Profili i studentit doktorant në UET, kush është djali nga Tuzi që i është përkushtuar kauzës shqiptare
Juristi shqiptar nga Tuzi i Malit të Zi dhe aktivisti politik i sferës civile, Anton Lulgjuraj ka shumë për të treguar rreth idealeve të tij, qëllimeve dhe projekteve për t’i arritur ato. Gjithkush që e njeh Antonin personalisht, është i bindur në pasionin e tij për kauzën e integritetit shqiptar. E si një pasojë fatlume, Universiteti Europian i Tiranës ka në mjediset e veta akademike një vlerë të shtuar intelektuale, e cila mund t’u japë studentëve shembullin e përpjekjes idealiste. Por marrëdhënia e tij me UET-in ka nisur që në përfundim të gjimnazit, kur në vitin 2009 u regjistrua në fakultetin e Drejtësisë dhe në vitet 2012-2014 vijoi studimet Master për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe të Drejtën Europiane. Në vazhdim, prej tetorit të vitit 2015, Antoni është asistent lektor i së drejtës ndërkombëtare publike në UET. Ai u rikthye në vendin prej nga u formua akademikisht. Po si u kthye ai kësaj here?
Është e vështirë të flasësh për Anton Lulgjurajn pa kuptuar drejt botën e këtij të riu. Lindur dhe rritur në Tuz, në një mjedis shqiptar të konservuar si rrjedhë e shumë faktorëve, ai qe ndër të paktët të rinj që e ndjenë thellë, intelektualisht, kulturalisht dhe politikisht, nevojën e një ndryshimi të madh. Revolta e tij nis me pasqyrën drejtuar nga vetja, pra shqiptarët. Aktivizmi i tij është shumë më tepër iniciativë autentike e vullnetit të tij qytetar, sesa kundërpërgjigjja e kushtëzuar ndaj shtypjes politike dhe ekonomike që shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë kanë përjetuar historikisht. Ky është thelbi i përpjekjes së tij për integritet kombëtar. Në tetor të vitit 2012, përmes një lëvizjeje të themeluar bashkë me të rinj të tjerë shqiptarë të Malit të Zi, të quajtur Aleanca Rinore e Shqiptarëve, Antoni kandidoi për deputet në Parlamentin e Podgoricës. Atëkohë, ai qe kandidati më i ri në moshë. Qëllimi ishte, ashtu si Antoni shprehet:“Sjellja e një të menduari ndryshe në skenën politike të shqiptarëve në Mal të Zi”. Vazhdim ishte hartimi nga ana e tij, për herë të parë që nga viti 1990, i platformës politike për shqiptarët e Malit të Zi, po në vitin 2012. “Profesioni im si jurist më ndihmon shumë në veprimtarinë time. Unë kam shpallur si kauzë timen çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi. Sa të mundem, dua të kontribuoj që kjo kauzë të lartësohet dhe pozita e shqiptarëve atje të ketë vendin e merituar, si pjesë e pandarë e kombit shqiptar. Nuk duhet të harrojmë që janë tri fjalë që fillojnë me të njëjtën shkronjë: gjuha, gjaku dhe gjeografia, që janë të përbashkëtat dhe të pandashmet e gjeneve tona, e që së bashku, përbëjnë një njësi kombëtare”, thotë Antoni.
Aktivizmin e vet, Anton Lulgjuraj e ka filluar në moshë të hershme. Ka qenë anëtar dhe drejtues i disa organizatave joqeveritare në Mal të Zi, fokusi kryesor i së cilave ka qenë mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve atje. Nga viti 2011, ai drejton organizatën Forumi Demokratik për Integrim. Objektivi i FDI-së qëndron në avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Antoni shpjegon se filozofia e veprimit të Forumit Demokratik për Integrim, ka qenë strukturuar në tre drejtime: rruga institucionale, rruga jashtë institucionale (protestat paqësore) dhe rruga e njoftimit të përfaqësive diplomatike me situatën e politiko – shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi. Në vitet 2011 – 2014 ai ka organizuar disa protesta në Tuz, për çështjen e pronave, mbrojtjen e simboleve kombëtare, për të drejtën në vetëqeverisje lokale etj.
“Unë besoj se e kam kuptuar realitetin që më rrethon dhe fatmirësisht, situata e tillë më jep më shumë vullnet për të shpalosur idetë e mia dhe për të krijuar diçka që duhet të kthehet në shembull. Rruga që ndjek unë, është rrugë pa kthim. Kjo do të thotë që kërkon durim, sakrificë, punë, veprim, për të arritur objektivin. Sfidat janë të mëdha. Shoqëria shqiptare ka kaluar në një stad me shpresë. Nuk do dëshiroja që të përsëritej e kaluara për popullin shqiptar. Duhet të dimë se kush jemi dhe kujt i takojmë, e kundërta na lë në udhëkryq dhe na sjell hapa mbrapa”, përfundon Anton Lulgjuraj.
Djali nga Tuzi i Malit të Zi, gjithashtu përfaqëson në mënyrën më të denjë filozofinë institucionale të Universitetit Europian të Tiranës: “Universiteti i vetëndërton burimet e tij njerëzore”. Por në këtë rast ka edukuar jo thjesht një burim për akademizmin pedant, por një model të gjallë idealizmi shqiptar, i cili vlen aq shumë!
Përgatiti: Egon Loli
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply