Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, priti sot në një takim kortezie, Ambasadorin e Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë, z. Mads Sandau-Jensen, me rastin e fillimit të detyrës.
Ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si përsa i përket dialogut politik ashtu edhe në sektorët e ekonomisë, nxitjes së investimeve, kulturës, etj.
Ministri Panariti bëri një ekspoze të reformave të kryera nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me opozitën në kuadër të agjendës evropiane dhe shprehu besimin se tashmë është arritur një “masë kritike” në reformat e duhura në vend për të arritur marrjen e vendimit të pritshëm nga Brukseli, statusin e vendit kandidat në BE.
Në vijim, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në lidhje me bashkëpunimin rajonal, vizitat e kohëve të fundit në rajon të Ministrit Panariti, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e këtij bashkëpunimi, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon, çka ka lidhje direkte me avancimin e agjendës evropiane të të gjitha vendeve të rajonit. Ministri u shpreh se qeveria shqiptare mirëpret rifillimin e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.
Në fund të takimit, Ministri Panariti rikujtoi ftesën e bërë në drejtim të Ministrit të Jashtëm danez, z. Søvndal për një vizitë në Shqipëri me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply