-Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar rezultatin e kontrolleve të kryera në administratën shtetërore. Raporti pasqyron dëmet ekonomike ndaj arkës së shtetit. Shifrat janë të “frikshme”. Në 9-mujorin e vitit 2012, dëmet ekonomike janë 14.6 miliardë lekë (105 milion euro) sipas auditorëve të KLSH. Gjatë kësaj periudhe, nga auditimet e ushtruara janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 13 miliardë lekë. Ndërsa, për shkeljet e disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, dëmi është 1.6 miliardë lekë. Shkeljet i përkasin veprimtarisë ekonomike-financiare të periudhës kohore 2008-2011 dhe 6-mujorit të parë të vitit 2012.
Janë konstatuar 661 milionë lekë dëme në fushën e shitjes dhe dhënies me qera të pasurisë shtetërore. Pjesa më e madhe e dëmit që kap shifrën 607 milionë lekë është shkaktuar nga punonjës të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kjo ka ardhur si pasojë e mosushtrimit të penaliteteve për shkeljet e kushteve të kontratave koncensionare nga 24 koncensionarë. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka kaluar padrejtësisht vlerën prej 15.3 milionë lekë, si fitim neto i buxhetit të shtetit, në favor të koncensionarit “SGA Automative”.
Në fushën e prokurimeve, dëmi llogaritet 105.6 milionë lekë. Ndërsa në fushën e shpenzimeve operative dëmi llogaritet 74 milionë lekë. Përsa i përket sistemit të pagave, dëmi është 45 milionë lekë. Dëmet në sektorin e doganave janë 41.2 milionë lekë. Por shkeljet më madhore janë konstatuar në sektorin energjitik. Sipas KLSH, në Albpetrol janë konstatuar shkelje financiare në vlerën 9.2 miliardë lekë, ndërsa në Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare dëmi është 2.5 miliardë lekë.
/Shekulli Online/I.S./
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply