Shtetasit e Maqedonisë dhe Shqipërisë vëzhgojnë bukurinë natyrore në udhëtimin rreth liqenit të Ohrit dhe nxisin tolerancën.
Nga Miki Trajkovski për Southeast European Times në Ohër
Biçiklistët përgatiten të nisin një turne rreth liqenit të Ohrit, i cili zë kufirin e Maqedonisë e Shqipërisë. [Miki Trajkovski/SETimes]
Rreth 100 biçiklistë nga Maqedonia dhe Shqipëria morën pjesë në një turne rreth liqenit të Ohrit në 20 tetor, në një thirrje për tolerancë, respekt të ndërsjellë, një rajon pa kufij dhe mbrojtje të burimeve natyrore.
Maratona çlodhëse çiklistike nisi në Ohër dhe udhëtoi nëpër Strugë për në Lin dhe Pogradec në Shqipëri, përpara se të kthehej në pjesën maqedonase të liqenit që zë kufirin mes dy vendeve.
Zhanko Golaboski, president i Klubit të Biçikletës Zsh nga Ohri dhe organizator i maratonës, i tha SETimesse dëshironte që veprimtaria të inkurajojë shtetasit nga të dy anët e liqenit për të kapërcyer kufirin më shpesh.
Për dekada, gjatë periudhës së rregjimit komunist të Shqipërisë, kalimet e kufirit ishin të rralla. Më së fundmi, kalimi i kufijve kërkon një pasaportë, por në prill qeveritë shqiptare ranë dakort që të lejojnë njerëzit të kalojnë thjeshtë duke treguar një kartë identifikimi.
“Qëllimi kryesor i këtij turneu ishte të vihej në dukje rajoni si një i tillë pa kufij, pasi kufiri tani mund të kalohet vetëm me një kartë identifikimi,” tha Golaboski. “Eshtë një përvojë e madhe të shohësh liqenin nga të dy anët.”
Ljupço Mitreski, një anëtar i shoqatës çiklistike Bike Star nga Shkupi tha se veprimtaria ishte frytdhënëse sepse u dha çiklistëve maqedonas një kuptim më të mirë për Shqipërinë.
Disa nga pjesëmarrësit kujtuan një kohë kur kufiri ishte i mbyllur, por tani njerëzit janë në gjendje të lëvizin midis dy vendeve lirisht, zona rreth liqenit është bërë një destinacion turistik. Udhëtimi me makinë nga Ohri apo Struga për në Pogradec është më pak se një orë.
Turneu me biçikletë mbuloi rreth 100 kilometra dhe çiklistët e bënë atë në më pak se shtatë orë.
“Ne kishim [paragjykime] për Shqipërinë,” tha Mitreski. “Por pas asaj që pamë atje, mund të them se këto opinione kanë shkuar. Pogradeci është një qytet i këndshëm, njerëzit janë miqësorë e mikpritës. Mjaft njerëz vijnë në Ohër, por ata nuk e kanë parë kurrë krejt liqenin. Kjo është se pse dëshirojnë që të shohin sesi duket liqeni nga ana shqiptare e si është të jetosh atje.”
“Që kur kam qenë fëmijë, kisha një dëshirë të madhe të kaloja në anën tjetër të kufirit sepse bëj pjesë në atë brez që jetoi në kohën kur kufiri me Shqipërinë ishte i mbyllur,” tha Misho Tanevski, një banor i Ohrit. “Pogradeci është një qytet i bukur, që po zhvillohet me të shpejtë. Shumë njerëz flasin maqedonisht e në restorante mund të paguash me denarë, paranë maqedonase.”
Banori i Pogradecit Fatos Osmani tha se turneu me biçikleta tregoi se “ndonëse jetojmë në vende të ndryshme, ka mjaft gjëra që na lidhin e na bëjnë të ngjashëm, për shembull dëshira për komunikim e bashkëpunim.”
Ndërsa pjesëmarrësit thanë se u kënaqën nga peizazhi, bënë gjithashtu vëzhgime më pak të dëshirueshme, duke fotografuar plehrat e hedhura që mund të shiheshin përgjatë rrugës e liqenit.
Zhanko Golaboski i tha SETimesse grupi ka në plan të kontaktojë pushtetet vendore.
“Gjithashtu duam të shkundim informimin publik për rëndësinë e zonave të pastra e të shëndetshme jetësore,” tha Golaboski. “Ka vende kaq të bukura pranë liqenit e janë plot me plehra. Në anën shqiptare nuk më pëlqen që në çdo dhjetë metra gjuhet peshk, rrjeta të mëdha hidhen e trofta, plashica dhe ngjala shiten në akuariume pranë rrugës.”
Biçiklistët thonë se nisma tjetër e tyre do të jetë në organizimin e një maratone çiklistike rreth tre vendeve fqinjë: Maqedonisë, Greqisë e Shqipërisë. Ata shpresojnë gjithashtu të bindin autoritetet për të ndërtuar një rrugë biçikletash pranë liqenit, që do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba -Dansk” Shkodrani


Leave a Reply