Fejesa me Skënder Shehun ka zgjatur vetëm pak javë, ka dëshmuar para hetuesve në procesin e Kadri Hazbiut Silva Turdiu.
Fundi dramatik i lidhjes, sipas saj, është shënuar në ditët e fillim shtatorit ’81.
Në datën 5, ajo është nisur në Greqi me ekipin e të rejave. Për ta shoqëruar ka shkuar dhe Skënderi, tashmë i fejuari i saj i celebruar, i bekuar madje edhe nga çifti Hoxha.
Më pas, ai do të vazhdonte rrugën në Suedi ku ishte duke kryer studimet.
Para nisjes, i ka takuar te pallati i sportit “Partizani” ishministri i Brendshëm, Feçor Shehu, dhe i ka uruar për fejesën.
Dy ditë më parë, një gjë të tillë ka bërë dhe Enveri me të shoqen, në shtëpinë e kryeministrit.
Gjatë kohës që ishin në Greqi, Skënderi është lajmëruar befasisht se duhej të kthehej në Tiranë. Janë kthyer që andej të dy.
Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë, Skënderi kishte thirrur Silvën dhe i kishte thënë se donte të bisedonte disa gjëra serioze vetëm për vetëm me të. Ashtu ishte bërë.
Takimi i zhvilluar në shtëpinë e Ali Cenos, truprojës së kryeministrit, kishte zgjatur rreth 45 minuta.
Skënderi i kishte thënë se do të ndaheshin, pasi kishin dalë disa probleme të koklavitura në biografinë e familjes së saj.
Silva kishte reaguar duke i thënë se ju i dinit ato gjëra më parë. Ishte përmendur çështja e Arshi Pipës, djali i xhaxhit të nënës së Silvës, që ishte “agjent i amerikanëve”.
Sipas asaj që i kishte thënë Skënderi, Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që fejesa të prishej.
Në përfundim, Skënderi i kishte thënë se, kishte dashur të ndahej nga familja e tij, por kishte frikë se si komunist mund të përjashtohej nga Partia.
“Skënderi u paraqit i mërzitur që nuk e linin të martohej me mua”,- dëshmonte Silva.
Sipas këshillës së Skënderit, Silva dhe babai i saj kanë shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, por atje nuk kanë gjetur njeri.
Një makinë i ka thënë rrugës se i priste Fiqretja te shkolla e Partisë.
Silva ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe Qazim Turdiu kishte shkuar vetëm në takim.
Kur ishte kthyer në shtëpi Qazimi, kishte thënë se Fiqretja i kishte përmendur çështjen e Arshi Pipës, të cilën ata “nuk e dinin më parë”.
Që këtej, fejesa ishte zgjidhur, por telashet nuk kishin mbaruar, jo vetëm për ishvolejbollisten, por edhe për djalin e ish-kryeministrit./Panorama/


Leave a Reply