Studentja e Mjekësisë, Klea Veli, ka bërë një reagim publik, duke deklaruar se 11 profesorë kanë vendosur ta largojnë nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, pa e njoftuar paraprakisht dhe pa i dhënë mundësinë të dëgjohet.
Në reagimin e saj, Veli e konsideron këtë vendim në shkelje të ligjit dhe të të drejtave të saj si përfaqësuese e studentëve. Ajo thekson se vendimi nuk cenon vetëm përfaqësimin e saj, por edhe vullnetin e 513 studentëve dhe specializantëve që i besuan votën, duke e renditur në vendin e parë në zgjedhjet për Senatin Akademik.
Studentja thekson se kjo është hera e parë në historinë e Senateve Akademike të Universitetit të Mjekësisë që tentohet të largohet një përfaqësuese e zgjedhur e studentëve, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi dhe mënyrën se si trajtohen zërat kritikë brenda universitetit.
Ajo shtron pyetjen nëse largimi i përfaqësuesve që kërkojnë llogari dhe mbrojnë të drejtat e studentëve synon të shuajë edhe zërin e tyre.
Në reagimin e saj, Klea Veli kritikon mungesën e transparencës dhe mënyrën e marrjes së vendimit, duke theksuar se në një institucion akademik duhet të mbizotërojë vullneti i studentëve dhe respektimi i ligjit, jo interesat personale.
Në përfundim, studentja shprehet se pavarësisht vendimit, do të vijojë të mbrojë të drejtat e studentëve, transparencën dhe respektimin e ligjit.
“Një mandat mund të kontestohet, por zëri dhe besimi i studentëve nuk mund të fshihen me një votim”, përfundon reagimin e saj Klea Veli.
Burimi/Facebook/Kavaja Info


Leave a Reply