Ashtu siç e paralajmëroi me dhimbje e me urti At Gjergj Fishta, se kur shqiptarët përçahen e harrojnë veten, bëhen ashtu siç i do hasmi, kam një dhimbje të rëndë e të pashuar kur shoh se si në shtëpinë tonë, në Dardani, po pengohet identiteti, po ndalohet e vërteta dhe po tentohet të ndalohet vendosja e Nënë Terezës në murin e shtëpisë së saj. E jo vetëm e saj, por edhe e shumë figurave të tjera që na japin krenari kombëtare e i japin nder kombit tonë para mbarë botës.
E sidomos kur një grup mbetjesh e gojësh në shitje guxojnë ta quajnë leckë flamurin tonë kuqezi e të thonë se pa Perandorinë Osmane nuk do të kishte Shqipëri, kur e vërteta historike thotë krejt të kundërtën: se ajo perandori nuk solli asnjë kufi në favor të shqiptarëve, por solli pushtim, tjetërsim, injorancë, prapambetje, dhunë mbi popullsinë, shpërngulje e ndarje të truallit tonë.
E sot, për ironi e tragjedi të madhe, dhunuesi i dikurshëm u shndërrua në babë e vëlla për ata që, për interesa të huaja apo me para e agjenda serbe e të tjera, duan të duken si të huaj e të mohojnë rrënjët e veta.
Kur fakti historik e i pamohueshëm është se ky popull i lashtë ka jetuar ndër breza me rrënjë autoktone e dardane, me gjuhën, me besën dhe me vëllazërinë e pashkëputur në një sofër e në një gjak, ku njerëzit kanë qenë vëllezër të një trualli para çdo ndarjeje dhe asnjëherë nuk e kanë matur vlerën e tjetrit sipas emrit apo besimit, por sipas nderit e sakrificës për kombin.
E kur sot sheh se si figura të pavdekshme si Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani e Adem Jashari, apo kujtesa e themeleve tona, vihen në pikëpyetje apo pengohen nga mentalitete e agjenda të huaja që nuk kanë lidhje me gjakun e me traditën tonë; kur e gjithë bota e nderon dhe përkulet para Shën Nënë Terezës, ndërsa në vendin e saj pengohen simbolika e kujtesa e saj dhe e figurave tona të mëdha të kombit, duke harruar se mëmëdheu e atdheu mbahen gjallë me dashuri për rrënjët, me nder për të parët e me bashkim vëllazëror, atëherë lind pyetja e rëndë e e dhimbshme:
Kujt po i shërben kjo përçarje? Kush i ushqen e kush i paguan ata që rrahin vetveten, shkelin gjakun e pëlqejnë hasmin? E pse lejohet të ndalohen të shtëpisë në shtëpinë e vet?
Kur e vërteta historike tregon se kombi mbahet gjallë vetëm me të vërtetën, me rrënjët e veta dhe me vëllazërinë e një gjaku, ndërsa inati dhe harresa vetëm dobësojnë vatrën tonë.
Prandaj, me dhimbje të thellë e me fakte të vërteta, por edhe me lutjen e Krishtit, ju drejtohem:
Zoti ju faltë, se nuk keni ditur e nuk dini çfarë bëni. Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!
— Paulin Maçaj
SHkoder
Burimi/Derguar nga vete Autori


Leave a Reply