![]()
Vdekja e 11-vjeçarit Denis Almadhi gjatë një operacioni në sy në spitalin më të madh në vend në QSUT, ka tronditur gjithë Shqipërinë. Dje institucionet shëndetësore kanë reaguar ndaj rastit në fjalë duke shpjeguar se nuk ishte faj i ekipit mjekësor, pasi ishte mjaft i specializuar, por bëhej fjalë për një komplikacion të rrallë, që njihet si hipertermia malinje, dhe që në të shumtën e rasteve çon në mortalitet.
Ministri Tavo
Ministri Tavo gjatë një vizite në Shkodër deklaroi se është njohur gjerësisht me ngjarjen që po hetohet. Duke e cilësuar tepër të rëndë rastin me vogëlushin, Tavo theksoi se ka dyshime të forta se vdekja e 11-vjeçarit u shkaktua nga një komplikacion i rrallë i njohur si hipertermia malinje, tepër i vështirë për tu përballuar në rast se ndodh. “Hipetermia malinje, është një komplikacion shumë i rrallë, por që është shumë i vështirë për t’u përballuar kur bie në kontakt me lëndën anestezike që përdoret,” ka thënë dje Tavo.
Mjekët
Lidhur me ekipin mjekësor që asistoi në operacionin e vogëlushit, Tavo tha se ka qenë një punë e përbashkët mes mjekëve të huaj irlandezë dhe ata shqiptarë. Sa u përket mjekëve të huaj, ministri theksoi se ata janë pjesë e një grupi mjekësh tepër të specializuar që punojnë vullnetarisht në Shqipëri në ndihmë të kolegëve të tyre shqiptarë të fushës së Okulistikës. “Është një ndërhyrje kirurgjikale që përdoret nga mjekë dhe një ekip vullnetar shumë i specializuar, erdhën nga Irlanda në bashkëpunim me ekipin mjekësor të QSUT, shërbimin e Okulistikës,” shpjegoi më tej ministri.
Hetimi
Ministria e Shëndetësisë ka dërguar ekspertë për të hetuar për rastin, por fjalën e fundit për vdekjen e vogëlushit Denis Almadhi, do e thotë drejtësia. “Ne si Ministri Shëndetësie kemi dërguar ekipin tonë për tu informuar dhe hetuar këtë rast, pjesa tjetër i përket organeve të drejtësisë”, tha Tavo.
Spitali i QSUT
Krahas ministrit Tavo një tjetër reagim erdhi edhe nga ana e Drejtorisë së Qendrës Spitalore, ku nëndrejtori i QSUT, Besim Boci deklaroi se të tilla komplikacione ndodhin tek fëmijët me anomali të lindura. Boci pohoi se vdekja e fëmijës ka ndodhur në mes të operacionit dhe se fëmija ka qenë shëndoshë e mirë pa asnjë komplikacion, para se të futej në sallë. Po, sipas Bocit, gjatë operacionit, pacienti ka kaluar në hipertermi malinje. Shkak për këtë Boci nuk bën anestezinë, por anomalitë e trashëguara të vogëlushit. “Fakti i anestezisë mund të ketë ndikuar, por nuk është ai kryesor. Mendoj se faktor kryesor janë anomalitë kongjenitale të trashëguara,” ka shpjeguar Boci.
Rasti
Denis Almadhi, 11 vjeç ka humbur jetën në sallën e operacionit të mërkurën mbrëma në QSUT, teksa po kryente një operacion estetik. I vogli vuante nga ptosis palpebral që në gjuhë popullore njihet si varje e qepallave të syrit. Familjarët kanë denoncuar në polici ngjarjen, ku sipas tyre, djali ka humbur jetën nga neglizhenca e mjekëve ose nga mbidoza e anestezisë. Trupi i Denis Almadhit po ekzaminohet nga mjekësia ligjore.
Shoqata e anestezikëve:
Komplikacioni s’mund
të parashikohej
Në emër të Shoqatës së Anestezistëve së Shqipërisë, Tritan Shehu, i cili ka ushtruar mjekun anestezist vite më parë, shpjegoi për mediat, rastin me vogëlushin, Denis Alimadhi. Në një konferencë për shtyp në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë, Shehu tha se, shkak i vdekjes së vogëlushit dyshohet se është një ndërlikim i rrallë dhe jo faji i mjekëve. “Unë kam marrë kontakt me anestezistë, mjekë që ishin pjesë e operacionit që e ndoqën më tej, konkluzioni përfundimtar do të jepet pas përfundimeve të mjekëve dhe më pas do të konfirmohen, shkaqet e vdekjes. Ishte një ndërlikim tepër i rëndë që është i rrallë në mjekësi, hipertermia malinje. Ka shumë pak mundësi që ky rast mund të parashikohet. Ndërlikim që bazohet në ndryshime gjenetike tek pacientë që megjithëse zhvillojnë jetë normale çdo ditë, çdo vit, gjatë procesit të operacionit, në kontakt me anestezisë mund të paraqesin pikërisht këtë ndërlikim,” shpjegoi Shehu, ku në rolin e anestezistit tha se ekipi që asistoi në operacionin e djalit të vogël është tepër profesionist dhe bëri çmos për shpëtimin e jetës së vogëlushit. “Në këtë rast me 11 vjeçarin u manifestua me agresivitet mjaft të lartë, gjë që edhe pse u morën masat e shumta reanimatore për këtë djalë fatkeq, ishte e pamundur”, tha më tej ai. I pyetur se nëse ka medikamente që mund të parandalojnë në çast këtë komplikacion të rrallë, Shehu tha se: “Nuk ka medikament magjik, baza janë masat reanimatore. Së dyti këtu nuk pret kohë të vijë medikamenti nga Italia apo vend tjetër. Dantroleni nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri, Lidokaina, është specifik dhe është në Shqipëri, por nuk ka siguri 100% që shpëton jetë. Mendoj që të ndjekim deklarata shkencore dhe mos të ecim me hamendje, sepse ju siguroj se ndërhyrja ishte e madhe nga reanimatorët më të mirë, por nuk pati rezultat, temperatura ishte tepër e lartë”. Shehu shtoi se gjatë gjithë jetës së tij si anestezist ka hasur vetëm një rast të tillë: “Fatmirësisht doli me sukses, nuk ishte rast kaq agresiv”.
Urdhri i Mjekut: Mjekët s’kanë faj, por ilaçi mungonte
Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj ka reaguar gjithashtu për vdekjen e vogëlushit, duke përjashtuar nga ky rast fajin e mjekëve. Abazaj tha se ky rast është një aksident spitalor, por faji nuk është i mjekëve. Sipas tij, mjekët kanë respektuar protokollin dhe rregullat për një ndërhyrje kirurgjikale. Sa i përket ilaçit që nëna e fëmijës deklaroi se mungonte dhe se mjekët po e kërkonin kur Denisit iu rëndua gjendja në sallën e operacionit, Abazaj u shpreh se: “Bëhet fjalë për një medikament, i vetmi medikament që mund të përdorej me shpresë së mund ta dominonte këtë. Nuk mund të themi 100% se do ta dominonte, por përderisa ekziston duhet të ishte dhe duhet të ishte përdorur”. Sipas Abazajt, mjekët irlandezë kanë ardhur dhe herë tjetër, janë kontrolluar nga Ministria e Shëndetësisë.
Sëmundja, çfarë është hipertermia malinje
Hipertermia malinje, e cila pretendohet se i ka shkaktuar vdekjen 11-vjeçarit, është një sëmundje shumë e rrallë e trashëgueshme, e cila shfaqet si pasojë e një mutacioni gjenetik në kromozomin e 19. Në jetën e përditshme, të prekurit nga kjo sëmundje janë krejt normalë, fakt ky që e bën shumë të vështirë dallimin e saj. Ajo fillon të shfaqet vetëm në rastet e ndërhyrjeve kirurgjikale si një reaksion i rëndë nga një sërë ilaçesh që përdoren për të bërë anestezinë e përgjithshme. Sipas mjekëve anestezistë rastet e shpëtimit të pacientit janë shumë të rralla, megjithatë ai shprehet se ekziston një ilaç i quajtur “Dantrolene” që mund të përdoret e të shpëtojë jetën e pacientit. Sipas tij, nuk ka një libër anestezie që të mos e shpjegojë këtë dhe çdo specialist, sado i dobët qoftë, e di se si duhet të reagojë në këtë rast. Ilaçi “Dantrolene” përmendet edhe në një publikim të bërë nga mjekja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Antigona Hasani. Ajo parashton një sërë komplikacionesh që mund të shfaqen gjatë anestezisë, ku njëri prej tyre është hipertemia malinje. Pasi shpjegon komplikacionin dhe shkaqet e tij, mjekja saktëson se masa që duhet marrë është “Dantrolene”.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply