Elvira Zeneli
Në këtë botë, jo çdo plagë vjen nga thika,
as çdo buzëqeshje është shenjë paqeje.
Ka duar që të prekin me butësinë e mëndafshit,
por në pëllëmbë mbajnë hartën e tradhtisë.
Më i rrezikshmi nuk është ai që të përball,
por ai që të hyn në shpirt pa trokitur;
të flet me gjuhën e dashurisë,
ndërsa brenda teje ndërton rrënojat e veta.
Të ndryshon kujtesën, një copë nga një copë,
derisa e shkuara të duket fajtore;
ta përmbys busullën e arsyes,
e të bind se humbja jote është zgjedhja jote.
Në skenën e botës shfaqet si lis në stuhi,
me rrënjë të fshehura në baltën e interesit;
mbi fytyrë mban fisnikërinë si dekor,
ndërsa karakterin e ka lënë jashtë portretit.
Nuk është thika që të tremb më shumë,
por dora që të ledhaton para goditjes;
as fjala e ashpër që vjen nga përballja,
por e ëmbla që të çon drejt humbjes.
Kur kërkon të vërtetën, të shet dyshimin,
kur kërkon drejtësi, të ofron fajin;
të bën të kërkosh falje për plagët e tua,
ndërsa ai e quan pafajësi mashtrimin.
Ti nis të mbrosh veten nga vetvetja,
të justifikosh atë që të rrënon;
ai ndërton fronin mbi pasigurinë tënde,
dhe me buzëqeshje të quan fajtor.
Në teatrin e tij ti je gjithmonë i akuzuari,
ai viktima që duartroket veten në skenë;
pas perdes mbledh copëzat e besimit tënd,
si trofe të heshtur të një loje të vjetër.
Mos e mat njeriun me tingullin e zërit,
as me elegancën që shfaq në publik;
karakteri nuk është një fotografi e bukur,
por ajo që mbetet kur fiket çdo dritë.
Fjalët mund të vishen me ar e mëndafsh,
mund të ndërtojnë pallate mbi një iluzion;
por një gjest i vetëm, në çastin e së vërtetës,
e rrëzon gjithë arkitekturën e mashtrimit.
Maska është një kontratë me pamjen,
një rol që kërkon duartrokitje pa fund;
por koha nuk pranon skenarë të rremë,
ajo i nxjerr fytyrat nga hijet e tyre.
Dhe vjen një çast kur fasada çahet,
kur as buzëqeshja nuk e mban më gënjeshtrën;
atëherë kupton se nuk kishe humbur një njeri,
por një iluzion që e kishe quajtur të vërtetë.
Sepse agimi nuk ka nevojë për zbukurim,
as e vërteta nuk kërkon dëshmitarë;
ajo mund të vonojë në udhëtimin e saj,
por nuk e humbet kurrë adresën e njeriut.
Burimi/Facebook


Leave a Reply