Në Selanik, një nga qytetet më të bukura të Greqisë, këtë herë nuk na ka bashkuar vetëm dëshira për të qenë së bashku. Na ka bashkuar një shqetësim i madh familjar, shëndeti i vëllait tonë, Mihal Bombaj.
Së bashku me vëllezër, motra, nipër, mbesa dhe miq të familjes Bombaj, u gjendëm pranë tij, në spitalin privat Balcaniko, ku iu drejtuam mjekëve për të marrë ndihmën e nevojshme.
Mjekë me përvojë, me profesionalizëm dhe mirësjellje, na pritën me respekt. Pas vizitave dhe konsultave mjekësore, Mihali u drejtua drejt sallës së operacionit.
Dhe aty nisi pritja…
Orët kalonin ngadalë. Herë pas here afroheshim te dera e spitalit, me sytë nga brenda, pastaj ktheheshim përsëri në ambientet e jashtme. Një kafe, disa fjalë, shumë shqetësim dhe mbi të gjitha një shpresë e madhe që gjithçka të shkonte mirë.
Sa e vështirë është pritja kur pas asaj dere ndodhet njeriu yt i dashur!
Mihali, vëllai ynë, që për vite me radhë kishte ditur të falte emocione e gëzime me lojën e tij të futbollit në ekipin “21 Shkurti”, sot ishte ai që kishte nevojë për mbështetjen, dashurinë dhe lutjet tona.
Dhe më në fund, pas disa orësh ankthi, në derë shfaqet mjeku. Një buzëqeshje, një fjalë shprese…
Faleminderit, doktor!
Në atë çast, sikur na u hoq një peshë e madhe nga zemra.
Sot dëshira dhe lutja jonë është vetëm një: Mihali të ketë një shërim sa më të shpejtë dhe të kthehet pranë familjes së tij të dashur, pranë Albines, Orjolit, Irindit, Janit, Mihalit dhe Dhanait, pranë vëllezërve e motrave, kunetërve e kunatave, nipërve e mbesave.
Një falënderim i veçantë për mjekët e spitalit Balcaniko, për profesionalizmin, përkushtimin dhe komunikimin njerëzor.
Mirënjohje për të gjithë personelin shëndetësor, për mikpritjen, kujdesin dhe shërbimin e treguar ndaj familjes sonë.
Sepse në ditë të vështira kupton edhe më shumë se sa e shtrenjtë është familja.
Mihal, vëllai ynë, të presim përsëri mes nesh, me buzëqeshjen tënde!
Të urojmë shëndet, forcë dhe shërim të plotë!
Familja Bombaj është pranë teje!
Me dashuri dhe mirënjohje!



Burimi/Facebook


Leave a Reply