Demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë vendosur të vijojnë hetimet ndaj ish-ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas një sërë raportimesh për dyshime mbi korrupsionin, konfliktin e interesit dhe përdorimin e detyrës zyrtare për përfitime personale.
Nisma drejtohet nga kongresmeni demokrat Robert Garcia, i cili më 18 nëntor i ka dërguar Guilfoyle një letër zyrtare, ku i kërkon të ruajë të gjitha dokumentet, komunikimet elektronike dhe të dhënat financiare që mund të lidhen me çështjen.
Sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, dyshimet përfshijnë një marrëveshje të mundshme për shkëmbimin e ndikimit politik me përfitime financiare. Guilfoyle akuzohet se i ka kërkuar një donatori republikan 100 mijë dollarë në këmbim të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës Trump, ndërsa është përmendur edhe mundësia e një pagese shtesë deri në 1 milion dollarë.
Në fokus të hetimeve janë gjithashtu marrëdhëniet e saj me biznesmenë të fuqishëm grekë dhe udhëtimet që dyshohet se janë financuar prej tyre.
Një tjetër çështje që ka tërhequr vëmendjen e demokratëve është raporti i saj me grupin grek të ndërtimit dhe energjisë AKTOR. Sipas pretendimeve të përfshira në letrën e Garcia-s, Guilfoyle dyshohet se ka promovuar interesat e kompanisë në takime zyrtare dhe në kontaktet me qeveri të vendeve të Ballkanit, ndërsa një lobist i lidhur me grupin ka pasur akses në takime të nivelit të lartë.
Garcia thekson se largimi i Guilfoyle nga detyra e ambasadores nuk e ndalon Komitetin të vijojë hetimin dhe kërkon transparencë të plotë për komunikimet dhe marrëdhëniet e saj me personat e përfshirë.
Kimberly Guilfoyle dha dorëheqjen nga posti i ambasadores në tetor, pas publikimit të raportimeve dhe kritikave për aktivitetin e saj diplomatik.
Ndërkohë, sipas medias greke “Kathimerini”, agjentë të FBI-së kanë mbërritur në Athinë për të shqyrtuar pretendimet që lidhen me aktivitetin e ish-ambasadores, përfshirë konfliktet e mundshme të interesit dhe marrëdhëniet me grupin AKTOR.
Deri më tani, bëhet fjalë për pretendime që janë objekt shqyrtimi dhe jo për një konstatim përfundimtar të përgjegjësisë penale të Guilfoyle.
Lexo: https://infopressalb.com/…/fbi-ne-athine-hetime-per-ish…
Burimi/Facebook/Infopress Al


Leave a Reply