Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka deklaruar se kryeministri Berisha është duke i marrë festën e pavarësisë Vlorës, ndërsa ka kërkuar që Presidenti Nishani të marrë në dorë kompetencat dhe të drejtojë manifestimet. Ndërkohë nga ana tjetër Grupi Parlamentar socialiste ka vendosur që mbledhjen e radhës ta zhvilloj në qytetin bregdetar. Sipas Gjikës vendimi i qeverisë për të festuar ditën e flamurit në 27 nëntor do të ndikoj që bashkia të mos jetë e pranishme në aktivitet dhe për të këtë me ironi i tha Berishës se “duhet të vij me bukë me vete se s’ka për të gjetur mikpritje”.
Qëndrimi i opozitës
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist kryebashkiaku u Vlorës theksoi se Vlora do të vijojë traditën duke festuar më 28- Nëntor dhe deklaruar se kush vjen në 27 “duhet të marrë bukë me vete”. “Vlora për 28 Nëntor do jetë gati, gjithçka do jetë në kohë. Më lejoni që të shpreh falënderimin si kryetar i Bashkisë Vlorë në lidhje me sensibilizimin se 28 Nëntori është i lidhur ngushtë me qytetin e Vlorës dhe me emrin e Ismail Qemalit. Buxheti i Bashkisë praktikisht është zero për shkak të një akti normativ të Bodes që është bërë de facto pa vendimin de jure të Kuvendit. Unë deklaroj këtu se interesi dhe dëshira e qeverisë nuk ka për t’u realizuar”, deklaroi Gjika.
Rama
Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas akuzave të djeshme të kryeministrit, duke thënë se qeveria mashtron, pasi sipas tij nuk ka asnjë plan për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Vetë kreu i opozitës ka thënë se personalisht do të jetë në 28-Nëntor në Vlorë. “Qeveria nuk ka asnjë plan për 100- vjetorin që u shpall si vit kremtimesh të mëdha. Askund nuk ndihet fryma e këtij viti. Askund nuk shihet ndonjë shenjë që jemi në këtë vit jubilar. Askund nuk duket ndonjë gjë që tregon se jemi në 28 nëntor. Edhe në këtë rast qeveria tregon se sa të vjetra janë konceptet e saj, sa banale janë shijet e saj. Ato copa planesh janë copa të grisura të kostumit komunist të teserave të dikurshme popullore”, tha Rama.
Kufiri detar me Greqinë
Gjithashtu Rama nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e kufirit jugor me Greqinë. Ai ka kërkuar të zgjidhet kjo çështje pasi është një burim i hapur konflikti. “Teksa shkojmë drejt 100 vjetorit, kemi një konflikt të hapur, dhe aspak të mirë për të nesërmen me fqinjët grekë. Janë 300 km det që i kanë kaluar fqinjëve. Sigurisht që për detin e përbashkët kanë detyrim të dyja palët që të zhvillojnë projekte të cilat do të rrisin mirëqenien. Projekte që nuk mund të kërcënohen nga kjo situatë e nënshkruar qorrazi prej kryeministrit të sotëm. Sot është dita për t’i bërë një apel kryeministrit që të bëjë gjithçka që i takon në respekt me kusht për të rinegociuar marrëveshje, për të mbyllur këtë burim konflikti që mund të bëhet pengesë për ardhmërinë e dy shteteve dhe dy popujve”, vijoi Rama. Më tej ai ka lajmëroi se Partia Socialiste do të kryejë një manifestim të quajtur “Ngri Flamurin”, dhe sipas tij do të ftohen të gjithë ata që kanë një ëndërr për Shqipërinë e nesërme.
Tiranaobserver
Per”Alba -Dansk” Shkodrani


Leave a Reply