Realitete – Zënkat dhe mëritë që zgjasin për vite me radhë mes motrave dhe vëllezërve mund të kenë shkaqe të shumta dhe janë shumë të përhapura te njerëzit. Përse ata vendosin t’i presin lidhjet dhe si ribashkohen familjet e shëndetshme?
Hope Rising dikur mblidhej me familjen në raste festash. Motra e saj më e madhe e bënte çdo vakt të tmerrshëm, duke komentuar çdo gjë që ajo thoshte. Pas një ofendimi nga e motra, e cila nuk pranoi të kërkonte falje, Rising vendosi të largohej. Ky ishte çasti kur ajo e ndau mendjen se marrëdhënia me të motrën, kishte marrë fund. Iu deshën 14 vjet dhe një diagnostikim fatal me kancer, që motrat të flisnin sërish.
Armiq gjaku
Në shumë familje, vjen një moment kur merret një vendim “për të larë hesapet” me një tjetër. Ndonjëherë, dinamikat e fëmijërisë mund ta përshpejtojnë këtë proces. Arsyet mund të jenë të shumta – që nga plakja e prindërve, deri te distanca që merrni në jetë.
Te shoqëria amerikane, motrat dhe vëllezërit që janë shkëputur plotësisht nga familja, janë më pak se 5 për qind, thotë Karl Pillemer, një profesor i Universitetit Cornell. Megjithatë, vetëm 26 për qind e 18-65-vjeçarëve, nga një studim i Universitetit Oakland, raportuan se kishin një marrëdhënie shumë të ngushtë e mbështetëse me motrat apo vëllezërit. 19 për qind e tyre kishin një marrëdhënie neutrale dhe 16 për qind, një marrëdhënie armiqësore.
Kur psikologu i Universitetit të Pitsburgut, Daniel Shau, i cili studion marrëdhëniet mes motrave dhe vëllezërve te fëmijët, diskutoi për zbulimet e një kërkimi të tij në një program radiofonik, ai mori shumë telefonata nga të rriturit që donin të flisnin për dhimbjen e që ndjenin në marrëdhëniet që kishin me anëtarët e tyre të familjes.
“Diçka ndodh dhe ata nuk e falin më kurrë njëri-tjetrin. Më vonë të kontaktojnë duke treguar se si nuk kanë folur për 20 apo 30 vjet”.
Disa njerëz nuk e tregojnë prishjen e marrëdhënieve me motrat apo vëllezërit, sepse e shohin si diçka që të vë në siklet.
Si kthehet rivaliteti në luftë?
Kur janë fëmijë, vëllezërit dhe motrat luftojnë. Ata zemërohen me njëri-tjetrin për çështje të moshës apo se kalojnë kufij të padukshëm në ndenjësen e pasme të makinës. “Aftësia për të luftuar me motrën/vëllain dhe zgjidhja e këtyre konflikteve, mund të jetë një arritje e rëndësishme zhvillimi”, thotë psikologia Laurie Kramer nga Universiteti i Ilinoisit.
Motrat dhe vëllezërit që nuk ia dalin kurrë të mësojnë si t’i menaxhojnë këto konflikte, kanë më tepër rrezik të krijojnë përçarje të thella si të rritur, thotë Katherine Coger, drejtoreshë e Grupit Kërkimor për Familjen në Universitetin e Kalifornisë: “Nuk ke stimuj të ruash kontaktin. Thjesht do t’i qëndrosh larg”.
Ka dy lloj personalitetesh që janë më të prirë të ndahen njëherë e përgjithmonë me motrat/vëllezërit. Këtu përfshihen armiqësorët ekstremë dhe ata që Jeanne Safer, psikoterapiste në Nju Jork, i quan grumbullues të mërive.
“Këta janë njerëzit që do t’ju thonë ‘kurrë nuk më falënderove për lulet që të dhurova në vitin 1982’”.
Sheryl Booth i ka hasur të dyja tiparet. Më e reja e gjashtë fëmijëve, Booth, ishte fëmija i fundit që i prishi rehatinë motrës së mëparshme, deri në atë kohë fëmijë i vetëm. Që atëherë, Booth ndjen se motra e saj ka shfaqur pakënaqësi ndaj saj në çdo ngjarje të jetës.
Në ditën e ditëlindjes, postimi i motrës së saj në Facebook e zemëroi edhe më shumë se çdo gjë tjetër. Ajo u ka bërë pyetje miqve të saj përse ishin miq me të motrën dhe ka supozuar se ata nuk e njihnin se çfarë personi ishte ajo. Kështu, dy motrat nuk janë më mikesha në Facebook.
Mamaja kishte një të preferuar
Në një aspekt duhet fajësuar evolucioni. Motrat dhe vëllezërit nga e njëjta familje shpesh rivalizohen, sepse konkurrojnë për burimet më të shumta të jetesës dhe mbi të gjitha për kujdesin prindëror. “Rreth 200 vjet më parë, gjysma e të gjithë fëmijëve nuk ia dilnin t’i mbijetonin fëmijërisë”, thotë Frank Sulloway, një profesor psikologjie në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.
“Intensiteti i konkurrencës së motrave mes tyre, vëllezërve apo motrave dhe vëllezërve, ka më shumë kuptim kur dallon trajtimin prindëror dhe parapëlqimin e tyre, kur vjen puna se cilin fëmijë do të çojnë te doktori, apo jo”.
Shumica e nënave kanë një fëmijë të preferuar, sipas kërkimeve të Pillemer. Kur favorizimi hyn në skenë, ka më shumë gjasa që fëmijët të bëhen agresivë me njëri-tjetrin.
Por shumë të rritur e perceptojnë veten si më pak të preferuarit e familjes, ndërsa të tjerët lejojnë që kjo diferencë të ndodhë. Ata që kanë jetë të suksesshme dhe karriera të arrira, kanë më pak gjasa të fiksohen tek e shkuara dhe të shijojnë reputacionin e mirë të momentit.
Të ndahesh apo të pajtohesh?
Ftohja direkte e marrëdhënieve mes motrave dhe vëllezërve, pavarësisht se sa e merituar mund të jetë, ka pasoja serioze, sipas Safer. Ata që e fillojnë ndarjen, shpesh pendohen thellë më vonë. “Ky mund të jetë i vetmi person që e mban mend fëmijërinë tuaj dhe ju nuk flisni asnjë fjalë me të? Kjo është tragjike”.
Të gjithë personat e intervistuar për këtë histori, thonë se do të pajtoheshin nëse motra/vëllai i kërkonte ndjesë dhe se dëshirojnë një fillim të ri. Që Hope Rising ta përjetonte këtë, duhej të ndodhte një tragjedi.
Vitin e shkuar, motra e saj zbuloi se kishte kancer në shkallën më serioze. “Kur shkova në shtëpinë e prindërve, ajo ishte e lumtur që po më shihte”. E motra i kërkoi falje për trajtimin e keq të së shkuarës. Ato flasin rregullisht tani. “Jam e lumtur që ajo kishte ndryshuar”, thotë Rising. “Por më vjen keq për rrethanat, sepse ajo ka më pak se një vit jetë dhe kemi çuar shumë vite dëm”.



Burimi: Reader’s Digest
Gazeta Shqip


Leave a Reply