Familja Pajaziti nga fshati Hotël i Kumanovës, ka përjetuar një trishtim të vërtetë mëngjesin e sotëm, kur forca të mëdha policore kanë hyrë në shtëpinë e tyre. Nga aksioni mbeti i arrestuar, Musadik Pajaziti.
Vëllai i tij Burajdini, thotë se policia e ka detyruar të qëndroj 2 orë në këmbë me pranga në dorë, pa asnjë shpjegim paraprak. Fare në fund të aksionit, policia ia shpjegoi këtij veterani të luftës se po kërkon armatimin, që dyshuan se i ka mbet kësaj familjeje që nga lufta e 2001.”Kah ora 4 kanë ardhur tek unë, mi venduan prangat dhe më dërguan pas shtëpisë. 3 policë më ruanin me automatik në gojë, skam mundur të lëviz, më thanë që të qëndroj në vend deri sa ata të marrin informata. Më kanë mbajtur dy orë, prej në ora 4 e deri më ora 6″, tregon ai.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se bëhet fjalë për operacionin të ashtuquajtur “Rrufea”, aksion i cili ka pasur si qëllim të zbulojë rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe ndihmësve të grupit të Kumanovës, i përfshirë në incidentin e armatosur të 9 majit në Lagjen e Trimave të Kumanovës.”Bëhët fjalë për shtatë persona në moshë prej 20 deri 74 vjet, prej të cilëve tre janë prej fshatit Hotël, dy prej Brezës dhe një prej Matejçes. Të shtatë personat janë të dyshuar për vepra penale “Organizatë teroristike””, informoi ndihmësministri në MPB, Ivo Kotevski.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë me dije se tek të arrestuarit janë gjetur harta të cilat ky institucion i quajti të “Shqipërisë së Madhe”, uniforma të Uçk-së, 13 telefona mobil, armë zjarri dhe municion.
Kotevski thotë se gjatë aksionit policia nuk ka hasur në probleme dhe se të dyshuarit po nxirren para gjykatës themelore.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply