Gjatë takimit me Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, Ipeshkvi i Dioqezes së Rrëshenit Imzot Gjergj Meta, i dhuruan Atit të Shenjtë me gëzim tri dhurata të vogla, të menduara si një shenjë nderimi e mirënjohjeje, po mbi të gjitha dashurie e afërsie shpirtërore.
Ato dhurata, që mbartin në vetvete copëza prej historisë, traditës e identitetit të dioqezës së Rrëshenit , ia dërguan Atit të Shenjtë si një mënyrë për t’i shprehur përshëndetjet dhe lutjet e bashkësisë dioqezane.
Ipeshkvi Imzot Gjergj Meta, ia paraqiti dhuratat Atit të Shenjtë përzemërsisht, duke i shpjeguar me hollësi simbolikën dhe domethënien e secilës prej tyre, jo thjesht si objekte, por si dëshmi të një Kishe vendore; të njerëzve të saj; të së shkuarës së saj me sakrifica, vuajtje e qëndresë të palëkundur për fe e atdhe dhe të së tashmes, me shqetësimet e problematikat e saj; me tokën tonë, malet, ujin, natyrën, me familjet, të moshuarit, të rinjtë, fëmijët dhe gjithë bashkësinë që jeton e punon në zonat që përfshin dioqeza jonë, duke ruajtur fort vlerat e saj dhe besimin e saj, i cili, i jetuar, na bashkon me Papën, me Kishën Universale.
Tri dhuratat ishin:
1. Piktura “Kisha e Rubikut” e piktorit Pashk Pervathi, e realizuar posaçërisht për rastin.
2. Libri “Thesauri Franciscani Albaniæ, SS. Salvatore a Rubik e Sant’Antonio a Capo Rodoni, con un testo di DONATO MARTUCCI, L’erezione delle missioni francescane in Albania nel 1634: eroismi e turbamenti”, me autorë: Edlira Çaushin, Flavio Cavallini-n OFM dhe Andrea di Giuseppe-n.
Në këtë libër, autorët shpjegojnë dhe komentojnë afresket e Kishës së T’Shëlbuemit, në Rubik.
3. Dy shishe verë nga Kantina “Arbëri”, që gjithë punën e saj e realizon në Mirditë prej vitesh.
Dioqeza e Rrëshenit falenderon publikisht për bujarinë e gatishmërinë e tyre të menjëhershme, piktorin Pashk Pervathi, atë Flavio Cavallini-n dhe Fran e Rigers Kaçorrin KANTINA ARBËRI .
Zoti ua shpërbleftë!
Edhe një herë, falënderojmë Zotin për këtë ngjarje tejet të veçantë, që do të ngelet në historinë e dioqezës sonë dhe në zemrat tona, si kujtim i mrekullueshëm i takimit me Bariun e Kishës Universale:, shkruan Dioqeza Rrëshen.




Burimi/Facebook/Lezha Press


Leave a Reply