Isha duke pire një kafe vetem tek lokalet e rrugës “Dervishbeg” , dhe shpesh herë pirja e një kafeje vetëm sikur të relakson, të sjellë kujtime që nuk don ti ndash me askend, në një qetësi shpirtërore që nuk të levërdis të mendosh për të tjerët por me vehten dhe për vehten. Por afër tavolinës time veç kur pashë Nexho Shabanin, humoristin, gaztorin, njeriun e thjeshtë dhe zemër mirë të qytetit të Shkodrës që të gjithë e duan se ai i ka falur shumë humor, kënaqësi dhe dashuri jo vetëm shkodranëve. Nuk e di për të tjerët por mua më ka pëlqyer gjithmonë biseda me njerëzit e thjeshtë, të punës, të mjeshtërive të ndryshme, të këngës dhe humorit, të ehengut shkodran, të bejtave. Në shumë prej tyre kam parë një shpirt të pastër, një zemër të sinqertë, një reflektim shumë racional për jeten, pa slogane dhe fjalë të mëdha, “pa ditur të shesin mend” por me thjeshtësinë e tyre të tregojnë histori njerëzore që do të ishin material i rëndësishmë për një poezi, roman apo edhe film apo dokumentar.
Sapo e pashë Nexho Shabanin e pyeta si ishte me shëndet, a e kaloi traumen që pat nga aksidenti, si po i kalon ditët. I thashë se biografinë e tij e kam vue në librin tim “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane”. I spjegova se historinë e Shkodrës nuk e kanë bërë vetëm personalitetet e shquara në fusha të ndryshme por edhe populli i thjeshtë, punëtorët, zanatçinjtë, njerëzit e punës, por edhe ato që kanë sjell gëzime, na kanë bërë të qeshim, sepse me bejtet e tyre, barcoletat ku rimonin, vargjet shpotitëse, sarkastike, jo vetëm sjellnin kënaqësi por ishin një protestë shumë e hollë jo vetëm me veset njerëzore por edhe kundra çdo lloj sistemi. Ai kërkoi të m i blinte librat por jo! Është detyrë t i vlerësojmë këto njerëz me dhuraten me të bukur që janë librat. Ai u gëzua si fëmijë, tha që unë lexoj shume por unë shpreha habinë se askush deri më sot nuk i kishte dhuruar kurrë libra. Kaq shumë më ka falenderuar sa askush deri më sot nuk më kishte dhenë një vlerësim të tillë. Disa herë duke shfletuar librat përsëriste fjalinë: Çfarë paske ba moj zj.Zenepe! Po si nuk e paskam ditur unë këtë libër që duhet ta kishte çdo familje shkodrane?
Biseda vazhdonte. E pyeta: Nexho sa e ke pensioni? O -tha e kam të veçantë 13 mijë lekë të vjetra. Por shtoi më ka shpëtuar gruaja. Pse i thashë sa e ka ajo pensionin ? 90 mijë lekë të vjetra- mu përgjigj. Por si mund të shkonte një bisedë e çiltër pa humorin e Nexhos. A e din ti Nexho se ne kemi kënaqur edhe shume të tjerë me batutat dhe barcoletat tuaja. Dhe filloi të tregojë:
Kur vendi ynë filloi të prodhojë biçikleta edhe ne si familje blemë një biçikletë. Dy të rinj kur dola në piacë me thanë : O Nexho, e gëzofsh biçikleten e re. Po i thashë kësaj i gërsitka çdo vegël veç zilja e biçikletës nuk tingëlloka.
Unë i kujtova një batutë tjetër që në kohen e diktaturës kur qysh në 4 të mëngjezit viheshin radhë për të marrë qumështin, Nexhoja kishte parë një polic me një radio marrje-dhënëse që komunikonte me organet e policisë. Nexhoja afrohet dhe i thot: Zoti polic a mundesh me pyetë se a ka ma qumësht në Piacë sepse në Parrucë u mbarua dhe mbeta pa gja?
Pastaj kur doli 5000 lekshi i ri me vijen e sigurisë në mes një ditë Nexhoja kishte dalë në ballkon dhe kishte ngritur gruan nga dielli për ta parë në se edhe ajo kishte vijen e sigurisë. Dhe plot të tjera që u shkulem se qeshuri. Ajo që më bëri përshtypje ishte konsiderata që Nexhoja kishte për gruan e tij, respekti dhe mirënjohja, si një bashkëshorte që kishte mbajtur familjen.
Bile ai nuk fliste keq as për ato që e aksidentuan dhe ku? Në vijat e bardha. Tregonte se kur ishte aksidentuar në vijat e bardha të një rruge dy djem të rinj kishin vrapuar për ta ndihmuar. Një plak aty afër u kishte thënë: Mos u bani merak për Nexhon se ai është i aftë të ngrihet në këmbë e të shkojë vetë në shtëpi. Kurrë nuk kam punuar- më çuditi kur u shpreh. Bile i kam thënë djalit se te pllaka e varrit të shkrush( jo krejt tekstualisht) : Ndenji gjithë kohen pushim, pushoj duke punuar dhe po pushon edhe tash përgjithonë.
Kënaqësi me ndenjë me njerëz të thjeshtë, me njerezit e humorit sepse merr kënaqësi nga shpirti i tyre i lirë, nga ndjenja e mirësisë pa xhelozi, nga vlerësimi që i bëjnë çdo gjeje të mirë e të bukur dhe ajo që është më e rëndësishme se ato kanë qenë të shkrirë me zemren, shpirtin hallet dhe gëzimet e këtij populli. KËTU QËNDRON MADHËSHTIA E TYRE
Po e mbylli me fjalët e Nexhos që i kam vënë në librim tim enciklopedik, në biografinë e tij:
“Për tanë këto gazmore që kam qitë, s’e kam marrë asnjë lek se përndryshe më shterrte burimi i frymëzimit me krijue të tjera.

Burimi/Facebook


Leave a Reply