Kisha prerë biletën e avionit. Do të shkoja në Shqipëri për pushime, po mendjen e kisha edhe te takimi i kombëtares sonë të futbollit në Portugali. Ishte takimi i parë për ekipin tonë, për “Francë 2016”.
E përjetova jo mirë hedhjen e shortit për finalet e Kampionatit Europian në Francë në vitin 2016. Pesë skuadra në grupin tonë dhe për më tepër skuadra me emër që kishin marrë pjesë në këtë kompeticion edhe herë të tjera. Pesë skuadra në këtë grup dhe të katër kundërshtarët tanë, të fortë. Dy të parat e grupit kualifikoheshin direkt, por në grupin tonë tre ekipe pretendonin dhe quheshin si të favorizuara, Portugalia, pretendente, jo vetëm për kualifikimin direkt, por pretendente edhe për të fituar titullin në Francë, Danimarka që kishte suprizuar duke fituar titullin disa vute më parë, megjithëse nuk ishte kualifikuar në grup, por që përfitoi nga skualifikimi i ekipit jugosllav. Kur mendoj që në atë kampionat europian traineri i tyre i mblodhi lojtarët e ekipit me urgjencë, kur ishin me pushime, e në përfundim fitoi titullin kampion i Europës, nuk kishte se si të mënjanohej nga synimet për një nga dy vendet e para në grup. Së bashku me Portugalinë dhe Danimarkën, cilësohej si pretendente edhe Sërbija, me lojtarë cilësorë që luajnë me skuadra me emër në Europë. Në grup edhe Armenia, megjithëse nuk cilësohej si pretendente, llogaritej si ekip i fortë që të hap telashe. Shqipëria, eh! Shqipëria ime, i përmendej emri vetëm si pjestare e grupit, por jo më shumë. Ndonjë gazetë e paktë në për Europë, merrte mundimin dhe shkruante dy fjalë më tepër për ekipin e vendit tim.
A thua se edhe këtë herë nuk do mundim të realizojmë ëndërrën tonë?, mendoja me vete.
Në historinë e futbollit tonë kemi patur vetëm gëzime të një beteje por jo të një fitoreje të luftës. Përmend këtu vetëm fitoren e Kampionatit Ballkanik 1946 që u organizua në Tiranë, por ajo tashmë kishten ngelur në histori.
Kemi patur rezultate të mira, por vetëm në ndeshje të ralla, më tepër jo. Kemi fituar me Finlandën 1 me 0, në Tiranë, me gol të mjeshtrit të madh Panajot Pano, kemi barazuar në Tiranë 0 me 0 me Gjermaninë Perëndimore, kur na u mohua një gol i rallë, kemi barazuar 2 me 2 në Norvegji, kur ishim në avantazh 2 me 0, me kapitenin Igli Tare që tashmë është figurë me emër në skuadrën italiane të Laçio-s, si drejtor teknik, por vetëm kaq. Nuk kishim ndjerë asnjëherë gëzimin e kualifikimit për një ngjarje të madhe në Europë apo në Botë.
Kur mësova ekipet e grupit tonë për në “Francë 2016”, shpresat mu dobësuan, por nuk mu shuan. Ashtu kam shpresuar gjithmonë, me zemër të dridhur për çdo përfaqësim të mëparshëm edhe kur mundëm kampionen e Europës, Greqinë, në vitin 2004. Këtë radhë kishim një trajner jo me shumë emër, por që kishte dhënë shkëndija shprese në disa takime miqësore dhe që në 1 Shtator 2012 deklaronte me shumë inteligjencë: “Duhet të ngjisim një mal të lartë, por duhet ta bëjmë duke u kacavjerë, sepse jemi shqiptarë dhe s’kemi mundësi për të kapur majën me helicopter”. Për më tepër shikoja që ekipi kishte bërë ndryshime të mëdha. Po afroheshin lojtarë të rinj, ndoshta jo me shumë përvojë, por me dashurinë për fanelën kuq e zi.
Dhe ja, ndodhesha në avion, duke u kthyer në vendlindje, ndërkohë që më përziheshin mendimet e gëzuara që do takohesha me djalin, bashkëshorten e tij, e më tepër me mbesën që së shpejti do të fillonte klasën e parë në shkollë, me mendimet se si po ecte ndeshja në Portugali.
Kur zbrita nga avioni dhe u gjenda përballë njerëzve të mi që po më prisnin me padurim, për një çast nuk e pata mendjen tek ndeshja, se ma mori mendjen mbesa që u derdh drejt meje me vrap. Më pas më përmendi im bir, kur duke u përqafuar më tha.
– Babi, fituam me Portugalinë 1 me 0.
– Vërtetë? – e pyeta i habitur.
– Po, dhe ka bërë një gol të bukur Bala sa që e la goj hapur Pepen e Portugalisë. Ta thashë këtë se e di që ti po e prisje.
Nuk po i besoja veshëve. Ishte e papritur për mua. Mendoja që barazimi do ta quaja fitore, por si do ta quaja tani fitoren? Me të vërtetë një gëzim i madh.
Më vonë e pashë ndeshjen të përsëritur në televizor, ku pashë edhe buzëqeshjen e mbrojtësit të Realit të Madridit, Pepe. Nuk arrita ta kuptoja domethënien e asaj buzëqeshje, por pak rëndësi kishte, ndaj fitores.
Pikërisht në Rinas, mbas atij lajmi të gëzuar, mu shtuan shpresat. Mos ndoshta këtë herë do të na realizohej ëndërra?, mendoja. Dhe shpresat filluan të shtohen. Barazojmë me Danimarkën në Tiranë 1 me 1 dhe në Danimarkë 0 me 0. Na zënë ethet për rezultatin e lojës së ndërprerë në atë ngjarje të shëmtuar në Beograd me Sërbinë. E urreva Platininë për diktatin e tij në dy shkallët e para të gjykimit të UEFA-së, që na dënonin duke i dhënë tre pikë të pandershme Sërbisë, me mënyrën jo vetëm të padrejtë por edhe skandaloze. U deshën disa muaj pritje ankthi që drejtësia të vihej në vend. Marim tre pikë në tavolinë. Drithërohet Portugalia që megjithëse kryeson grupin, ka vetëm një humbje, atë me Shqipërinë. Fitorja ndaj Armenisë, në Tiranë, me gjithëse me drithërima, se gjatë pjesës më të madhe të takimit ishim në Avantazh 0 me 1, na mban pranë kryesuesëve të grupit, na shton shumë shpresat dhe vë në siklet Danimarkën e vendit të dytë dhe që i gëzohet vetëm atij goli që na ka shënuar në Tiranë. Djemtë tanë nuk zhgënjejnë edhe në ndeshjet miqësore. Barazojnë në Francë me organizusen e kampionatit Europian, e vënë në vështirësi Italinë e madhe që fiton vetëm me një gol në shtëpinë e vet, dhe turpërojnë Francën në ndeshjen e kthimit, me atë eurogol të Kaçes. Lëkundemi pak kur humbasim me Portugalinë në “Elbasan Arena” me atë gol në minutën e fundit të takimit. E ndjejmë shumë humbjen 2 me 0 me Sërbinë, përsëri në “Elbasan Arena”, me ato dy gola për tre minuta, në fund të ndeshjes, njëri prej të cilëve në minutat shtesë, kur shpresonim që të shënonim ne, por ndërkohë gëzohemi që Portugalia na bën një nder, mund Danimarkën 1 me 0 dhe nuk e lë atë të shkëputet nga ekipi ynë. Shpresat tek takimi i fundit me Armeninë. Danimarka nuk shpresonte se mund të merrte pikë të tjera se i ka përfunduar takimet.
E mëshirova trainerin danez Olsen, kur i lutej Armenisë që ta ndihmonte duke mundur Shqipërinë. I bënte llogaritë gabim, kur shpresonte se rezultati i ndeshjes Armeni – Shqipëri do të varej vetëm nga armenët, pa llogaritur shqiponjat..
Më pëlqeu thënia e De Biazit mbas ndeshjes me Sërbët në një ditë shiu: “Nuk duhet të shkonim në Francë në një ditë me shi, të enjten, por të dielën në një ditë me diell”.
Dhe errdhi dita e Dielë e 11 Tetorit 2015. Vallë do ta realizojmë ëndërrën duke mundur Armeninë? Ishim vetëm një hap larg Francës.
Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia e realizoi ndjekjen e kësaj sfide në Qendrën Kulturore të saj, që i thërrasin “Shtëpia e Shqiptarit”. Salla e lokalit të shoqatës u mbush plot, kur në sallën tjetër zhvillonte mësimet shkolla shqipe “Gjuha Jonë”, në të pesë nivelet e saj.
Të gjithë në ankth. Bilbili i gjyqtarit polak Marciniok, për fillimin e takimit, na gjeti të gjithë me zemër të ngrirë dhe sytë ne ekran. Heshtnim por për brenda vlonim. Zemrat na rihnin me forcë. Por duheshin të kalonin vetëm 9 minuta që ne të shpërthenim, “Goooool”. Kemi kaluar ne avantazh. Menduam se do të tërhiqeshim në mbrojtje, për të ruajtur rezultatin, por ku deshën të dinin djemtë tanë. Ata nuk u kënaqën me një gol dhe në minutën e 23 Xhimshiti na ngriti për herë të dytë në këmbë me brohoritje të mëdha. Rezultati 2 me 0 i pjesës së parë na bëri të mendonim se jemi kualifikuar. Megjithatë futbolli ka shumë të papritura dhe për më tepër kur mendonim se minutat e fundit ne “jemi djegur” jo pak herë, na detyronte që pjesën e dytë të takimit ta ndiqnim me ankth. Goli i tretë i Armando Sadikut na qetsësoi dhe na çoi gëzimin në delir. Përfundimisht shpërthyem mbas bilbilit të gjyqtarit polak për përfundimin e takimit. Kishim kaluar Danimarkën e Olsen-it me dy pikë më shumë, duke e lënë atë vetëm me shpresën e “Play of-it”, linim Sërbinë “për faqen e zezë” me 10 pikë pas nesh, zinim vendin e dytë në grup dhe kualifikohemi për në “Francë 2016”, si e dyta në grup. U lumtë djemëve tanë!!!! U realizua ëndërra e gjithë shqiptarëve. Do të jemi në “Francë 2016” si të barabartë me të tjerët. Kur mendon se Franca organizatore është edhe favorite për trofeun, në dy takimet me Shqipërinë ka marrë vetëm një barazim, apo pretendetja tjetër, Portugalia, e ka parë vetën ngushtë me Shqipërinë dhe është çliruar falë atij goli në inutën e fundit të takimit në “Elbasan Arena”, na bën të besojmë që Shqipëria nuk do të shkojë në Francë për turizëm. Le të presim 18 Dhjetorin 2015 për të mësuar ekipet që do të kemi në grup. Sidoqoftë ëndërrën e realizuam.
Një ditë më vonë mësova se sërbët kanë filluar të shpifin gjoja portieri dhe tre mbrojtësit e Armenisë kanë marrë nga 500.000 euro për të humbur ndeshjen. A nuk janë për të qarë hall? Mëshirova gjithashtu trainerin portugez Santos, se mbas takimit me Sërbinë të cilën e kishte fituar 2 me 1 kishte shprehur keqardhjen pse Sërbija kishte përfunduar 10 pikë pas Shqipërisë. Përgjigjen më të mirë këtyre miopëve ia kishte dhënë trainer francez Deshamp: “ Vetëm Shqipëria na mundi”.
Ai gëzim që filloi në Rinas, në Shtator të vitit 2014 arriti kulmin më 11 Tetor 2015 në Filadelfia të Amerikës, në shoqërinë e shumë bashkatdhetarëve, në një nga sallat e Qendrës Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Vlashi Fili
Filadelfia 12 Tetor 2015
Leave a Reply