket ai donte të bindej nëse ish e fejuara e tij ishte e përfshirë në çështjen e parave”, tha një burim.
Sipas të njëjtit person, gjatë gjithë negociatave Buzi kërkonte herë pas here kohë për t’u menduar.
Momenti vendimtar erdhi pasi ai liroi Rozalina Plakën dhe, mesa duket, mori vesh se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë. Pak çaste më pas, ai u vetëvra.
Burimi/Facebook/JOQ Albania


Leave a Reply