
Ministria e Kulturës ngrin një shumë të madhe parash për sigurinë e kopjes origjinale. Do të ekspozohet për publikun deri më 28 Nëntor
Oliverta Lila
I vendosur në një kuti të posaçme prej xhami, kopja origjinale e “Mesharit” të Gjon Buzukut u ekspozua për herë të parë mbrëmjen e djeshme në Bibliotekën Kombëtare. Në ceremoninë e rastit ishte i pranishëm Kryeministri Berisha, Kryetarja e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha etj. Nuk mungonin studiues e historianë të ftuar me këtë rast. Të gjithë e kanë parë nga afër këtë botim, që shënon edhe të parin libër në shqip. Në të tjera vitrina janë ekspozuar dy-tri riprodhime nga origjinali e më tej të tjera vepra të pasuesve të Buzukut, si Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Variboba etj. “Ardhja në Shqipëri për herë të parë e ekzemplarit unikal të ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostullore Vatikane mund të quhet me bindje një ngjarje historike. Një ardhje e tillë ka qenë padyshim ëndërr për breza të tërë”, ka theksuar drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, duke falënderuar ministrin e TKRS-së, Aldo Bumçi, dhe përpjekjet e qeverisë për ta sjellë në këtë 100-vjetor. I ekspozuar i hapur, një cep i mbetur mbi kapak, është shenja e mbetur nga faqet që i mungojnë botimit, plot 16 të tilla në fillim e të tjera përmes librit. Mungesa e frontespicit ka bërë që të humbasin të dhëna të tilla bazë për përshkrimin bibliografik, si titulli, shtypshkronja dhe vendi i botimit. Emri i autorit dhe të atit, si dhe koha që ka zgjatur puna për të, 20 mars 1554 deri më 5 janar 1555, janë ngulitur në pasthënien e veprës. Sipas studiuesit Xhevat Lloshi, kjo pasthënie është “i pari tekst i mirëfilltë shqip që njohim deri më sot”. Për të sjellë këtë kopje unike në Tiranë, Ministria e Kulturës ka kaluar një sërë procedurash, përfshirë këtu edhe fondin që është ngrirë për sigurinë e tij, që shkon në shifra të mëdha, rreth një milion euro. “Biblioteka Kombëtare, bota e librit përjetoi një ngjarje unike, një vizitor i pritur në shekuj, që vjen në bibliotekën tonë, libri që themeloi gjuhën e bukur shqipe të liturgjisë”, ka theksuar Kryeministri Berisha. Duke e quajtur gjuhën themelin e identitetit, Kryeministri u shpreh se gjuhëtarët dhe studiuesit duhet të gjejnë guximin për t’i dhënë vendin e duhur gjuhës liturgjike.
“Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740-n, atë e zbuloi në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909-n, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.
Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply